19 vjet pa presidentin historik: Ibrahim Rugova, lideri vizionar i papërsëritshëm që i shërbeu veç Kosovës, si askush tjetër!

Politika

19 vjet pa presidentin historik: Ibrahim Rugova, lideri vizionar i papërsëritshëm që i shërbeu veç Kosovës, si askush tjetër!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 janar 2025 Në ora: 09:01
Presidenti historik i Kosovës, kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova

21 janari shënon datën kur ndërroi jetë lideri dhe Presidenti historik i Kosovës, kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova. Ishte pikërisht 21 janari i vitit 2006, dita kur kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, lideri i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot, kur po shënohen 19 vjet nga vdekja e arkitektit të Pavarësisë së shtetit të Kosovës, Rugova kujtohet si njeriu që luftoi gjithmonë për pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë, duke qenë gjithmonë në aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, publicisti Skëndër Zogaj, për gazetën “Bota sot” thekson se ishte pikërisht Ibrahim Rugova ai që mposhti me dije robërinë serbe.

Personaliteti më i veçantë i historisë shqiptare

“U bënë 19 vjet të shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ideatorit dhe arkitektit të mposhtjes së robërisë serbe dhe të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, njeriut që me dritën e mendjes dhe të përkushtimit prej kolosi, me forcën e fjalës diturore e mundi filozofinë e dhunës dhe të krimit të një regjimi të ndyrë të fundshekullit njëzet dhe e krijoi epokën e re të demokracisë moderne, duke dëshmuar se arma hekurt nuk është më e fortë se vullneti i një populli për lirinë që i takon”, shprehet Zogaj.

Image
Skëndër Zogaj

Sipas tij, vdekja e Rugovës padyshim është humbja më e madhe për Kosovën.

“Presidenti Rugova është personaliteti më i veçantë i historisë sonë, tandem me legjendarin Skënderbe, sepse atë që Skënderbeu ka bërë me shpatë, Rugova e ka bërë me laps! Prandaj, shkuarja e parakohshme e Presidentit Ibrahim Rugova në amshim, me arsye të plotë shënon humbjen e madhe dhe mungesën e pazëvendësueshme për shqiptarët. Por kjo mungesë,  njëherit është vlerë e krenarisë së përjetshme, për brezat e sotëm e të ardhshëm që, duke e kujtuar Presidentin Rugova, të duhet të kuptojnë obligimin historik që u mbetet për ta dashur dhe ruajtur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo sidomos për faktin se, Kosova edhe 25 vjet pas luftës, ende nuk i ka realizuar plotësisht objektivat e realizimit të shtetit të mirëfilltë”, thekson Zogaj.

Kur kanë kaluar 19 vite që nga vdekja e Rugovës, Zogaj thotë se pikëpamjet rugoviste janë e vetmja udhë e fitores për Kosovën.

“Mungesa e Rugovës është e dukshme në të gjitha planet politike e diplomatike, por edhe në planin zhvillimor, sepse vendi ynë pa vazhdonte të ballafaqohet me vështirësi të shumta shtetërore, me shqetësime e pakënaqësi që vërtetë janë befasuese, sepse ne që kemi kaluar një robëri të tmerrshme nuk guxojmë të harrojmë sakrificat, por duhet punuar dhe qëndruar të patundur, të bashkuar dhe syçelë që, atdheun ta kemi mbi të gjitha. Vizioni dhe projekti rugovian i bazuar në demokraci moderne pro perëndimore, pa asnjë alternativë duhet të jetë preokupimi parësor dhe objektivi strategjik, përderisa të arrijmë të jemi plotësisht të integruar bashkësinë e vendeve demokratike të aleancës euro-atlantike. Pikëpamjet e Presidentit Rugova janë të pazëvendësueshëm dhe obligative për shqiptarët, sot e nesër dhe e vetmja udhë e fitores”, përfundon publicisti Skënder Zogaj.

Rugova nuk po zëvendësohet dot

Kurse, Rexhep Shahu, analist dhe publicist thotë se Rugova bindi botën perëndimore për Kosovën.

Image
Rexhep Shahu

“Me filozofinë e tij, qendrimet, deklarimet e trimerine e tij Rugova krijoi e bindi shume miq ne politiken e diplomacine boterore, bindi edhe me skeptiket se  shqiptarët i takojnë oksidentit dhe islamizimi i tyre ka qenë me zor me kërbac e kulaq.. Ishin shinat që i vendosi shtetit të Kosovës arkitekti i saj, Rugova. Ai kishte dijen, fuqinë dhe magjinë që t’i bindte miqtë dhe bashkëbiseduesit, atij i kishte hije këmbëngulja sepse argumentet i tij ishin bindëse dhe nuk bënte biznes pushteti me bindjen e tij, pasi mund t’ia hiqnin kryet por nuk ia ndryshonin dot bindjet e qëndrimin per Kosovën”, shprehet Shahu.

Siç thotë ai, Rugova nuk polemizoi me askënd në udhën e tij, pasi rruga e tij ishte krijimi i shtetit të Kosovës.

“Nuk kishte kohë as gurë të hidhte mbi cdo lehës pasi po merrej me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Tash që nuk është fizikisht por na qëndron mbi kokat tona, njerëz të ndryshëm që kanë punuar me të në funksion të misionit të tij ndonjëherë na shfaqen si mentarë të tij. Ai nga qielIi buzëqesh e na thotë ndashtë. Njerëz që kanë frikë nga e kaluara e tyre enveriste që kanë spiunuar e përgjuar gjithë jetën e u kanë dalë kokërdhokët e syve duke vëzhguar, vuajnë që nuk ua përmendi askund asnjëherë emrin Ibrahim Rugova por i refuzoi me shpërfillje”.

Shahu shton se më shumë se e çdo individ tjetër, Ibrahim Rugova e sensibilizoi botën me realitetin e dhunës serbe në Kosovë dhe e bindi botën përkundër propagandës serbe.

“I krijoi miq Kosovës që nuk i ka patur kurrë dhe e bëri Kosovën axhendë të miqve të saj. Ibrahim Rugova nuk ka patur armiq personalë, nuk ia ka dhënë askujt kënaqësinë ta quajë armik, armiqtë e tij kanë qenë vetëm armiqtë e Kosovës.  Enveristët edhe 25 vjet pas lirisë së Kosovës vazhdojnë ta luftojnë Rugovën vetëm pse ai nuk i ka përfillë kurrë, vetëm pse ai si udhëheqës i Kosovës nuk e nderoi as për së vdekuri Enver Hoxhën te varri i tij në Tiranë. Me sjelljen, qendrimet e politikën e tij konstante, me trimërinë e pashembullt në gjithë betejat politike ai e goditi enverizmin në Kosovë. Ibrahim Rugova, njeriu, lideri vizionar i papërsëritshëm i Kosovës nuk ishte në shërbim të askujt, të asnjë individi në planet, të asnjë shteti, organizate a grupi, të asnjë miku a lideri botëror, ishte veç në shërbim të Kosovës si askush në mënyrë konstante, të qëndrueshme, të pakthyeshme”, thekson Shahu.

“Nuk hoqi dorë kurrë nga pavarësia e Kosovës për asnjë çmim. Edhe kur zotat e botës i thonin a ofronion çfarë të donte, ai me përulësi të pashembullt e stoicizëm të pashoq pohonte sikur nuk dinte fjalë tjetër, sikur i kishte harruar gjithë fjalët e tjera të gjuhëve dhe artikulonte vec fjalën pavarësi për Kosovën. Natyrisht që ishte trimëri që të mos ndryshonte kurrë asnjë germë as presje nga deklarimi i tij, kërkesë e pa ndryshueshme dhe e panegocueshme “Kosova e lirë, e pavarur, e hapur njëlloj si për Serbinë si per Shqipërinë, e integruar në BE e NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA”. Ibrahim Rugova edhe në kohën e luftës edhe në kohën e sëmundjes ishte dhe mbeti trimi më i madh i politikanëve shqiptarë sepse nuk e lëshoi Kosovën e popullin e tij, nuk iku të strehohej në vilat e Enver Hoxhës në Tiranë, nuk kërkoi azil politik askund (as ai as ministrat e qeverise së tij) se nuk ishte mi shkurresh e hajn fondesh të Kosovës në Zvicër e Gjermani si enveristët që janë gati të shkrijnë pasurinë e vjedhur vetëm t’ua ketë përmendë emrin diku Rugova. Nuk u shtri në shtrat spitali të priste vdekjen. Dha një shembull të madh guximi e trimërie. E priti vdekjen në punë, në detyrë”, shpjegon Shahu.

Sipas Shahut, betejat e lufta e Rugovës për Kosovën nuk krahasohet me askënd e asgjë.

“Ushtarët janë ushtarë, ka Kosova ushtarë lirie trima që kanë bërë beteja të jashtëzakonshme me armë, janë sakrifikuar vetë e kanë sakrifikuar familjen. Rugova nuk po zëvendësohet dot, nuk po ikën dot, nuk po e lejojnë shqiptarët e Kosovës Rugovën me ikë edhe sot e kësaj dite”, përfundon publicisti Rexhep Shahu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat