Gjatë katër viteve të fundit dhe jo vetëm, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë kryesore dhe më e përfolura.
Në këtë çështje ka pas angazhim të shtuar edhe të ndërkombëtarëve, ku shpesh kanë kushtëzuar Kosovën në shumë aspekte, shkaku i procesit të dialogut.
Vlen të theksohet se, njohjet e Kosovës, procesi drejt integrimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare janë peng i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, kandidatët për kryeministër të partive politike nuk po ‘shqetësohen’ për këtë gjë.
Të gjithë këta, pa përjashtim, po i shmangen këtij procesi, ku as nuk po e përmendin në fjalimet e tyre nëpër tubime me qytetarë.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti në tubime të Vetëvendosjes nuk ka shpalosur ndonjë plan të subjektit të tij në lidhje me dialogun në mes dy vendeve.
Po ashtu, këtë proces e kanë shpërfillur edhe, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, si dhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
E adresim para qytetarëve për këtë gjë nuk ka bërë as kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kësisoj, ne nuk kemi planin e asnjë partie se si do i qaset këtij procesi shumë të ndërlikuar dhe kyç, e që lidhet me përparimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë.
Mirëpo, a është kjo qasja e duhur e partive politike, kur dihet rëndësia dialogut, apo është taktikë e tyre pasi kjo temë edhe mund të mos iu sjellë vota, shkaku i Asociacionit?
E për këtë temë, folën njohësit e çështjeve politike.
Preqi: Pse po anashkalohet Asocacioni dhe dialogu me Serbinë në fushata elektorale?
Së pari, opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” kishte disa fjalë për fushatat elektorale dhe qasjen e partive politike ndaj njëra-tjetrës, ku i kanë të theksuar akuzat dhe fyerjet.
“Koha e fushatave elektorale tani më ka filluar në Kosovë, për zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, me ç’rast partitë politike do të hapin planet dhe programet e tyre zhvillimore, ku zë fill një puqje e theksuar dhe e panevojshme me kritika të vrazhda në mes rivaleve partiak, të cilët nuk kanë të bëjnë me programe të mirëfillta zhvillimore të vendit, por më shumë i japin përkushtim fyrjeve dhe sharjeve personale ne mes njëri-tjetrit”.
Në këtë pikë, Preqi u shpreh pak i befasuar se si partitë politike nuk po e përmendin dialogun dhe Asociacionin.
Kjo pasi, ai theksoi se secili udhëheqës i ardhshëm i Kosovës, pa pikë dyshimi do përballet me këto çështje.
“Është interesant dhe shumë thelbësore se deri më tani asnjëra parti me kandidatët e saj për kryeministër të ardhshëm, ndër të tjera nuk e tregojnë planin e tyre për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu nuk e zënë në gojë as Asociacionin e komunave serbe, duke mos i dhënë rëndësi këtyre temave shumë delikate për vendin tonë.
Përveç temave të tjera dhe planeve e programeve zhvillimore të këtij vendi, për secilin udhëheqës dhe udhëheqje të vendit, nuk ka pikë dyshimi se Kosovës, do t’i duhet të përballet me këto tema, të cilat vazhdimisht janë në një ritëm gjithnjë e më të shpejtuar dhe nën llupën ndërkombëtare, që domethënia e këtij problemi do të jetë detyra më e prekshme për të organizuar dhe trajtuar këto çështje të ndieshme për shtetin dhe vendin tone”, theksoi ai.
Më tej, tha se në fushatat elektorale të partive politike po mungon trajtimi i temave të rëndësishme, ku synimin duket ta kenë vetëm te pushteti.
“Prandaj, në këto fushata elektorale, sikur mungon trajtimi dhe plani për këto tema shumë të rëndësishme, me që LVV, në qeverisjen e vet i ka trajtuar deri këtu këto tema dhe do të kishte një plano-program të qartë ndaj tyre, por në veçanti opozita e tanishme PDK, LDK dhe AAK, në fokus e kanë vetëm fitoren e pushtetit dhe ta largojnë me çdo kusht kryeministrin aktual Albin Kurti, se të planifikojnë dhe të bëjnë zgjidhje për një marrëveshje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë.
Nuk duhet të mendojmë se me marrjen e pushtetit, domethënia qëndron nga madhështia e tij, që të mbetet i fortë dhe sinonim me rritjen e vlerave të jetës, nëse së pari nuk e kemi sigurinë dhe të ardhmen e sigurt të populli, duke krijuar në vetëdijën tonë vetëm pushtetin dhe rritjen e tij me « defekte » dhe në të kundërtën, që do të kemi mungesë të sovranitetit brenda shtetit të pa varur dhe sovran, sikur e kemi pasur shembullin e veriut të këtij vendi para qevrisjes së tanishme”.
Ndër të tjera, Preqi shtoi se fakti që po shpërfillen temat kryesore, tregon që partitë politike po e shfrytëzojnë kot energjinë e tyre dhe po synojnë vetëm pushtetin.
Ai theksoi se pa zgjidhjen e problemit me Serbinë, ky vend do të mbetet i tensionuar.
“Një imazh i tillë i partive tona politike me paraqitjen e tyre në këto fushata zgjedhore me një mungesë të planeve dhe programeve që kanë të bëjnë mbi çështjet e rëndësishme të këtij vendi, siç janë çështja e negociatave me Serbinë dhe Asociacioni i komunave serbe, do të tregonte pasqyrën e kësaj fushate, që energjija e tyre po shfrytëzohet kot dhe më shumë për të fituar pushtetin e ardhshëm, ndërsa në anën tjetër nuk po llogaritet humbja e besimit dhe votave nga votuesit real, të cilët janë të vetëdijshëm se, pa zgjidhjen e problemit me Serbinë, ky vend do të mbetet i tensionuar dhe pikë e zezë në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.
Kapiti: Ndoshta nuk kanë asnjë plan e as vizion për këto bisedime, pasi plani i këtyre kandidatëve për kryeministër është interesi personal politik
Kurse, analisti politik, Skënder Kapiti tregoi prapskenat se pse liderët partiak të partive politike po e shpërfillin dialogun në fushatat e tyre elektorale.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” shtjelloi katër aspekte që mund të kenë ndikuar që asnjë parti politike të mos ketë në plan dhe program për negociatat me Serbinë.
“Kandidatët për kryeministër të partive politike nuk po e tregojnë planin e tyre për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Këta kandidatë që sillen në këtë mënyrë ka disa arsye, e para është se: ata ndoshta nuk kanë asnjë plan e as vizion për këto bisedime, pasi plani i këtyre kandidatëve për kryeministër është interesi personal politik e pushteti dhe janë të zënë e të përkushtuar në luftë mes vetes së tyre për të marrë vota.
E dyta është se ata ndoshta e shohin dhe mendojnë se as që i pyet puna ata për këto bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
E treta është ajo se ata “frikësohen” të shprehen, duke menduar se mos u mbetet ‘hatri’ ndërkombëtarëve dhe kjo mund të ndikojë sipas tyre në votim që të mos marrin vota.
Së katërti është ajo se politikanët shqiptarë në përgjithësi nuk është se janë qëndrestarë, patriotë e kombëtarë të sinqertë dhe të përkushtuar, por patriotizmin e kanë vetëm retorikë mashtrimi”, theksoi ai.
Krahas kësaj, analisti politik e vlerësoi si jo korrekte këtë qasje të kandidatëve për kryeministër, pasi tha se politikat kundrejt Serbisë janë problem kryesor dhe jo politika dhe interesi politik i ngushtë partiak e personal.
“Nuk është aspak e moralshme që në këtë fushatë kandidatët për kryeministër të mos prekin dhe të mos promovojnë ato politika që janë problemi kryesor në Kosovë, që ata nuk paraqesin asnjë plan qeverisës në lidhje sovranitetin shtetëror, për dinjitetin, personalitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Kjo është detyra kryesore e qeverisë së ardhshme, është plotësimi i legjitimitetit shtetëror, dhe kjo është e para, sepse e para është Kosova dhe jo politika dhe interesi politik i ngushtë partiak e personal”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.