Ish- truproja i Ibrahim Rugovës ‘jep detaje’/ Ja çka e zbehu frymën rugoviane në LDK

Politika

Ish- truproja i Ibrahim Rugovës ‘jep detaje’/ Ja çka e zbehu frymën rugoviane në LDK

Nga: N.E Më: 22 janar 2025 Në ora: 17:59
Ibrahim Rugova dhe Adnan Merovci

E mërkurja e 21 janarit shënon ditën e vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Rugova ka vdekur në moshën 62 vjeçare, ndërsa nderime për figurën e tij vazhdojnë edhe 19 vjet pas vdekjes së tij.

Bashkëpunëtori i tij më i afërt dhe ish- truproja i tij, Adnan Merovci, thotë se edhe 19 vjet pas shuarjes së tij, ai mbetet motiv dhe udhërrëfimi i tij.

Ai tregon edhe moton e Rugovës që gjen zbatueshmëri edhe tani.

“Dijetari Ibrahim RUGOVA edhe 19 vjet pas shkuarjes në amshim, mbetet motivi dhe udhërrëfimi im dhe i shumë të tjerëve se si duhet forcuar demokracinë. Kjo sepse motoja e tij “Liri-Pavarësi-Demokraci” tani gjen zbatueshmëri në këtë të fundit Demokraci-në e cila çdoherë mbetet për t’u dëshiruar. Demokracia e “Stupcin” te dera, thoshte Dijetari RUGOVA duke menduar “stupcin” si sundim të ligjit!”, shprehet Merovci për “Bota sot”.

Ai konsideron se fryma rugoviane si filozofi nuk do të shuhet kurrë, gjersa shton se ajo edhe sot e kësaj dite ka arritur të realizojë transformimin e gjeneratave.

“Fryma rugoviane është filozofi që nuk shuhet kurrë. Ajo është unike dhe antologjike. Kjo frymë do të jetë shtegu orientues i forcimit të shtetit të Kosovës. LDK-së natyrshëm i bie që vlerat e kësaj fryme t’i ruaj dhe kultivoj në të ardhmen. Ajo sot ka arritur të realizoj transformimin e gjeneratave si asnjë parti tjetër në rajon. Kjo d.m.th se ajo është në frymën rugoviane sado që viteve të fundit u sfidua duke mbetur në shifra zgjedhore të vogla”, thekson ish- bashkëpunëtori.

Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është marrë që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

LDK pas vdekjes së Rugovës, vazhdonte të ishte parti në pushtet deri në zgjedhjet e fundit të 2021, ku pësoi rënien më të madhe duke u renditur e treta në nivel vendi.

Merovci thotë se ngjarjet brenda LDK-së nga zgjedhjet e kaluara, rezultati dhe largimi i Vjosa Osmanit normalisht që kanë ndikuar në rudhjen e rezultatit zgjedhor.

Por, ai shton se krerët e LDK-së duhet të kuptojnë se vetëm fryma rugoviane paraprinë rezultatet e dëshirueshme.

“Ngjarjet brenda LDK-së nga zgjedhjet e kaluara, rezultati dhe lëvizjet e eksponentëve si znj. OSMANI etj., normalisht që kanë ndikuar në rudhjen e rezultatit zgjedhor, por kjo nuk d.m.th që tani dhe në të ardhmen nuk janë shndërruar në sfida që kanë bërë që krerët e LDK-së të kuptojnë se vetëm fryma rugoviane e tolerancës, konsistencës dhe besueshmërisë është vlera e cila i paraprinë për rezultate të dëshirueshme”, përfundon Merovci.

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat