Vjen paralajmërimi: Ura e Ibrit mund të hapet në ditët e para pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, pa bërë bujë të madhe!

Politika

Vjen paralajmërimi: Ura e Ibrit mund të hapet në ditët e para pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, pa bërë bujë të madhe!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 janar 2025 Në ora: 14:13
Ura e Ibrit

Ura e Ibrit vazhdon të ndajë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë: atë veriore, të banuar kryesisht nga serbë, dhe atë jugore, ku jetojnë shumicë shqiptarët.

Kërkesat për hapjen e urës kanë stagnuar, dhe ky stagnim ka ardhur pas vizitës së shefit të CIA-s, Ëilliam Burns, vitin e kaluar.

Megjithatë, urat logjikisht duhet të jetë e hapur për qarkullimin e automjeteve.

Aktualisht, situata në atë zonë është e qetë.

Dje, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, vizitoi Mitrovicën. Ai ishte shoqëruar nga një delegacion i lartë ushtarak dhe qëndroi rreth një orë mbi urën kryesore të Ibrit, ku u njoftua nga afër për situatën e përgjithshme të sigurisë në qytet.

Për sa i përket lirimit të urës, ai nuk dha informacione konkrete, por gjithsesi, po paralajmërohet se hapja e saj mund të ndodhë para zgjedhjeve.

Sadiku: Vizita e komandantit të KFOR-it - ruajtja e paqes në kohën e zgjedhjeve që do mbahen së shpejti

Analisti politik Arbnor Sadiku, i shkurt në përgjigjen e tij për “Bota sot”, thotë se vizita e komandantit të KFOR-it ka të bëjë me njoftimin e gjendjes në veri.

“Po, sigurisht dëshiron të njoftohet më për së afërmi me gjendjen e sigurisë në veri, dhe hapat që duhen ndërmarr për ruajtjen sigurisë atje, dhe ruajtjen e paqes në kohën e zgjedhjeve që do mbahen së shpejti”, thekson ai.

Image
Analisti politik Arbnor Sadiku

Ramabaja: Ky pozicionim pritet të bëhet publik që në ditët e para pas zgjedhjeve

Ndërsa, Dr. Sadri Ramabaja vizitën e komandantit të KFOR-it në veri e sheh si përpjekje për të demonstruar arsyeshmërinë e vendimit të disa qendrave të perëndimit që ishin pozicionuar pro ruajtjes së status-quos në veri dhe kundër hapjes së urës.

“Siç raportuan agjenci e tv vendore, Barduani, në këtë vizitë kurtoazie ishte i shoqëruar nga një delegacion i lartë ushtarak, Ai ka qëndruar rreth një orë mbi urën e Ibrit, që të përfitojë një imazh mbi situatën e sigurisë në këtë pjesë të Republikës!

Kjo vizitë më së paku ka të bëjë me mundësinë e hapjes së urës për qarkullim të plotë tani, në prag të zgjedhjeve për Parlament. Këtë vizitë e shoh më shumë si përpjekje për të demonstruar arsyeshmërinë e vendimit të disa prej Qendrave vendimmarrëse të Perëndimit që ishin pozicionuar pro ruajtjes së status-quos në veri dhe kundër hapjes së urës gjatë verës që lamë pas. Ishte një vendim i pastër politik, që de fakto nuk kishte të bënte fare me situatën e sigurisë”, thotë ai.

Image
Dr. Sadri Ramabaja

Me vet faktin se ai ka vizituar urën e Ibrit, sipas Ramabajës kjo dëshmon se pozicioni politik i Perëndimit rreth këtij simboli të ndarjes së qytetit mund të lëvizë shpejt, duke shtuar se vendimi mund të bëhet publik në ditët e para pas zgjedhjeve.

“Sidoqoftë, kjo vizitë demonstrative e Komandantit të KFOR’it në Kosovë, Enrico Barduani, në Mitrovicë dhe qëndrimi prej më se një ore mbi urën e Ibrit, dëshmon se pozicioni politik i Perëndimit rreth këtij simboli të ndarjes së qytetit mund të lëvizë shpejt. E pritshme është që ky pozicionim të bëhet publik që në ditët e para pas zgjedhjeve, ndërkaq hapja e urës të bëhet pa bërë bujë. 

E qartë, me rikthimin e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, po hyjmë në një epokë të re. Ballkani, sidoqoftë, mbetet sferë e interesit euroatlantik. Çështja është se ç’rol do të ketë në procesin e ndërtimit të Arkitekturës së re të sigurisë europiane. Në këtë kuadër, kur ne do të shohim aleanca të reja rajonale anembanë botës në të ardhmen e afërt, pesha specifike e Ballkanit si tërësi dhe ajo e dy republikave shqiptare – Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës, do të jetë ndjeshëm më e madhe”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat