Në Kosovë është duke vazhduar fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahet më 9 shkurt. Partitë politike kanë vazhduar tubimet e tyre me qytetarë nëpër qytete të ndryshme të vendit, ku po shpalosin programet e tyre përkatëse me të cilat garojnë në këto zgjedhje.
Në këto tubime, fjalimet më elektrizuese për masën po i mbajnë liderët e subjekteve politike, përkatësisht kandidatët për postin e kryeministrit.
Ata nuk po i kursejnë as akuzat e kritikat ndaj njëri tjetrit, me një retorikë e cila edhe është ndëshkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)
Në një deklaratë për gazetën “Bota sot” publicisti Zejnullah Jakupi, ka shpërthyer kundër qëndrimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e kritikuar ashpër për retorikën e saj në lidhje me partitë e tjera politike, sidomos Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Jakupi e cilëson LDK-në si një forcë politike që po distancohet nga vlerat dhe parimet e Rugovizmit, duke u përqëndruar më shumë në akuza dhe paragjykime të pabaza ndaj LVV-së dhe forcave të tjera politike që promovojnë integrimin dhe stabilitetin e Kosovës.
“Në mbi 10 faqet e para të "Rrugës së RE" LDK bën vetëm akuza kundër LVV-së dhe paragjykime absurde dhe shpallet si një mesia se do ta shërojë shoqërinë nga populizmi, ky shpallet se është misioni parësor i “Rrugës së Re”. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë fryma e Rugovizmit sepse i ndjeri Ibrahim Rugova nuk ka vajtur as nuk është ankuar edhe kur e kanë sulmuar, por ai ka qenë faktori i përbashkimit dhe zbutjen e polarizimit në shoqëri. LDK e gjuan gurin dhe e fsheh dorën. Ajo është larguar aq shumë nga Rugovizmi sa që nuk ka mbetur asgjë nga kultura politike e Ibrahim Rugovës. LDK është e përafërt me PDK dhe AAK e viteve të fundit. Këto tre parti duhet të shkrihen në një, sepse e kanë përqafuar idealin e njëjtë, të bashkëpunojnë për interesa të pushtetit dhe jo të programit dhe idealeve ose orientimit ideologjik. Nuk ka sens që LDK dhe kryetari Lumir Abdixhiku të flas kaq shumë për frikë, polarizim. Të bëj akuza se akterët kosovarë sot jetojnë në frikë të përndjekjes e atakimit publik, së këndejmi dhe pa zë edhe kur sulmohen institucionalisht grupet që ata përfaqësojnë apo janë të ngjashme me ta”. Kjo tingëllon sikur të jetonim në një shtet dikatorial dhe natyrisht dihet se për katër vite nuk kemi patur asnjë vrasje politike, si dikur, dhunë ndaj gazetarëve apo intervenime dhe kërcënime fizike ndaj gazetarëve”, shprehet Jakupi për “Bota sot”.
Ai thekson se LDK, edhe pse mburren për angazhimin e saj për një orientim euroatlantik, nuk ka bërë asnjë hap të vërtetë përpara në realizimin e premtimeve të saj, ndërkohë që LVV dhe koalicioni që e mbështet kanë arritur progres në këtë drejtim.
Jakupi e cilëson këtë situatë si një dështim të politikës tradicionale të LDK-së dhe kritikon mungesën e veprave konkrete që do të mundësonin zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
“Pra, është frazë të flasësh se gjoja vetëm LDK paska orientim euroatlantik , thua se LVV, GUXO, Alternativa nuk e kanë këtë orientim, prandaj tingëllon si populizëm ky proklamim. Sepse këtë vizion të integrimit, stabilitetit dhe avancimit bashkëpunues të kombit e kanë të gjitha partitë, orientimi me perëndimin, as që duhet të përmendet se kjo është etabluar. Masat ndaj Kosovës nga BE janë të padrejta, dhe LDK, AAK e të tjerat parti nga opozita e kanë përsëritur këtë letargji antagoniste ku kanë hyrë këto parti dhe vështirë të dalin nga atje. Premtime kanë bërë në korr se do të synohet në veçanti anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE. Do të synohet anëtarësimi i shpejtë në organizata ndërkombëtare të sigurisë, veçmas në Interpol e Europol. Mbi të gjitha, si e bën edhe AAK premtohet se Kosova do të synojë anëtarësimin sa më të shpejtë në aleancën ushtarake të NATO-s; si parakusht i stabilitetit rajonal dhe si vazhdimësi e rrugëtimit tonë historik që nga nisja e përpjekjes sonë kolektive për liri, pavarësi e demokraci”, ka nënvizuar ai.
Por, sipas Jakupit anëtarësimi në NATO do të vazhdojë të jetë instrument kryesor i politikës së sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në aspektin diplomatik dhe ushtarak.
“Partneriteti strategjik me SHBA-të mbetet thelbësor dhe i përhershëm në këtë kontekst dhe natyrisht këtë e ka premtuar edhe LVV, GUXO dhe Alternativa dhe e kanë kultivuar për 4 vite. Ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar elementet e Marrëveshjes së Ohrit, në veçanti ato që lidhen me a) mosarritjen e njohjes de jure; b) karakterin bazë e jo përfundimtar të marrëveshjes; dhe c) elementet e papërcaktuara të instrumentit vetmenaxhues për komunitetin serb në Kosovë; LDK e njeh detyrimin ndërkombëtar ndaj Republikës së Kosovës të lindur nga po kjo marrëveshje, pavarësisht karaktereve qeverisëse të kohës. Por e harron 19 prillin 2014 kur e ka miratuar- asociacionin. Gjithashtu edhe në aspektin ekonomik, LDK premton 5 miljardë investime, i proklamon se i ka 300 ekspertë dhe 120 projekte, ku sipas tyre nuk do mungojë as mbështetja e familjes, e të rinjve dhe e gruas, barazi të plotë gjinore, të gjitha Ok, por kush nuk po mbështet? Të gjitha me fjalë, ndërsa LVV dhe koalicioni me vepra, koalicion i cili do vazhdojë edhe më shumë por jo si LDK dhe AAK, PDK “përmes interaksionit të ndërmarrësve me shtetin, institucionet financiare, arsimore dhe trajnuese dhe politikave sociale, mundësohet kohezioni i brendshëm i ekonomisë dhe i shoqërisë, pa e përkrahur shoqërinë, shtresat e mesme dhe ato të varfra që jetojnë në varfëri”, potencon Jakupi.
“Pra, edhe kur jemi te anëtarësimi në Këshill të Evropës, në organizata të rendit e sigurisë (INTERPOL e EUROPOL), marrja e statusit të vendit kandidat fillimisht, hapja e kapitujve e anëtarësimi i plotë në BE përfundimisht, sikurse dhe anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO, e marrja e ulëses në OKB, janë prioritete edhe të LVV-së dhe koalicionit”, shton Jakupi.
Premtimet si “fontanë dëshirash”
Ai shprehet se opozita nuk e ka treguar në praktikë se është për shtetin ligjor.
“Deri sa LDK dhe PDK, AAK janë për shtet ligjor në praktikë nuk kanë treguar rezultate, sepse shteti ligjor, mbrojtja dhe lufta kundër kriminalitetit nuk bëhet me fraza, por qeveria duhet të jetë e vendosur për luftimin e pa kompromis të kriminalitetit, korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ekonomik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe formave dhe llojeve të tjera të kriminalitetit. Pra, e thonë me fjalë, jo me veprime. Dhe është interesant se si i përsërisin fenomenet bazike si “Barazia e qytetarëve para ligjit, gjykimi i drejtë, mosdiskriminimi, e drejta pronësore, liria e siguria, dinjiteti i njeriut dhe të drejtat e tjera qytetare”, thua se nuk ekziston asnjë e drejtë e tillë dhe kur të vijnë këta në pushtet ato bëhen”, nënvizon ai.
Për publicistin Jakupi, paraqitja e projekteve të LDK-së, është si “fontanë dëshirash, ka shumë, janë të përmendura me mijëra sa që do të duhej buxheti prej 500 miliardë euro për t´i realizuar, ndërsa Kosova për katër vite nuk do i ketë më shumë se 20-30 miliardë.
“Atëherë për t´i realizuar LDK, këto projekte që i ka paraparë, energjia, ndërtimi i termocentraleve, përfundimi i të gjitha autostradave e magjistraleve, infrastruktura hekurudhore energjia, skemat sociale, reformim në arsim, shëndetësi, mbrojtje, siguri, drejtësi, sport, planifikim hapësinor, bujqësi, MPJ, ekonomi, financa etj. pra mbi 120 projekte, janë vetëm fontanë dëshirash që nuk realizohen. Dhe kjo është ajo se LDK kurrë nuk e ka prekur skemën sociale dhe shumë pak ose aspak nuk ka bërë në rritjen e rrogave, përmirësimin e mirëqenies së shtresave të mesve dhe të asaj të varfër. Si parti e qendrës së djathtë, LDK-ja e konsideron sektorin privat si gjenerator të aktivitetit ekonomik, si burim kryesor të krijimit të vendeve të reja të punës dhe si shtytës qenësor të prosperitetit e mirëqenies kombëtare. Roli i shtetit në ekonomi, në pikëpamjet e LDK-së, është i një rregullatori në situata të mungesës së konkurrencës dhe i një krijuesi të një ambienti të sigurt për investime. Por forcimi i shtetit është edhe ana e fortë e shtetit social, e që nuk është levë e shtetit kapitalist. Pra, LDK, AAK, dhe PDK shtetin nuk e shohin si aktor biznesi po i marrin para; përkundrazi, e jo si deklarojnë, ta shohin vetëm si ndërtues dhe garantues i kushteve të tregut. Së këndejmi, plani i tyre parasheh privatizimin e aseteve publike, që sipas tyre janë shndërruar jo vetëm në barrë shtetërore për shoqërinë, por njëkohësisht nuk po arrijnë të ofrojnë kushte konform zhvillimeve teknologjike të kohës. Dhe natyrisht plani i LDK-së parasheh privatizimin e Telekomit të Kosovës në përmasën prej 51%, përderisa pjesa prej 49% do të mbetet në pronësi publike, Brezovica etj etj. Për politikat tatimore nuk tregojnë se çfarë do të ndryshohet, nuk përmendet fare se sa do jetë”, shprehet ai.
Edhe PDK e AAK sipas publicistit janë të njëjta.
“PDK-së nuk i funksionon as faqja zyrtare në internet. Edhe kjo premton diplomaci Aktive dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar: Kosova e së ardhmes duhet të jetë e integruar në strukturat euro-atlantike, të ketë një diplomaci aktive, që i ndjekë interesat kombëtare e shtetërore duke e forcuar bashkëpunimin ndërshqiptar. -Shëndetësi Cilësore dhe Dinjitet Njerëzor: Një Kosovë e zhvilluar dhe me mundësi për të gjithë është e mundur, vetëm kur merr për bazë dimensionin social të një shoqërie të shëndoshë dhe me përkujdesje për ata që kanë nevojë. -Kulturë dhe Kapital Njerëzor Konkurrues: Kosova e së ardhmes duhet të ofrojë mundësi për të rinjtë, duke hartuar politika qeverisëse për një kapital njerëzor konkurrues, jo vetëm në parametra të brendshëm, por edhe për tregun dhe konkurrencën globale. -Rend Publik dhe Siguri Qytetare: Për një Kosovë të së ardhmes, parakusht është sundimi i ligjit, një drejtësi e paanshme dhe efikase, një rend publik i sigurt dhe në shërbim të secilit. Një siguri kombëtare e qëndrueshme dhe një koncept i mbrojtjes, i aftë për t’iu përgjigjur dinamikave të sigurisë në kohën tonë. -Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër etj. Ndërsa premtimi kapital i AAK-së është proklamuar anëtarësimi në NATO-së e për këtë z. Haradinaj po lyp referendum, po paralajmëron që në 2025-n, pra edhe AAK kërkon Siguri, sundimi të ligjit, reformim në MPJ dhe anëtarësim në OKB.
Edhe AAK si PDK dhe LDK dëshirojnë të ndihmojnë sektorin privat me para të shtetit, që bizneset të mos paguajnë fare tatim dhe natyrisht shteti të mos fitojë asgjë. E nëse e shikojmë situatën në Gjermani, shteti nuk sillet në këtë mënyrë edhe pse edhe këtu kemi një ekonomi gjysmë kapitaliste, sektori privat prin bashkë me disa ndërmarrje publike ose si thuhen kooperuese të cilat kanë mbikëqyrje përmes bordeve publike, pra ato janë ndërmarrje me përgjegjësi të kufizuar dhe forma tjera. Gjithashtu premtohen paga mujore mesatare deri në 100 Euro, pra, me buxhetin aktual edhe nëse rritet deri në 20 miliardë nuk është i mundshëm”, ka përfunduar Jakupi.