Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka dhënë komentin e tij rreth situatës politike të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe lidhjet e saj të thella me të kaluarën dhe ish-liderët e saj.
Bajraj i është referuar ndikimeve dhe “marionetave” politike që drejtojnë PDK-në, duke e lidhur këtë me ndikimet e jashtme dhe vendimet që vijnë nga Haga.
Sipas Bajrajt, padronët e vërtetë të PDK-së janë në Hagë, dhe marionetat në Prishtinë.
"Peshqit n'deti, ferterja n'zjerm!" I tillë është kredibiliteti dhe fuqia politike në PDK, e Bedri Hamzës, kandidat i nominuar nga kjo parti për kryeministër të Kosovës, madje i tillë është edhe kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi! Memli nuk u zgjodh, u katapultua!
Memli erdhi në krye të PDK-së përmes një procesi jodemokratik, nga një kuvend farsë, pa kundërkandidat, pa garë dhe pa transparencë, një tubim ku iu bë amini vendimit të transferuar nga Haga, pra nga ata që tërheqin penjtë në PDK, të cilët janë në bankën e zezë të Dhomave të Specializuara të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.”
Analisti ka thënë se Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër e emëruan, Thaçi e Veseli, e jo organet e partisë!
“Edhe Bedri Hamza kaloi t’njëjtin "filtër", ose më thjesht thënë; u emërua nga Thaçi e Veseli, dhe u kumtua si vendim i organeve të partisë, të cilat nuk e pyet njeri, sepse aty janë për të zbatuar urdhëra dhe jo për të marrë vendime!” shprehet ai.
Sipas tij, në një rast të rikthimit të Thaçit e Veselit nga Haga, Memli Krasniqi e Bedri Hamza nuk dihet se ku do të përfundonin.
“Hipotetikisht, nëse PDK fiton zgjedhjet nacionale dhe drejton Qeverinë e Kosovës, dhe pas 6 muajve, Thaçi e Veseli shpallen të pafajshëm nga DHS të Kosovës me seli në Hagë dhe kthehen në Kosovë, shtrohet pyetja: çfarë ndodh në PDK dhe në Qeverinë e Kosovës?
Përgjigja logjike është kjo:
Spostimi në afat rekord: Të liruarit e Hagës në krye të PDK-së dhe Qeverisë, derisa për Memlin dhe Bedriun, një dreq e di se ku përfundojnë, por unë nuk e kam idenë”, shprehet ai.
A ka PDK-ja dhe kandidati saj Bedri Hamza program qeverisës?
Sipas analistit Fatmir Bajraj, absolutisht JO, dhe ja arsyet:
“Bedri Hamza është katapultuar vonë, dhe as PDK-ja dhe as Bedriu nuk janë marrë fare seriozisht me ndonjë program qeverisës, madje as Bedri Hamza personalisht, por as e gjithë PDK-ja nuk ka potencial dhe kapacitete intelektuale dhe profesionale për një angazhim dhe punë të tillë shkencore dhe ekzakte. Pra, edhe sikur të kishin vullnet, nuk do t’ia dilnin dot, kur kihet parasysh se në subjektin e tyre nuk kanë asnjë Dr. të Shkencave të Ekonomisë, pa t'keqen edhe të Bedriut”, ka nënvizuar ai.
Bajraj e ka konsideruar si “Fontanë dëshirash” programin e PDK-sëm derisa slogani “Kosova mundet më mirë” sipas tij është më i përafërt me Kurtin sesa me Lumirin e LDK-s.ë
“E çfarë përmban oferta e tyre?
Një manual 20-30 faqesh, si manifest i "gjëja" nevojave dhe kërkesave të qytetarëve, mbledhura rrugës, por pa asnjë ekspertizë sektoriale dhe shqyrtim shkencor-akademik, thjesht një fontanë dëshirash sa për të fituar vota, njësoj siç vepronte lideri i tyre real, tani në Hagë, Hashim Thaçi.
Kur thua: "Kosova mund të bëjë më mirë", a i bie se nuk është edhe keq, pra a i bie kjo se ky slogan është më i përafërt me Kurtin sesa me Lumirin?
Meqë aludimi çon në përgjigje pozitive, atëherë pason dilema: Pse sloganin i PDK-së përkëdhel qeverisjen e Kurtit? Pra, nuk është për ndryshim, por për përmirësim?
A mund të jetë kjo e paqellimshme?
Unë them, JO!”, ka nënvizuar ai.
Nisur nga kjo, Bajraj ka aludua edhe për një bashkëqeverisje të mundshme ndërmjet PDK-së dhe VV-së në të ardhmen.
“Ku fshihet lepuri këtu?
Liderëve real dhe jo atyre surrogate u duhet me çdo kusht dhe me çdo çmim pushteti për shpëtimin e lëkurës së tyre, andaj janë dakord, madje ndoshta edhe dakorduar për bashkëqeverisje me Kurtin, e cila u duhet sikur peshkut uji dhe neve frymëmarrja.
P.S
Edhe Kurti, edhe Thaçi, e kanë jo vetëm obsesion, por edhe nevojë imediate pushtetin, dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me kë do, madje edhe të kolaborojnë me armikun, siç kemi rastin e fundit të Kurtit me Radojçiçin, dhe më herët të Thaçi me Vuçiçin.
Të tillët janë të dëmshëm dhe të rrezikshëm për fatin dhe të ardhmen e vendit”, ka përfunduar ai.