Të arriturat historike të Kosovës gjatë udhëheqjes së Presidentit Rugova/ Opinionisti tregon se ku gaboi LDK më pas!

Politika

Të arriturat historike të Kosovës gjatë udhëheqjes së Presidentit Rugova/ Opinionisti tregon se ku gaboi LDK më pas!

Nga: M.Haziri Më: 21 janar 2025 Në ora: 15:06
Presidenti Ibrahim Rugova

Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E në lidhje me përvjetorin e Rugovës dhe ecurinë e LDK-së pas vdekjes së tij, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur opinonisti Ali Hertica.

Ai thotë se përvjetori i 19-të nga presidenti Rugova i cili ishte udhëheqës i mençur dhe ka merita historike në shtet ndërtimin demokratik të Kosovës.

Image
Mr.Ali Hertica

Sot në përvjetorin 19 kujtojmë “Gandin e Ballkanit”, shqiptarin e madh, Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, një udhëheqës i mençur ka meritën historike në pavarësimin dhe ngritjen e shtetit demokratik të Kosovës, me orientimin e palëkundur të integrimeve në BE dhe NATO, në mirënjohje dhe koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, opinonisti përmend deklaratën e pavarësisë së 2 korrikut të vitit 1990 e deri tek parimet e presidentit Rugova që i kishte të palëkundura edhe atëherë kur ishte në presion të madh.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shume partiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

Sot e nderojmë për kontributin e tij, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për vlerat euro-atlantike që i ka vënë në skenën politike kosovare, për kontributin e tij për rendin demokratik, për perspektivën euro-atlantike, për lirinë e vendit, Presidenti i ndjerë Rugova njihet si një prej politikanëve më të shquar të Kosovës. Rugova ishte simbol i integritetit moral dhe politik. Ai qëndroi i palëkundur në parimet e tij, edhe kur presioni ishte i madh për të ndryshuar qasjen ose për të bërë lëshime të pakuptimta. Së bashku me një grup intelektualësh, ai kishte themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor të vitit 1989, për t’u vënë kështu në ballë të rezistencës paqësore, që synonte pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqi”, shpjegon Hertica.

Më pas, opnonisti përmend homazhet dhe deklaratat që sot janë bërë nga personalitet e larta të jetës politike.

Personalitetet më të larta të jetës politike e publike kanë bërë homazhe te varri i presidentit Rugova në Prishtinë, ndërkohë që janë organizuar edhe akademi përkujtimore dhe aktivitete tjera. Formula politike e Rugovës, që Kosova të jetë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe të ndërtojë miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u vlerësua si busull orientuese në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Presidentja e Kosovës, “Vizioni i tij na bën që të nderojmë dhe të kujtojmë me respektin më të madh liderin, arkitektin dhe udhëheqësin, i cili e orientoi popullin tonë dhe vendin tonë drejt vlerave properëndimore, dhe drejt miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rugova ishe njëherësh lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vlerësoj se Rugova ishte jo vetëm një prijës politik, por edhe shpirtëror i Kosovës në kohët më të vështira drejt lirisë dhe pavarësisë. Rugova ishte shpallur hero i Kosovës nga ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu”, potencon tutje ai.

Në fund, në lidhje me pozitën që pas vdekjes së presidentit Rugova ka LDK, ai thotë se elektorati ka pasur rënie pasi e njëjta nuk ka pasur prurje të reja.

Gjithashtu ai cek që nëse do të kishte prurje të reja atëherë ndoshta do të kthehej fryma neorugoviane.

Elektorati e ndëshkoi LDK-në për të gjitha ato premtime, që dolën të jenë të pavërteta, të cilat i dha nga tetori i vitit 2009. Retorika që LDK-ja po e përdor në fushatë parazgjedhore, është një retorikë e dy skajeve të ndryshme. Në të njëjtën kohë, LDK-ja po konkurronte në zgjedhje me figura të shpenzuara politikisht, të cilat edhe nuk kanë përkrahje në elektorat. Është fakt se njerëzit e kanë lëshuar LDK-në, por nuk kanë sjellë prurje të reja në këtë parti. Kështu që këto janë konsekuencat që kjo parti duhet t’i bartë, derisa i mbajti zgjedhjet e saj të brendshme, të cilat, në një mënyrë, do ta determinojnë të ardhmen dhe fatin e LDK-së ku u bë një reform dhe prurje te reja ku besojmë se gradualisht LDK do kthente ne frymën neorugoviane ku do shihet në këto zgjedhje qe do mbahen pas pak javësh.. Por LDK-ja a do ketë forcë të rikthejë peshën dhe frymën e Rugovës, kjo do të shihet me 9 shkurt e vitit 2025-të”, përfundoi Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat