Presidenti historik i Kosovës dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006.
Vdekja e tij la shumë boshllëk në skenën politike, e mbarëkombëtare. Ai shquhej për virtytet si njeri i urtë, i drejtpërdrejtë dhe i nderuar nga të gjithë.
Ai edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë shëmbëlltyrë e kombit shqiptar.
Profesori Jeton Kelmendi në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot” është shprehur se figura e presidentit Rugova vështirë se mund të zëvendësohet.
“Figura e presidentit Rugova sado vite që shkojnë, vjen dhe bëhet më reale, ashtu siç ka qenë dhe ndikimi i tij, pa zëvendësueshëm prej një lideri përmasave historike për shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe dorën zemër për shqiptarët si komb në përgjithësi është një figurë vështirë se mund të zëvendësohet së paku në këto dekada të ardhshme.Ibrahim Rugova krijoi mendësinë e një populli të urtë, pra duke qenë vet urtak. Krijoi këtë koncept para botës, sepse solli një koncept në një vend të trazuar, gjithmonë njohur për fuqi, baruti dhe luftëra, krime”, ka thënë ai.
Më tej, profesori e quan fatkeqësi që presidenti Rugova nuk e mori çmimin Nobel për Paqe.
“Dhe ai solli konceptin e paqes. Koncepti i paqes është koncepti më i rëndësishëm që njeh historia njerëzore.
Prandaj është fatkeqësi, sepse ai nuk mori çmimin Nobel për Paqe, sigurisht duke qenë edhe popull i vogël, nuk e pati fatin që ta përjetojë këtë”, është shprehur ai.
Gjithashtu, ai ka theksuar se presidenti Rugova është themeltari i shtetit të Dardanisë.
“Tjetra që mendoj unë është fatkeqësi, sepse ai nuk e mbërriti edhe njohjen siç e quante vetë formale, të Kosovës. Sepse ai e projektoi, ai është themeltari i shtetit të Dardanisë dhe sigurisht se vdiq herët, sepse Kosova do të ishte pa më të voglën dilemë, shumë më mirë, se ç'është sot dhe do të ishte më e avancuar, ndoshta mund të ishte ndoshta edhe anëtare e Bashkimit Evropian, sepse vizionet e tij, miqësia që krijoi, qoftë me Bashkimin Evropian, vendet me më ndikim, personalitetet me më ndikim në Evropë e me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht se do të ishin edhe një dritë për kombin shqiptar dhe për Kosovën në veçanti”, ka thënë Kelmendi.
Tutje, profesori është shprehur se Rugova u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë duhet të bëjnë nderime tek varri i tij.
“Tani te nëntëmbëdhjetë vjetor, ne nuk duhet të bëhemi të vegjël dhe të themi se është ky ose është ai. Rugova u takon të gjithë shqiptarëve dhe është mirë që të gjithë shqiptarët shkojnë dhe i bëjnë nderimet tek varri i tij”, thënë ai.
Në fund, profesori ka pohuar se trashëgimtar politik të Rugovës janë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe askush tjetër
“Është e papranueshme të mendohet të ketë dikush patronat mbi figurën e Rugovës, natyrisht politikisht është partia që e ka lënë ai, pavarësisht mund të ketë mospajtim edhe në aspektin juridik edhe moral edhe politik. Trashëgimtar politik të Rugovës janë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe askush tjetër. Por Rugova i tejkalon përmasat e një partie politike e një lëvizjeje. Është figurë me përmasa gjithëkombëtare. Pra, ashtu siç është edhe figura të tjera, si e Ismail Qemalit, sigurisht i padiskutueshmi dhe kryeheroi Gjergj Kastrioti, heroi gjithëkombëtar, Adem Jashari. Dhe kështu pra, në figura i takon thjesht në hyn në panteonin e figurave më të ndritshme të kombit”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.