“Në LDK bëhen përpjekje që figura e tij të eliminohet”, ish- deputeti jep ‘deklaratë befasuese’: Ja kush zbehu figurën e Rugovës

Politika

“Në LDK bëhen përpjekje që figura e tij të eliminohet”, ish- deputeti jep ‘deklaratë befasuese’: Ja kush zbehu figurën e Rugovës

Nga: N.E Më: 21 janar 2025 Në ora: 21:09
Ibrahim Rugova

21 janari shënon ditën kur ka vdekur presidenti historik Ibrahim Rugova. Rugova i cili ka ndërruar jetë para 19 vjetëve është kujtuar dhe te varri i tij nuk kanë munguar edhe homazhet.

Fillimisht presidentja aktuale, Vjosa Osmani, dhe diplomatët e huaj në Kosovë kanë bërë homazhe dhe nderime te varri i Rugovës, në lagjen Velania në Prishtinë.

Në mesin e pjesëmarrësve në këtë ceremoni ishin e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, amabasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, dhe ambasadorë të tjerë të huaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e quajti Rugovën “atin themeltar të shtetit tonë” pasi tha se ai kishte dhënë “kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë”.

“Presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës rreth kauzës për liri, pavrësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë edhe zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të rëndësishme që na u deshën më së shumti në ato kohë të vështira”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, fillimisht ka kujtuar Rugovën përmes një shkrimi, pastaj ka shkuar te familja Rugova, për të vazhduar pastaj në një përurim të librit për presidentin historik.

Por, sa është ruajtur fryma rugoviane në LDK dhe sa kanë ndikuar zgjedhjet e 14 shkurtit që LDK të përpiqet ta ndryshojë këtë frymë, ka folur për “Bota sot” ish- deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Sipas tij, vetë kryetarët e LDK-së, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa e kanë zbehur shumë figurën e Rugovës.

Lumir Abdixhiku u mundua ta eleminojë fare, thotë Salihaj, gjersa shton se VV për një periudhë e trajtoi si figurë armiqësore, ndërsa PDK figurë partiake.

“Pas vdekjes së presidentit Rugova, vetë kryetarët e LDK-së Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa e zbehën shumë dhe e lanë pas dore figurën e tij, duke e lënë dukshëm nën hijen e Hashim Thaçit, për të kulmuar me Lumir Abdixhikun, i cili u mundua ta eliminojë fare, duke larguar edhe foton e tij nga sfondi. Edhe Vetëvendosja një periudhë të gjatë e trajtoi si figurë armiqësore. PDK përherë u mundua ta trajtojë figurën e tij si figurë partiake, jo shtetërore. Kjo ka qenë dhe është qasje shumë e gabueshme ndaj figurës, pa të cilën nuk mund të imagjinohet liria dhe pavarësia e Kosovës”, shprehet Salihaj.

Image
Adem Salihaj

LDK-ja e sotme, sipas Salihajt, sillet me përbuzje ndaj figurës së presidentit Rugova.

Ai shton se bëhen përpjekje që figura e tij të eliminohet.

“Vetë LDK-ja e sotme sillet me përbuzje ndaj figurës së presidentit Rugova, deri në karikaturim të saj, duke e përdorur figurën e tij vetëm si imazh artistik, e jo historik. Nuk duhet përjashtuar mundësinë që do të bëhen përpjekje që figura e tij të eleminohet në tërësi, me qëllim që "lideri" i ri i LDK-së të mos mbetet nën hijen e tij, po të dalë si figurë "madhore" e partisë. Kjo nuk është e keqe vetëm për LDK-në, kjo është e keqe për vetë Kosovën”, shton ish- deputeti.

Rugova kishte shërbyer si president i parë i Kosovës dhe ishte lider i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe njihet për rolin e tij në lëvizjen paqësore për pavarësinë e Kosovës nga Serbia gjatë viteve të 90-ta.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat tjera politike shqiptare në Kosovë, më 2 korrik të vitit 1990 kishte shpallur Kosovën Republikë dhe më 7 shtator të po të njëjtit vit kishte miratuar edhe Kushtetutën e saj.

Në Kosovën e para luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet presidenciale, që nuk janë njohur ndërkombëtarisht, të cilat janë mbajtur më 24 maj të vitit 1992 dhe më 22 mars të vitit 1998.

Më vonë, Rugova fitoi edhe në dy garat e përgjishme zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës.

Më 27 gusht të vitit 2005, Rugova kishte udhëtuar për në spitalin ushtarak në bazën amerikane në Landstuhl të Gjermanisë dhe qëndroi aty deri më 3 shtator për trajtim mjekësor. Dy ditë më vonë, më 5 shtator të vitit 2005, presidenti i Kosovës, Ibrahim njoftoi se vuan nga kanceri në mushkëri.

Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat