Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka thënë se pret që Asociacioni i Komunave Serbe, i dakorduar para 12 vitesh, të themelohet.
I pyetur nëse është optimist, ai u përgjigj se është gjithmonë optimist, sepse në të kundërt nuk do të bëhet asgjë.
“Unë jam optimist se Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin është rënë dakord më parë rreth 12 vjet më parë, do të duhet të themelohet. Pra, po, unë do të jem optimist për këtë, por mendoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe ta mbarojnë këtë gjë, sepse nuk është e kënaqshme për momentin”, tha Hill.
I pyetur nëse administrata e ardhshme ndoshta mund të jetë më këmbëngulëse në kryerjen e punëve në Kosovë në lidhje me Asociacionin, ai u përgjigj se administrata aktuale gjithashtu u përpoq të mbështesë BE-në për t’i bërë gjërat, veçanërisht për të zbatuar atë që është rënë dakord.
E në lidhje me këtë temë nëse Kurti do ta pranoj apo jo Asociacionin në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Spartak Ngjela.
Ai thotë se Kurti nuk do ta pranoj asnjëhere Asociacionin pasi është një pushtim indirekt.
Më tej, avokati paralajmëron krizë të madhe në Serbi.
“Jo... asgjë. Politikë. Nuk e pranon Kurti kurrë atë. Se ai Asocacion është një lloj pushtimi indirekt.
Kurse serbët, janë në dekadencë.
Pritet krizë e madhe në Serbi, se po bie tëposhtë ekonomia.Nuk e pranon Kurti”, foli Ngjela për “Bota sot”.
Kujtojmë që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015.
Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë vazhdimisht që Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese një draft-statut për Asociacionin, të cilin e prezantoi Perëndimi në tetor të vitit të kaluar.