Veprimtari nga SHBA me paralajmërim të fortë: Ja pse zgjedhjet e 9 shkurtit janë më të rëndësishmet që nga paslufta!

Politika

Veprimtari nga SHBA me paralajmërim të fortë: Ja pse zgjedhjet e 9 shkurtit janë më të rëndësishmet që nga paslufta!

Nga: A.M. Më: 23 janar 2025 Në ora: 20:38
Ramazan Bekteshi

Veprimtari shqiptar nga SHBA, Ramazan Bekteshi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli për atë se cilido jetë fati i dialogut Kosovë-Serbi pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas tij, për veriun e Kosovës, këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në 25 vitet e fundit.

Ai përmendi disa marrëveshje që ndodhën në të kaluarën dhe e dëmtuan rëndë sovranitetin e vendit.

“Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet pas lufte dhe pas pavarësisë për veriun e vendit tonë. Fati i dialogut është në duart tona, sepse ndërkombëtarët janë ata që bëjnë presion, por firmën e vëmë me duart tona. Dy firmat paraprake për Asociacionin ishin dy tradhti kombëtare që tani ua shohim sherrin në mënyrë kolektive. Po kështu ndodhi me demarkacionin ku humbëm tokë me dy shtete fqinje më të dobëta se ne”, nënvizoi veprimtari nga SHBA.

Krahas kësaj, Bekteshi përmendi ish-udhëheqësit e kaluar e të cilët i kritikoi për mënyrën se si e menaxhuan raportin me Serbinë, si dhe lëshimet që ata bënë.

Image
Veprimtari shqiptar nga SHBA, Ramazan Bekteshi

Në këtë pikë, paralajmëroi se në rast se vijnë në pushtet dy partitë që i kanë bërë aq shume lëshime në të kaluarën shtetit serb, atëherë kontrolli i veriut mund të rrëshqas sërish në duart e kriminelëve serbë.

“Kur të ballafaqohesh me një shtet si Serbia dhe kur të merret parasysh se sa keq ish-liderët e kanë menaxhuar situatën, qoftë me asociacionin, qoftë me aleancat me Listën serbe, qoftë me lejimin e institucioneve paralele për një kohë aq të gjatë. Nëse në pushtet vinë dy partitë që i bënë aq shumë lëshime Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare ekziston rreziku edhe me lëshime të reja, dhe me ardhjen e Listës serbe në pushtet, dhe me pjesëtarët serb në polici dhe pa i kontrolluar ata që të punojnë për shtetin tonë, veriu që është i konsoliduar dhe nën kontroll mund të rrëshqas në duar të kriminelëve dhe të Serbisë. Pra, ata që s’i durojnë presionet e ndërkombëtarëve dhe ata që i pranojnë lëshimet në dem të sovranitetit nuk do të duhej që ta marrin timonin e dialogut. Me këto zgjedhje, dialogu dhe sovraniteti i vendit është në duar të votuesit”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, veprimtari shqiptar nga SHBA foli për ndikimet që mund të keënë ndryshimet në BE dhe SHBA, mirëpo potencoi se fati i Kosovës është në duar të shqiptarëve.

“Ndryshime në BE kanë ndodhur, por ende nuk është qartë se si do të ndodhin aleancat e reja brenda BE-së dhe SHBA-së me BE-në e me botën. Pra, nëse më pyetni mua, unë jam një optimist i brengosur me zhvillimet që mund të pasojnë. Por nëse ne jemi të vendosur për sovranitet dhe nuk dorëzohemi dhe nuk përçahemi, puna do të kryhet si e meriton Kosova. Një gjë duhet ta kenë të qartë politikanët tanë, se zhvillimet në Serbi nuk do ta ndryshojnë mentalitetin e tyre për Kosovën sepse si pozita e opozita dhe studentët mendojnë ngjashëm kur është në pyetje Kosova. Fati i Kosovës është në duar të shqiptarëve dhe për ta kapitalizuar këtë trysni finale, na mbetet të veprojmë me vigjilencë e kurajë”, përfundoi Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat