Zyrtari i LDK-së flet për ‘amanetin’ e Rugovës për Kosovën!

Politika

Zyrtari i LDK-së flet për ‘amanetin’ e Rugovës për Kosovën!

Nga: A.M. Më: 22 janar 2025 Në ora: 21:53
Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova

U bën 19 vite prej ndarjes nga jeta e presidentit historik të Kosovës dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Pas kaq vite, vizionet e tij politike vazhdojnë të mbizotrojnë edhe sot. 

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish ministri dhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani ka thënë se personaliteti i Presidentit Rugova ishte gërshetim i një prijësi, intelektuali, vizionari dhe  burrështetasi të papërsëritshëm.

“Kujtimi për Presidentin Ibrahim Rugova është kujtimi për pjesën më të ndritshme të historisë së Kosovë.

 Të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe bashkëpunojnë me të, me pajtueshmëri absolute pajtohen se personaliteti i tij ishte gërshetim i një prijësi, intelektuali, vizionari dhe burrështetasi të papërsëritshëm, zë i qetë gjithmonë, por kumbues kur duhej, zemërgjerë e mirënjohës me miqë, dhe i pakompromis dhe qëndrestar me armiqtë”, është shprehur Rrahimi.

Ish ministri i LDK-së ka treguar se çfarë nuk do të mund ta dërgonte në vend amanetin e presidentit Rugova.

“Presidenti Rugova, Ati themeltar i shtetit të Kosovës, me thirrjen e tij për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, ndriçoj rrugën se ka duhet të shkojë Kosova dhe çka duhet të synojë në procesin e zhvillimit të saj.

Sot, kur ne kujtojmë ikjen e tij në amshim, jemi gjithnjë e më shumë të bindur se çdo devijim nga zhvillimi i një sistemi të mirëfilltë demokratik, Kosovën do të ta çojë drejtë dështimit në synimet e saj për integrimeve euroatlantike, dhe nuk do të plotësojë amanetin e Presidentit.

 Sot, kur vendi nga politikan të papërgjegjshëm, është zhytur në ndasi të mëdha dhe polarizime të panevojshme, deri në rrezikimin e marrëdhënieve me vendet mike, mungesa e një politikani siç ishte Presidenti Rugova bëhet edhe më e madhe”, ka pohuar ai.

Në fund, ai ka shpjeguar se çfarë po pranojnë tani edhe kundërshtarët e dikurshëm politik të Presidentit Rugova dhe rugovizmit.

“Jo vetëm rugovistët (LDK- istët), por edhe kundërshtarët e dikurshëm politik të Presidentit Rugova dhe rugovizmit, po e pranojnë se është imperativ e kohës kthimi i Lidhjes Demokratike në udhëheqjen e vendit, e me këtë edhe kthimit të normalitetit si në planin e brendshëm ashtu edhe në relacionet me miqtë e partnerët strategjik të vendit tonë.

Dhe e fundit, udhëheqja e tanishme e Lidhjes Demokratike, trashëgimisë politike të Presidentit, po dëshmon se uniteti i krijuar brenda partiak, pas 9 shkurtit do të shndërrohet në unitet shtetëror dhe bashkërendues me aleatët!”, ka përfunduar Rrahmani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat