Interes i madh, shqiptarët të ‘fiksuar’ pas armëve – ekspertët flasin për rreziqet e mundshme!

Politika

Interes i madh, shqiptarët të ‘fiksuar’ pas armëve – ekspertët flasin për rreziqet e mundshme!

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 18 janar 2025 Në ora: 10:02
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës kanë shtuar interesin ndaj armëve, këtë e tregojnë të dhënat e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku vetëm gjatë vitit 2024, janë dhënë mbi 10 mijë leje të tilla.

Ku vetëm, për tre vjet, numri i lejeve të dhëna për mbajtje armësh është rritur për gati tre mijë.

Janë të ndryshme, arsyet që i shtyjnë qytetarët të armatosen, sipas MPB-së, lidhen me pasionet e tyre për shenjëtari dhe gjah.

Vjen të theksohet se, për t’u pajisur me këtë leje, qytetarët duhet të plotësojnë kritere të shumta, përfshirë certifikatat shëndetësore.

Mirëpo, sa rrezik paraqet rritja e lejeve për armëmbajtje për sigurinë publike dhe si është kjo ccështje e rregulluar me ligj?

Shala: Armët mund të përdoren në situata të tensionuara ose të papritura

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Së pari, ai u shpreh se lejet për armëmbajtje mund të paraqesin rrezik për sigurinë, në rast se nuk ka një sistem kontrolli.

Dhënia e lejeve për armëmbajtje për qytetarët mund të paraqesë një rrezik të shtuar për sigurinë publike, veçanërisht nëse nuk ka një sistem të fortë kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Armët mund të përdoren në situata të tensionuara ose të papritura, duke shkaktuar rreziqe për jetën dhe pasurinë e qytetarëve të tjerë”.

Po ashtu, Shala tregoi ndikimin që mund të kenë armëmbajtjet e shumta në rritje e krimeve dhe ngjarjeve tragjike.

Një rritje e numrit të armëve në duar të qytetarëve mund të çojë gjithashtu në rritjen e krimit të dhunshëm dhe ngjarjeve tragjike, si aksidente ose përdorim të armëve në mënyrë të paligjshme.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se mbajtja e armëve mund të ndihmojë në vetëmbrojtje në disa rrethana, por gjithmonë kjo kërkon edukim dhe trajnime të forta për përdorimin e armëve, si dhe një sistem ligjor që të sigurojë se ato nuk do të përdoren për qëllime të padrejta”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, eksperti foli mbi menaxhimin dhe kontrollimin mbi lejet e këtyre armëve.

Në fund, rreziku që mund të paraqesë "armatosja" e qytetarëve varet nga mënyra se si menaxhohen dhe kontrollohen lejet dhe armët që janë në përdorim. Sistemet e forta ligjore dhe edukative mund të kontribuojnë në minimizimin e rreziqeve”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Bajraktari: Prezena e shtuar e armëve, padyshim paraqet rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike

Image
Ardian Bajraktari

Kurse, avokati Ardian Bajraktari foli edhe për atë se si është rregulluar me ligj çështja e armëmbajtjes me leje.

Së pari, tha se numri i lartë i armëmbajtjeve pa leje paraqeti një rrezik serioz për sigurinë publike.

“Prezenca e armëve në duar të qytetarëve është e madhe, e aq më tepër që një numër i madh tyre janë pa leje. Kjo padyshim paraqet rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike. Prandaj, organet përgjegjëse, filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme duhet angazhuar në drejtim të uljes së numrit të këtyre armëve”.

Tutje, avokati dha detaje mbi ligjin për armët dhe për arsyet për blerjen e armës.

Ndërsa sa i përket çështjes së amëve me leje, është ligji përkatës për armët i cili ndër të tjera rregullon kushtet për blerjen dhe posedimin e armëve si armëmbajtjen për personat fizik dhe juridik, brenda territorit të Republikës së Kosovës

Kur jemi tek blerja e armës, është neni 11 i Ligjit për armët i cili i përcakton arsyet për blerjen e armës, pjesëve të armës dhe municionit nga personi fizik, e të cilat janë vetëm për armëmbajtje, gjah, shenjëtari ose për qëllime koleksioni”, nënvizoi ai.

Në fund, tregoi se nga kush shqyrtohen kërkesat për blerje dhe posedim të armëve.

“Ndërsa kërkesat për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin e armëve dhe municionit për personat fizik dhe juridik, shqyrtohet dhe vendoset nga Departamenti përkatës për Siguri Publike i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, përfundoi Ardian Bajraktari për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat