Inaugurimi i Trumpit, publicisti zbulon lëvizjen e Serbisë për Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën

Politika

Inaugurimi i Trumpit, publicisti zbulon lëvizjen e Serbisë për Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën

Nga: N.E Më: 20 janar 2025 Në ora: 11:11
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Ishte nënshkruar në vitin 2015 dhe për pak muaj do të shënojë 10 vite që nga nënshkrimi i tij, por asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të mos formohet, kjo për shkak të shkeljes së kushtetutës në brendi të tij.

Asociacioni është çështja që pothuajse ka shëtitur qeveritë të ndryshme në Kosovë dhe ajo vazhdon të mbetet edhe për qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gjersa, pritet epilogu i kësaj çështjeje, ndërkombëtarët nuk heqin dorë nga thirrjet për formimin e tij.

Por, një deklaratë insistuese për një asociacion të dakorduar para 12 vitesh ka bërë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Hill është shprehur optimist për formimin e asociacionit, gjersa ka shtuar se të gjithë duhet të bashkohen dhe ta mbarojnë këtë gjë.

“Unë jam optimist se Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin është rënë dakord më parë rreth 12 vjet më parë, do të duhet të themelohet. Pra, po, unë do të jem optimist për këtë, por mendoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe ta mbarojnë këtë gjë, sepse nuk është e kënaqshme për momentin”, tha Hill për RTS.

I pyetur nëse administrata e ardhshme ndoshta mund të jetë më këmbëngulëse në kryerjen e punëve në Kosovë në lidhje me Asociacionin, ai u përgjigj se administrata aktuale gjithashtu u përpoq të mbështesë BE-në për t’i bërë gjërat, veçanërisht për të zbatuar atë që është rënë dakord.

“Unë supozoj se çdo administratë e ardhshme do të mbajë të njëjtin pozicion. Pse nuk ndodhi kjo, mendoj se është diçka që njerëzit duhet ta analizojnë, ta shikojnë me kujdes dhe të shohin se çfarë mund të bëhet. Është shumë e qartë se kjo është një situatë e pakënaqshme, dhe mund të shtoj se po të isha nga Kosova, kjo do të më dukej shumë e pakënaqshme. Në fund të fundit, ka shumë njerëz që jetojnë në Kosovë që meritojnë një situatë më të mirë dhe e dinë se mund ta arrijnë atë përmes një bashkëpunimi më të madh në kuadër të dialogut të organizuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Hill.

Publicisti dhe autori i shumë shkrimeve për raportet Kosovë- Serbi, Fadil Lepaja, thotë se me ndryshimin e administratës në Amerikë do të rriten edhe ambiciet e politikës serbe.

Sipas tij, popullariteti i Hillit ishte kur insistonte në asociacionin e komunave serbe.

“Ambasadori Hill, u fishkëllua këto ditë në një ndeshje të Crvena Zvezdës së Beogradit, ku kishte shkuar bashkë me Presidentin Vuçiç. Popullariteti i tij në Beograd ishte në rritje gjatë periudhës së presidentit Biden, ku ai insistonte në Asociacionin e Komunave Serbe dhe dialogun, duke e mbajtur afër Presidentin Vuqiç, por me ndërrimet që do të ndodhin në Ëashingron më 20 janar, ambiciet e politikës serbe në raport me Kosovën rriten duke shpresuar në një ndryshim të kufijve në Ballkan, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Është paradoksale që përkundër orientimit demokratik opozita serbe, së paku ajo properëndimore ende nuk ka pasur guxim të deklarohet qartë për Kosovën përpos që janë deklaruar pro dialogut të ndërmjetësuar nga BE të cilin në fakt e ka zhvilluar kryesisht presidenti Vuqiç dhe njerëzit e tij prandaj edhe shihet si partneri më i besuar dhe pragmatik i perëndimit në Serbi”, shprehet Lepaja për “Bota sot”.

Image
Fadil Lepaja

Në anën tjetër, ai ripërsërit qëndrimin e SHBA-së për veriun.

“Edhe SHB ka deklaruar më herët sivjet që përmes ambasadorit të vet në Kosovë se në veri janë legjitime vetëm institucionet e Kosovës duke i dhënë të drejtë politikës qeveritare për shtrirje të sovranitetit edhe në veri dhe për largimin e institucioneve të Serbisë atje”, shton publicisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat