Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen do të jetë zëvendësuesi i Mirosllav Lajçak-ut. Ky i fundit është përfaqësuesi i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nga Bashkimi Evropian.
Sipas raportimeve, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas e ka dërguar emrin e Sorensen-it te anëtarët e BE-së për miratimin e tyre.
Lidhur me këtë çështje, ka folur për “Bota sot” njohësi i çështjeve politike, profesori Sulejman Mehazi. Ai e ka mirëpritur këtë përzgjedhje të përfaqësueses së BE-së, Kaja Kallas.
“Përgëzojmë përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Kaja Kallas, që ka përzgjedhur diplomatin e njohur të Danimarkës, Peter Sorensenin, si emisar të posaçëm për dialogun e stërzgjatur mes Kosovës dhe Serbisë, besojmë dhe kemi shpresa se emisari i ri, Sorensen, që zëvendëson proserbin sllovak, Lajçak, do jetë më pragmatik ndaj Kosovës, nuk do anojë nga Serbia, po do kërkojë baraspeshë të dialogut në mes dy shteteve fqinje”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tutje, profesori ka treguar se pse shpresat e Kosovës janë më të mëdha me emërimin e Sorensen.
“Shpresa e Kosovës është shumë më e madhe për shkak se emisari i ri, Sorensen, vjen nga vendet skandinave, Danimarka, e cila ishte ndër shtetet e para që pranoi pavarësinë e Kosovës.
Përzgjedhja e diplomatit danes ka zemëruar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, i cili lehtësisht manipulonte Lajçakun e Sllovakisë që nuk e pranon sovranitetin e Kosovës”, ka shtuar Mehazi
Gjithashtu, ai beson se procesi i dialogut të Kosovës me Serbin do të përfundojë më shpejt me Sorensen.
“Besojmë se përzgjedhja e përfaqësuesit danez, Sorensen, për dialogun, Kosovë- Serbi, do shpejtojë procesin e njohjeve reciproke të dy shteteve fqinje, Kosovë – Serbi.
Më presidenti i Serbisë, Vuçiqi, përballë kryeministrit të Kosovës, Kurtit, nuk do ketë emisarin evropian me prejardhje sllave sikurse që ishte Lajçaku, por përballë Kurtit do ta ketë përfaqësuesin danez, Sorensenin, me mentalitet të vendeve skandinave e jo sllave - ortodokse- ruse, Lajçakun. Mos harrojmë edhe këtë, se kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, e kemi dhëndurë skandinav të Norvegjisë”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.