Kush e la ‘varur’ anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës? Analisti zbardh prapaskenat – ja kë e fajëson

Politika

Kush e la ‘varur’ anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës? Analisti zbardh prapaskenat – ja kë e fajëson

Nga: A.M. Më: 18 janar 2025 Në ora: 21:42
Pamje nga takimi

Të mërkurën që e lamë pas, presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë pritur një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili ishte kryesuar nga Petra Bayr.

Presidentja Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Të njëjtin mendim kishte edhe, kryekuvendari Konjufca i cili ka deklaruar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Lidhur më këtë çështje, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri ka folur për historikun e aplikimeve të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Në fakt Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, qysh më 12 maj të vitit 2022, pra pak më tepër se një vit, pas fitores në zgjedhje të Qeverisë Kurti II, por radha për votimin e kërkesës së Kosovës, i erdhi vetëm më 16 prill të vitit 2024, ku në fakt kërkesa për aplikim e vendit tonë u miratua me 2/3 e votave, por fatkeqësisht, nuk u vendos në rend dite, për pranim, në tubimin e radhës, të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Duke qenë se organizata më e vjetër evropiane e njohur si Këshilli i Evropës, merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, procedura e parapara për pranimin e anëtarëve të rinj dhe kërkesat e vendeve për anëtarësim, kalojnë përmes rregullave për pranim të Këshillit të Ministrave dhe votimit të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare të Asamblesë Parlamentare të KE-së”, ka treguar ai.

Image
Gani Qarri

Po ashtu, Qarri ka folur edhe për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës në vitin 2024, ku është shprehur se në atë kohë pati pritje aq të mëdha deri në eufori, dhe se deklarohej se së shpejti edhe Flamuri i Republikës së Kosovës, do të valonte në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës, në Bruksel.

“Komiteti i Këshillit të KE-së duke qenë se përfaqëson 46 shtetet anëtare, në votimin e mbajtur, në një mbledhje të jashtëzakonshme me 16 prill 2024 në KiE, mori vendim me 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime, apo me më shumë se 2/3 e votave, të përgjithshme, për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës, që edhe pse nuk ishte vendimi përfundimtar për pranim, në vendin tonë, u prit me eufori, duke u konsideruar edhe si vendim historik, për shtetin tonë të ri dhe hapi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë, si dhe etapa më e vlershme drejt anëtarësimit të plotë, të Kosovës në KiE!

Madje pati pritje aq të mëdha deri në eufori, sa deklarohej se së shpejti edhe Flamuri i Republikës së Kosovës, do të valonte në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës, në Bruksel dhe vetëm pritej emërimi i dy ekspertëve nga Byroja e Asamblesë Parlamentare, që duhej të hartonin një raport përmbajtësor mbi Kosovën, me të cilin do të bëhej vlerësimi i “përshtatshmërisë së sistemit ligjor të Kosovës me parimet thelbësore të Këshillit të Evropës”.

Por në vend se, sapo të përfundonin analizat dhe raporti i raportuesit nga Komiteti për Çështje Politike, të dërgohej për diskutim e votim në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, dhe ti rekomandohej Komitetit të Ministrave, që ta ftonin Kosovën të bëhej anëtare në KE, krejt zhvillimet e më parme, u pa se ishin fars, për ta vënë Kosovën në lojë dhe taktizime lakonike për kushtëzimin e Kosovës me asociacionin një etnik serb.

Andaj, me insistimin e paraprogramuar dhe të paraproklamuar publikisht edhe si formë shantazhi perfid nga i dërguari i posaçëm i SHBA-ve, latino-amerikani Eskobar, i cili ishte më i zëshmi për kushtëzimin e Kosovës, si dhe ndërmjetësuesit pro-serb Mirosllav Lajçak, Kosova pasi i ndau Manastirit të Deçanit mbi 40 hektar tokë, që na u tha, se ishte kushti i vetëm dhe “minimal”, pronë e banorëve lokal dhe e komunës së Deçanit, pas këtij vendimi, në emër të përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, Kosova tani u kushtëzua edhe me formimin e asociacionit një etnik serb, gjë që ishte e pamundur të zbatohej”, ka shpjeguar Qarri..

Më tutje, ai ka pohuar se procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të mund të përmbyllej deri në fund të vitit 2024.

“Pjesë e këtij taktizimi ironik ishte që gjatë samitit të Këshillit të Evropës, i cili u mbajt në mesin e muajit maj në Islandë, vend që kryesonte Këshillin e Ministrave të KE-së, të mos futej aplikimi i Kosovës, në rend dite, gjë që fatkeqësisht edhe ndodhi, përndryshe, po të zhvillohej çdo gjë në bazë të planit, sipas burimeve diplomatike të KiE-së, procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të mund të përmbyllej deri në fund të vitit 2024”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Qarri e ka komentuar edhe takimin e presidentes Osmani dhe kryetarit Konjufca me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

 “Prandaj, gëzon fakti se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që në fillim të këtij viti ka zgjedhë të interesohet, serish për Kosovën, delegacionin e të cilës, të mërkurën e priti Presidentja Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të kryesuar nga Petra Bayr, por megjithëse si presidentja e vendit ashtu edhe kryetari i Kuvendit,kanë thënë se Kosova mban përkushtimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke pasur parasysh se me gjithë marrëveshjen që u arrit më 27 shkurt të vitit 2023, në Bruksel ku thuhet se as “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, faktikisht anëtarësimin e kushtëzuan vet vendet e BE-së, duke mos e vendosur fare në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KiE.

Në fakt pas përjashtimit të Rusisë më 16 mars të vitit 2023, nga Këshilli i Evropës, për shkak të agresionit ushtarak në Ukrainë, duke qenë se dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njihnin pavarësinë e Kosovës, u shpresua se Kosova mund të bëhej pa vonesa dhe pengesa të mëdha anëtare e KiE-së, kurse liberalizimi i vizave, ishte edhe një indikacion më tepër, se Kosova mund të bëhej shumë shpejt pjesë e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.

Në fund, Qarri ka thënë se nuk mund të thuhet se kur mund të ndodhë anëtarësimi i Kosovës në KiE.   

“Por megjithëse ka vite që shpresohet e përflitet se Kosova mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, nëse fillimisht nuk ndryshon qëndrimi i vendeve të BE-së ndaj vendit tonë, nuk mund të thuhet saktësisht, as se kur do të dërgohet aplikimi i Kosovës për votim në seancë plenare të Asamblesë Parlamentare, ku duhet të votohet përsëri me 2/3 e votave, për t’iu rekomanduar pastaj Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KE-së, gjë që vërtetë është për keqardhje, ngase e lë varur, çështjen e anëtarësimit dhe realisht nuk mund të thuhet më, se kur mund të ndodhë anëtarësimi i njëmendtë i shtetit tonë në KiE”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat