Me Trump-in në krye të SHBA-së, Kosova më afër anëtarësimit në NATO? Përmenden dy mundësi reale

Politika

Me Trump-in në krye të SHBA-së, Kosova më afër anëtarësimit në NATO? Përmenden dy mundësi reale

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 23 janar 2025 Në ora: 12:06
Foto ilustrim

Dalëngadalë, mbase do të arrihen çështjet për cilat vendi ynë po ‘lufton’.

Në dhjetor të 2018, me qëllim të ngritjes së kompetencave të saj ushtarake dhe për ta bërë atë të aftë për t'u anëtarësuar në NATO, Kuvendi i Kosovës miratoi legjislacionin për ri përcaktimin e FSK-së si "forcë ushtarake profesionale" dhe themelimin e një ministrie të mbrojtjes. FSK-ja është gjithashtu në proces të transformimit në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Por, ajo që po synohet vazhdimisht është që Kosova të jetë anëtare e NATO-s.

Madje, kjo po shpresohet se do të ndodhë me administratën e re amerikane, në krye me presidentin Donald Trump.

Së fundi, në një deklaratë, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se beson që Kosova do ta zë hapin me administratën Trump, në qëllimin që të ndodhë anëtarësimi direkt në NATO.

...besoj se Kosova do ta zë hapin me këtë administratë në qëllimin e vet që të ndodhë anëtarësimi direkt në NATO”, tha Haradinaj.

Arifi: Kosova që të jetë në NATO i duhet vetëm plani i veprimit dhe disponimi politik i vendeve kryesore të NATO-s

Analisti politik, Avni Arifi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundur, duke e parë edhe si aspiratë reale.

Sipas tij, Kosovës që të jetë në NATO i duhet vetëm plani i veprimit dhe disponimi politik i vendeve kryesore të NATO-s, e duke shtuar më tej, se me Trump-in President është i mundur anëtarësimi ne NATO.

Image
Avni Arifi

Anëtarësimi i Kosovës direkt në NATO është i mundur dhe është aspiratë reale.

Edhe pse në letër procedurat formale të anëtarësimit janë të gjata dhe kërkojnë kohë e konsensuse të ndryshme, konstalacionet ekzistuese të politikës e posaçërisht pozicioni i vendeve aleate e bën aspiratën tonë realitet.

Plani i veprimit të cilin është duke implementuar FSK është praktikisht partneritet për paqe dhe Kosova në proces të integrimit nuk ka nevojë që të hyjë në këtë proces. Kosova që të jetë në NATO i duhet vetëm plani i veprimit dhe disponimi politik i vendeve kryesore të NATO-s”.

Me Trump-in President Kosova e krijoj Ushtrinë edhe kur plot e konsideronin mision të pamundur.

Me Trump-in President është i mundur anëtarësimi ne NATO por sigurt jo me një qeverisje që kemi pasur 4 vitet e kaluara.

Me një qeverisje të tillë s’ka as NATO as njohje as integrim por sigurt sanksione të reja, deklaron Arifi.

Bilalli: Kosova ka dy mundësi të anëtarësimit direkt në NATO

Derisa, Lutfi Bilalli, njohës i politikë, vlerëson e Kosova duhet të jetë në NATO, por ai shpjegon se për të arritur të kjo ka shumë procedura që Kosova t’i përmbush, që sipas tij NATO është rritur nga 12 në 32 shtete, gjë që thotë se kushdo që dëshiron të bëhet anëtarë duhet të plotësojë disa kushte.

Image
Lutfi Bilalli

Anëtarësimi në NATO është një synim i Republikës së Kosovës. Ideja e z.Haradinaj është e qëlluar dhe duhet të jetë synim i institucioneve të shtetit tonë dhe i gjithë spektrit politikë, por pyetja është si dhe çfarë procedurash duhet ndjekur dhe cilat janë mundësitë për anëtarësim direkt!

Organizata e NATO-s e Traktatit të Atlantikut të Veriut është një model suksesi: që nga themelimi i saj në 1949, aleanca e mbrojtjes transatlantike është rritur nga dymbëdhjetë në 32 shtete. Kushdo që dëshiron të bëhet anëtarë duhet të plotësojë disa kushte. Pra, pranimit i paraprijnë negociata të gjera dhe një proces diplomatik me shumë faza.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut të NATO-s ndjek një "politikë të dyerve të hapura". Neni 10 i Traktatit të Atlantikut të Veriut të vitit 1949 përcakton se ai mund të ftojë shtete të tjera - nëse të gjitha shtetet anëtare bien dakord për këtë. Sipas traktatit, shtetet që dëshirojnë të bëhen anëtarë duhet të jenë të vendosura në Evropë dhe të jenë në gjendje të promovojnë parimet e traktatit dhe të kontribuojnë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut. Parimet e traktatit janë mbi të gjitha paqja, demokracia, liria dhe shteti i së drejtës. Nëse një vend ftohet nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut të NATO-s për t'u bashkuar me aleancën, fillimisht do të zhvillohen negociatat. Qëllimi është të përcaktohet nëse vendi që dëshiron të anëtarësohet është i gatshëm dhe në gjendje të përmbushë detyrimet politike, ekonomike dhe ushtarake të anëtarësimit. Këto negociata rezultojnë në një deklaratë të synimit nga qeveria e vendit kandidat, duke përfshirë një afat kohor për zbatimin e reformave të nevojshme. Protokolli i anëtarësimit duhet nënshkruar dhe ratifikuar nga të gjitha shtetet e NATO-s të Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Vetëm atëherë Sekretari i Përgjithshëm i fton zyrtarisht vendet kandidate për t'u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut të NATO-s. Procesi i anëtarësimit përfundon plotësisht vetëm kur kandidati për anëtarësim vendos të anëtarësohet në përputhje me procedurat dhe më pas depoziton certifikatën e anëtarësimit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së”, shpjegon Bilalli.

Partneriteti për Paqe

Bilalli thotë se partneriteti për paqe është bashkëpunim dhe thotë se janë tri lloje të dokumenteve të partneritetit dypalësh

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më vitin 1994.

"Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut - trupi vendimmarrës i NATO-s”

Janë tri lloje të dokumenteve të partneritetit dypalësh:

a)Programi i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Individual

b)Programi i Planeve të Veprimit Individual dhe c)Programi Vjetor Kombëtar.

Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP)

Si mund të përgatiten vendet aplikuese për procesin e anëtarësimit?

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut të NATO-s këshillon dhe mbështet shtete të tilla në përgatitjen e tyre për anëtarësim të mundshëm me Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP). Kandidatët për anëtarësim paraqesin raporte të rregullta progresi dhe marrin reagime nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut të NATO-s. Programi filloi në vitin 1999 dhe merr parasysh përvojat e fituara gjatë pranimit të Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë në 1999. Të gjitha shtetet që janë pranuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut të NATO-s që nga viti 2004 kanë përfunduar më parë me sukses programin MAP. Megjithatë, nuk ka një mekanizëm automatik për pranimin e shteteve pjesëmarrëse në MAP”.

Ai thekson faktin se Kosova ka vetëm dy mundësi për anëtarësim direkt.

Por, shton se ndryshe Kosova ka një proces jo të lehtë të zhvillojë edhe për faktin se atë nuk e njohin ende 4 shtete që janë anëtare të NATO-s.

"Kosova ka dy mundësi për anëtarësim direkt:

1.Modelin e anëtarësimit të Turqisë dhe Greqisë në vitin 1952 (arsyeja rreziku nga ndikimi i ish-BRSS-së ndaj këtyre dy shteteve)

2.Modeli dhe procedurat e përshpejtuare për anëtarësim të Finlandes dhe Suedisë ( rreziku dhe kanosja e sigurisë nga ana e Rusisë pas invazionit mbi Ukrainë).

Përndryshe procesi i anëtarësimit të Kosovës është një proces jo edhe i lehtë nga aspekti procedural plus shto këtu edhe mosnjohjen e katër shteteve anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Përndryshe po qese Aleanca Veri-Atlantike e vlerëson nga aspekti strategjik dhe gjeopolitik që Kosova është më interes të jetë pjesë e Aleancës atëherë procedurat shkurtohen apo edhe shpejtohen dhe arrihet paraprakisht një koncensues i të 32 anëtareve të NATO-s për pranim të Kosovës”, përmbyll Lutfi Bilalli për “Bota sot”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat