Largimi i kamerave ilegale të Serbisë në Leposaviq/ Zbardhen prapaskenat e këtij veprimi: U tentua që të…!

Politika

Largimi i kamerave ilegale të Serbisë në Leposaviq/ Zbardhen prapaskenat e këtij veprimi: U tentua që të…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 janar 2025 Në ora: 10:01
Foto ilustrim

Veprimet destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës sa po shkojnë e po bëhen më të shpeshta.

Së fundmi, Policia e Kosovës ka larguar një kamerë e cila ilegalisht ishte vendosur në Leposaviq.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, konfirmoi rastin duke thënë se kamera monitoronte pjesën publike respektivisht magjistralen Mitrovicë-Leposaviq

“Të hënën në Leposaviq, Policia ka larguar një kamerë e cila e monitoronte pjesën publike respektivisht magjistralen Mitrovicë-Leposaviq.

Pas konsultimit me Prokuror është hap rast incizim i paautorizuar. Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa kjo është kamera e tretë e maskuar e larguar që monitoronte vendet publike”, theksoi ai.

Tutje, ai shtoi se dy kamerat tjera ilegale kanë qenë në Mitrovicë të veriut, e që po ashtu janë larguar në vitin e kaluar.

E reagimet qenë të mëdha pas këtij rasti pasi po vërtetohet edhe njëherë dëshira që Serbia në një mënyrë apo tjetër po mundohet të jetë në dijeni të çështjeve të brendshme të Kosovës.

Shala: Kjo lëvizje mund të komentohet si një tentativë për të monitoruar dhe kontrolluar zhvillimet në një zonë strategjike të Kosovës

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai thotë se këto veprime të Serbisë janë një shkelje serioze e sovranitetit të Kosovës dhe janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të ndikimit dhe kontrollit në rajon.

“Veprimet si këto të Serbisë përmes përdorimit të kamerave të fshehta janë një shkelje serioze të sovranitetit të Kosovës dhe një tentativë për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit.

 Ato janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të ndikimit dhe kontrollit në rajon, që shpesh shfaqet përmes aktiviteteve të paautorizuara, përfshirë shkeljen e privatësisë dhe sigurisë”, u shpreh ai.

Eksperti më tej thotë që nga Serbia, një veprim i tillë mund të shihet si një mundësi për të ruajtur ndikimin në një territor që ata ende e konsiderojnë të lidhur me ta.

“Kjo lëvizje mund të komentohet si një tentativë për të monitoruar dhe kontrolluar zhvillimet në një zonë strategjike të Kosovës. Nga Serbia, një veprim i tillë mund të shihet si një mundësi për të ruajtur ndikimin në një territor që ata ende e konsiderojnë të lidhur me ta, ndonëse kjo është e papranueshme për autoritetet e Kosovës”, thotë eksperti.

Tutje, ai nënvizon që mbi të gjitha këto veprime janë shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Në përgjithësi, këto veprime përbëjnë një shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe një përpjekje për të destabilizuar paqen dhe sigurinë në rajon. Pasojat mund të jenë të rënda, sepse ndihmojnë në krijimin e një ambienti të pasigurisë dhe tensioneve”, foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.

Gashi: Është detyrë e institucioneve tona që të sigurojnë respektimin e ligjit dhe të mbrojnë integritetin territorial të Kosovës

Image
Eduard Gashi

Ndërsa analisti Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, i konsideron veprimet e Serbisë të papranueshme, duke i kërkuar të njëjtës të reflektojë mbi historinë e saj dhe të shmangë ndjekjen e politikave nacionaliste dhe destruktive.

“Veprimet e fundit të Serbisë, si vendosja e kamerave ilegale në territorin e Kosovës, përbëjnë ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të një shteti sovran. Këto veprime nuk i përshtaten një shteti që aspiron të jetë demokratik dhe në paqe me fqinjët e tij.

Serbia duhet të reflektojë mbi historinë e saj dhe të shmangë ndjekjen e politikave nacionaliste dhe destruktive që, në të kaluarën, e kanë çuar vendin drejt izolimit dhe humbjeve të mëdha. Për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj dhe për rajonin, është thelbësore që Serbia të angazhohet në dialog konstruktiv dhe të respektojë sovranitetin e vendeve fqinje”, thotë ai.

Analisti në bised e sipër kërkon nga ndërkombëtarët që të dënojnë Serbinë për këto veprime pasi po cenojnë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojë këto veprime destabilizuese dhe të inkurajojë Serbinë të ndjekë rrugën e bashkëpunimit dhe respektit reciprok, duke kontribuar kështu në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, shpjegon tutje analisti.

Gashi duke vazhduar e sheh hap të rëndësishëm veprimin e Policisë së Kosovës, pasi veprimet e tilla të fshehta nga Serbia janë të papranuara.

“Heqja e kamerave ilegale nga Policia e Kosovës është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit tonë. Këto veprime të Serbisë, që synojnë të monitorojnë dhe ndikojnë në çështjet e brendshme të Kosovës, janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal

Serbia, përmes strukturave ilegale dhe veprimeve të fshehta, vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, duke minuar përpjekjet për paqe dhe bashkëpunim në rajon. Këto veprime tregojnë një qëndrim të papërgjegjshëm dhe të pabesë ndaj përpjekjeve tona për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike”, tha tutje analisti.

Në fund, ai mirëpret veprimet e Policisë së Kosovës duke shtuar që duhet të jemi vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje që cenon pavarësinë dhe sovranitetin tonë.

“Është detyrë e institucioneve tona që të sigurojnë respektimin e ligjit dhe të mbrojnë integritetin territorial të Kosovës. Në këtë drejtim, veprimet e Policisë së Kosovës janë të domosdoshme dhe të mirëpritura. Ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje që cenon pavarësinë dhe sovranitetin tonë.

Ftojmë bashkësinë ndërkombëtare të dënojë këto veprime destabilizuese të Serbisë dhe të mbështesë përpjekjet tona për paqe dhe stabilitet në rajon. Vetëm përmes respektimit të ndërsjellë dhe dialogut konstruktiv mund të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe prosperuese për të gjithë qytetarët tanë”, përfundoi analisti Eduard Gashi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat