Data e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë po afrohet, e me këtë edhe janë bërë më intensive fushatat zgjedhore.
Në këtë kuadër, NATO dhe Bashkimi Evropian kanë dërguar trupa shtesë në Kosovë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Së fundi, Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s bëri të ditur se ka dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë për të forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i cili tani ka afër 4.000 trupa nga 50.000 sa kishte më 1999, kur ushtarët e këtij misioni u dislokuan në vend.
KFOR-i tha se po përforcon praninë në Kosovë dhe brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”.
Kjo forcë “do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha KFOR-i.
Ky njoftim, erdhi pak ditë pasi, shefi i NATO-s, Mark Rutte shprehu shqetësime për periudhën zgjedhore në Kosovë.
Rutte deklaroi se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, që të sigurohet që të mos ketë destabilizim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Por, çfarë mesazhi jep shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë zgjedhjesh për sigurinë në vend, folën njohësit e kësaj çështje.
Dashevci: Shtimi i trupave të KFOR në Republikën e Kosovës e shoh si diçka pozitive
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
Fillimisht, rritjen e këtyre forcave e sheh si diçka shumë pozitive dhe që është në të mirë të Kosovës.
Po ashtu, tha se prezenca e trupave të shtuar së fundi nga KFOR është e përkohshme.
“Shtimi i trupave të KFOR në Republikën e Kosovës dhe atyre të BE-së si vëzhgues, e shoh si diçka pozitive dhe ndihmë për institucionet e sigurisë. Kjo është e përkohshme dhe unë mendoj që i kontribuon stabilitetit dhe paqes, pra krijimit të një mjedisi edhe më të qetë, më stabil dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, padallim që të votojnë lirshëm dbe pa probleme”, nënvizoi ai.
Tutje, eksperti vlerëson se nuk nuk rrezik për incidente, kjo për shkak të masave që kanë marrë ndërkombëtarët në koordinim me policinë e Kosovës.
“Në këtë aspekt, unë nuk shoh që ka ndonjë rrezik për incidente ose që e cenon sigurinë e brendshme të vendit, duke pasur parasysh preventivat e ndërmarra nga tre reaguesit:
1 Policia e Kosovës;
2 EULEX, si monitorues dhe mbështetës;
3.Msioni i NATO-s në Kosovë KFOR”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.
Gecaj: Mesazh për të gjithë aktorët politikë
Kurse, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj tha se për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, po ndodhin ngjarje të papritura.
Për këtë, ai vlerësoi se shtimi i forcave të KFOR në vendin tonë mund të interpretohet në disa mënyra.
“Gjatë vitit 2024 dhe në këtë fillimvit 2025 po ndodhin zhvillime të shpejta të ngjarjeve deri diku të papritura dhe të paparashikuara në kohë, si rezultat i zhvillimeve të reja politike në Kosovë dhe Serbi. Në Serbi ka një qeveri dhe president i cili është nën trysninë e protestave të studentëve dhe si rrjedhojë ka nevojë për tërheqjen e vëmendjes kah Kosova si çështje e ndjeshme emocionale e politike.
Pjesëmarrja e një numri të lartë të trupave ndërkombëtare dhe vëzhguesve në procesin zgjedhor në Kosovë, siç janë ushtarët italianë të KFOR-it dhe vëzhguesit e BE-së, mund të interpretohet në disa mënyra, duke marrë parasysh dinamikën e brendshme dhe kontekstin më të gjerë politik e të sigurisë në Kosovë”, theksoi ai.
Fillimisht, Gecaj përmendi dy arsyjet e para, e që janë parandalimi i incidenteve dhe pasha që kanë zgjedhje e reja në kontekstin politik, e të cilat i shtjelloi si më poshtë.
“1. Parandalimi i incidenteve të mundshme
Pjesëmarrja e tyre mund të jetë një masë parandaluese për të siguruar një mjedis të qetë gjatë zgjedhjeve, duke synuar të shmangin tensionet që mund të ndodhin në situata të ndjeshme politike si zgjedhjet. Në të kaluarën, veçanërisht në rajonet me ndasi etnike, ka pasur raste të tensioneve apo incidenteve, kështu që prania e forcave ndërkombëtare rrit ndjenjën e sigurisë për qytetarët dhe garanton se çdo incident potencial do të menaxhohet shpejt dhe me profesionalizëm.
2. Pesha e zgjedhjeve në kontekstin politik
Këto zgjedhje mund të kenë rëndësi të madhe për të ardhmen politike të Kosovës, duke përfshirë sfida si:
• Çështja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
• Zhvillimet e brendshme politike që lidhen me integritetin institucional dhe përfaqësimin e të gjitha komuniteteve.
• Rëndësia e stabilitetit për të mos rrezikuar partneritetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Prandaj, përfshirja e ndërkombëtarëve është një tregues se këto zgjedhje shihen si një pikë kyçe për stabilitetin e Kosovës”, shpejgoi ai.
Më tej, eksperti tregoi edhe disa prapvija tjera, e në të cilat vuri theksin e rëndësisë së ndërkombëtarëve dhe përgjegjëisë që kanë për Kosovën.
“3. Mesazh për të gjithë aktorët politikë
Prania e trupave dhe vëzhguesve ndërkombëtarë është gjithashtu një mesazh për partitë politike dhe grupet e interesit, duke i paralajmëruar se ndërkombëtarët po i ndjekin me kujdes zhvillimet dhe se nuk do të tolerohen përpjekje për manipulime apo provokime gjatë procesit zgjedhor.
4. Përgjegjësia ndërkombëtare në Kosovë
Kosova mbetet një vend ku komuniteti ndërkombëtar ka një rol aktiv, qoftë përmes KFOR-it, EULEX-it, apo misioneve të tjera ndërkombëtare. Angazhimi i tyre në këtë rast nuk është vetëm për sigurinë, por edhe për të garantuar standardet demokratike të zgjedhjeve, duke ruajtur besueshmërinë e institucioneve të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Po ashtu, tregoi nëse ka mundësi për incidente të reja, marrë parasysh gjithë zhvillimet që po ndodhin.
“5. A ka rrezik për incidente?
Pavarësisht përgatitjeve, tensionet etnike dhe politike në Kosovë vazhdojnë të jenë një faktor rreziku, veçanërisht në zonat e ndjeshme si veriu i Kosovës. Pjesëmarrja e KFOR-it dhe vëzhguesve është një mënyrë për të adresuar këto sfida, por ajo nuk nënkupton domosdoshmërisht se priten incidente të mëdha. Thjesht, është një qasje proaktive për të parandaluar çdo destabilitet potencial”
Në fund, eksperti prezencën e shtuar të faktorit ndërkombëtar e cilësoi si përpjekje për të sigruara zgjedhje transparente dhe për të ofruara atmosferë të paqes.
“Në përgjithësi, prania e lartë e ndërkombëtarëve në këtë proces duhet parë si një përpjekje për të siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në një atmosferë paqësore dhe transparente. Kjo nuk është domosdoshmërisht tregues i rrezikut të menjëhershëm, por një masë që reflekton rëndësinë e stabilitetit dhe angazhimin e vazhdueshëm ndërkombëtar në Kosovë. Një proces zgjedhor i qetë dhe i drejtë do të ishte një hap pozitiv përpara për Kosovën, si brenda vendit ashtu edhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.