Deklarata e Hill-it për Asociacionin/ Njohësit zbërthejnë mesazhin – ja pse e përmendi përsëri një gjë të tillë!

Politika

Deklarata e Hill-it për Asociacionin/ Njohësit zbërthejnë mesazhin – ja pse e përmendi përsëri një gjë të tillë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 janar 2025 Në ora: 11:17
Albin Kurti, Christopher Hill dhe Aleksander Vuçiq

Çështja e Asociacionit bëhet gjithnjë e më e ndjeshme dhe e vështirë për t’u diskutuar për Kosovën.

Një Asociacion që mund të dëmtojë interesat e vendit nuk pritet të pranohet nga Qeveria e Kosovës, por trysnia për ta miratuar një marrëveshje të tillë po rritet vazhdimisht.

Së fundmi, Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka shprehur pritshmërinë e tij që Asociacioni i Komunave Serbe, i dakorduar para 12 vitesh, të krijohet.

Në një pyetje rreth optimizmit të tij, ai u përgjigj se është gjithmonë optimist, sepse pa këtë qëndrim, nuk mund të arrihet asnjë rezultat.

“Unë jam optimist se Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin është rënë dakord më parë rreth 12 vjet më parë, do të duhet të themelohet. Pra, po, unë do të jem optimist për këtë, por mendoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe ta mbarojnë këtë gjë, sepse nuk është e kënaqshme për momentin”, tha Hill.

I pyetur nëse administrata e ardhshme ndoshta mund të jetë më këmbëngulëse në kryerjen e punëve në Kosovë në lidhje me Asociacionin, ai u përgjigj se administrata aktuale gjithashtu u përpoq të mbështesë BE-në për t’i bërë gjërat, veçanërisht për të zbatuar atë që është rënë dakord.

Mirëpo pas zgjedhjeve të cilat do të mbahen me 9 shkurt a mund të presim hapa konkret në këtë çështje?

Burjani: Ideja dhe intenca imponuese me zor dhe forma tjera është më tepër kërkesë së realitet

Juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Asociacioni nuk do të bëhet me Kurtin, pasi sipas tij Asociacioni nuk përkon me Kushtetutën e Kosovës.

Image
Blerim Burjani

“Nuk besoj se me Kurtin do të ketë Asociacion, në Kosovë s’ka koncensus për një Asociacion etnik, gabimi më i madh u bë kërkesa për themelimin e një Asociacioni etnik. Pasi që Kosova është shtet multietnik, sipas kushteutes së saj dhe nuk mund të ketë Asociacione etnik në asnjë variant, një Asociacion etnik duhet të bëhet me Kushtetutë, e është shfrytëzuar norma kushtetuese se marrëveshjet ndërkombëtare kanë fuqi mbi Kushtetutën dhe në mënyrë automatike hyn në fuqi”, thotë juristi.

Nga ana tjetër, juristi vazhdon bisedën duke theksuar që rruga më e mirë është themelimi i Asociacioneve sipas apo bazuar në ligjin për bashkëpunim ndërkomunal.

“Por siç dihet në radhë të parë duhet kaloj drafti nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, me emër të tillë etnik nuk kalon asnjëherë, rruga më e mirë është themelimi i Asociacioneve, sipas apo bazuar në ligjin për bashkëpunim ndërkomunal. Sipas ligjit, të tillë Asociacionet e tilla nuk janë obligative dhe  nuk ka financa të garantuara por vullnetarë nëse komunat kanë projekte tek interesit të përbashkët”, shpjegon juristi.

Ndër të tjera, ai nënvizon që deklarata e Hill mund të jetë e vërtetë mirëpo duhet të sqarohen në dy segmente në radhë të parë në aspektin kushtetues dhe ligjor.

“Hill mund të kërkojë apo të shprehet por e vërteta legale është kjo që sqarova, pra kërkesa e tillë duhet sqarohet në dy segmente në radhë të parë në aspektin kushtetues dhe ligjor, dhe më pastaj politik. Ky Asociacion prek rendin kushteues , ideja dhe intenca imponuese me zor dhe forma tjera është më tepër kërkesë së realitet, administrata Trump duhet të definoj se çka don realisht me këtë Asociacion, ndryshim të renditkushtetues apo respektim të ligjit për bashkëpunim ndërkomunal sepse bëjnë pjesë në interesa të larta ekonomike”, foli Burjani për “Bota sot”.

Haziri: Deklarata e Hill është realiste

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai thotë se deklarata e Hill është realiste pasi krijimi i Asociacionit është i pashmangshëm, mirëpo shpreson që të krijohet ai që është conform opinonit të Gjykatës Kushtetuese.

Image
Nexhat Haziri

“Është deklaratë realiste e ambasadorit amerikan në Serbi, Christofer Hill sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se do të ishim më fat që ai asociacion të jetë ai para 12 viteve dhe konformë opinionit të Gjykatës Kushtetuese, e jo të ashtuquajturin “Vetmenaxhim” që del nga marrëveshja e fundit në Bruksel dhe sekuencimi i saj në Ohër për të cilat janë dakorduar Kosova dhe Serbia, e që është ligjërisht e obliguara për të dyja palët”, u shpreh ai.

Më tej, analisti vazhdon shpjegimin duke treguar anët negative që mund të ketë “Vetmenaxhimi”.

“E themë këtë pasi “Vetmenaxhimi” për të cilën është dakorduar qeveria aktuale e Kosovës dhe se ka pranuar edhe një draft-propozim të statutit, është përtej Asociacionit të komunave me shumicë serbe që del nga marrëveshja 2013 dhe 2015, është një shkallë autonomie politike e teritoriale dhe paraqet rrezik që vendin mund ta qoj drej një federalizimi”, thotë ai.

Në fund, analisti thekson që Asociacioni do të jetë në tavolinen e Qeverisë së ardhshme që del nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Pra, Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të jetë në tavolinën e Qeverisë së ardhshme që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe ta shohim se sa do të krijohen mundësitë që në të vertetë të bisedohet de të procedohet më formimin e Asociacionit të Komunave me shumisë serbe dhe jo për të ashtuquajturin “Vetmenaxhim””, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat