Pranë finalizimit të marrëveshjes/ Çfarë paralajmërohet nëse Peter Sorensen e zëvendëson Lajçakun?

Politika

Pranë finalizimit të marrëveshjes/ Çfarë paralajmërohet nëse Peter Sorensen e zëvendëson Lajçakun?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 22 janar 2025 Në ora: 15:09
Peter Sorensen

Ende nuk dihet nëse diplomati danez Peter Sorensen do të jetë përfaqësuesi i posaçëm nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Por, një gjë është e sigurt mandati i përfaqësuesit special Miroslav Lajçak përfundon në fund të këtij muaji.

Pra, kanë mbetur edhe pak ditë, derisa të dihet përfundimisht se kush do ta pasojë Lajçakun.

Siç është raportuar ditëve të fundit, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tashmë i ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian emrin e Sorensen-it.

Por, cilat janë pritshmëritë për Sorensen-in? A do t`i ndjekë ai hapat e njëjtë, sikurse Lajçaku?

Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, diplomati danez Peter Sorensen do të jetë më i paanshëm se Lajçaku. Po ashtu, mendohet se nëse vjen Sorensen në rolin e përfaqësuesit të BE-së për dialog, finalizimi i këtij të fundit do të vijë brenda disa muajve.

Qarri: Do të ketë finalizim të marrëveshjes

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot” ka folur për punën e Lajçakut gjatë mandatit të tij 5 vjeçar si udhëheqës i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe Lajçaku ka krijuar acarime më të mëdha ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.   

“Pas gati 5 vitesh të qëndrimit të Mirosllav Lajçakut, në pozitën e ndërmjetësuesit të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, përkundër premtimeve për arritjen brenda disa muajsh të marrëveshjes finale, raportet ndërmjet të dy vendeve nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë më të paqëndrueshme, gjë që ka bërë, jo vetëm të bllokohej për kohë të gjatë dialogu, por edhe i gjithë procesi i rifillimit të tij, të mbetet në gjendje shumë të paqartë.

Madje megjithëse emërimi si i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, i ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajçak, ishte plot pritje e premtime, dhe vet BE proklamonte me pompozitet se “për herë të parë" kishte përzgjedhur një politikan të kalibrit më të lartë për ndërmjetësimin e bisedimeve, i cili edhe vet "siguronte" se me ndërmjetësimin e tij, brenda dy-tre muajsh do të arrihej marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për të dy vendet, Lajçak po ik, pasi krijoi acarimet më të mëdha ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ai.

Tutje, ai e ka mirëpritur vendimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

“Ndaj tanimë kur mandati i z. Lajçak, është në prag të përfundimit, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka bërë mirë, pasi ka vendosur që diplomati me përvojë nga Danimarka, Peter Sorensen, i cili vije nga një vend që ndër të parat ka njohur shtetin e Kosovës, të jetë emisar i ri i posaçëm i BE-së për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”, ka pohuar ai.

Gjithashtu, Qarri ka treguar se çfarë ka ndodhur me dialogun, dhe si u përkeqësuan gjërat gjatë asaj kohe.

“Dhe duke qenë se në vend të “marrëveshjes gjithëpërfshirëse” u arrit vetëm një dakordim i ashtuquajtur "për rrugën drejt normalizimit”, i cili as si i tillë nuk u nënshkrua nga palët, ngase Serbia refuzoi nënshkrimin e tij dhe aneksit të Ohrit për implementimin e marrëveshjes, madje sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, duke mos u ndëshkuar dhe pasur në krah edhe ndërmjetësuesit e BE-së si dhe emisarin kubanezo-amerikan Gabriel Eskobar, në dhjetorë të vitit 2023 Serbia me letrën e dërguar nga ish kryeministrja Ana Bernabiq BE-së në Bruksel edhe zyrtarisht deklaroi se nuk e pranon marrëveshjen e dakorduar dhe se nuk do t`i zbatojë pjesët që asaj nuk i konvenojnë, por ajo sot e atëherë, nuk u ndëshkua , madje përkundrazi masat shtrënguese, BE i vendosi në mënyrë të njëanshme kundër Kosovës!”, ka theksuar ai.

Po ashtu, analisti politik, shpreson se Kallas dhe Sorensen do të jenë të paanshëm dhe më të drejtë kur pritet edhe të finalizohet marrëveshje mes dy shteteve.

“Andaj duke qenë se, si zonja Kaja Kallas ashtu edhe z. Sorensen, që të dy vijnë nga vendet e BE-së që e kanë njohur shtetin e Kosovës, edhe nëse nuk e mbështesin Kosovën në bisedime, ata të paktën shpresojmë se do të jenë të paanshëm e më të drejtë se paraardhësit e tyre dhe me përzgjedhjet e reja, pritshmëritë, përveçse janë më të mëdha edhe do të jetësohen, dhe finalizohet marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke ndërmjet të dy vendeve, pa dëmtimin e rregullimit të brendshëm shtetëror të vendit tonë me “zajednica” e “republika srpska” dhe garantimin e vijimësisë së shtetësisë së Kosovës me pranimin e saj si shtet me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka përfunduar Qarri.

Duhanaj: Sorensen duhet të jetë më i favorshëm për Kosovën

Image
Leon Duhanaj

Në anën tjetër, gjatë një bashkëbisedimi me njohësin e çështjeve politike, Leon Duhanaj është shprehur se do të ketë një ridefinim të dialogut.

“Për sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, duhet thënë se pas një katërvjeçari dështimesh dhe kthimi mbrapa, duhet të ketë një ridefinim, gjegjësisht riformatim. Përveç që kemi ndryshime në kuadër të BE-së, me emërimin e ri z. Peter Sorensen, kemi edhe ndryshime në administratën amerikane, ndryshime të cilat do të jenë vendimtare në zhvillimet e mëtejshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, Sorensen do të jetë më i favorshëm për vendin tonë se sa Laiçak dhe se çelësi i suksesit apo mossuksesit varet edhe nga qeveria e re e Kosovës.

“Gjithsesi që z. Sorensen duhet të jetë më i favorshëm për Kosovën se sa që ishte z. Laiçak. Por, çelësi i suksesit apo i mossuksesit, do të varet nga Qeveria e ardhshme e Kosovës. Një qeveri e aftë në Kosovë, do të ketë mundësi rikuperimi të gjendjes së degraduar nga Qeveria Kurti. Prandaj është tejet e rëndësishme që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga parti, njerëz profesionistë dhe me kredibilitet moral, profesional dhe kombëtar. Do të ishte fatale për Kosovën nëse pas 9 shkurtin do vazhdonim me Kurtin, një nihilist i papërmbajtshëm, i pandërgjegjshëm, dhe i paaftë. Puna e të cilit e ka kthyer Kosovës me vite mbrapa”, është shprehur ai.

Në fund, Duhanaj është shprehur se vetë BE është e varur nga qasja e Administratës Trump në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet ta kemi parasysh, se edhe vetë BE është e varur nga qasja e Administratës Trump në këtë çështje, prandaj është me rëndësi që Kosova të ketë politikan dhe qeveri të pranueshme, të afërt dhe të aftë të diskutojë me Qeverinë Trump”, ka përfunduar Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat