Të hënën është bërë inaugurimi i presidentit Donald Trump, ndërsa që nga marrja e detyrës zyrtare, ai ka nënshkruar një sërë urdhërash ekzekutivë duke sjellë ndryshime të mëdha në politikbërjen amerikane.
Në anën tjetër, mediat amerikane i japin një rëndësi edhe domethënes së tij për shtetet e Ballkanit.
Revista e njohur amerikane “Foreign Policy”, ka bërë një analizë për këtë çështje duke thënë se “Teksa shumëkush në rajon i frikësohet animit drejt nacionalistëve serbë, transaksionalizmi i administratës së re amerikane mund të befasojë të gjithë”.
Sipas tyre, krejt diskutimet në Washington për qasjen e administratës së Trumpit në çështjet globale lidhen me Ukrainën, Kinën, Lindjen e Mesme dhe së fundmi Grenlandën, ka pak biseda për Ballkanin Perëndimor.
“Ndërrimi i qasjes në politikën e jashtme amerikane për këtë rajon mund të lëkund status-quon fragjile që mbretëron atje. Çështjet aktuale të Ballkanit Perëndimor dhe ekuilibri delikat gjeopolitik ia kanë pamundësuar Bosnjë e Hercegovinës rrëshqitjen në luftë civile ndërkaq konflikti i ngrirë mes Serbisë dhe Kosovës ka mbetur i tillë që 26 vjet”, thuhet në analizën e Foreign Policy.
Revista amerikane shkruan se nacionalistët serbë, në veçanti, kanë shpresë në kthimin e Trumpit. Sipas saj, ata janë optimist se administrata e tij do të jetë më e afërt me Beogradin dhe Republika Srpskan në Bosnjë.
“Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Republika Srpskas, Milorad Dodik dëshirojnë që SHBA-ja të jetë kundër qeverive perëndimore dhe institucioneve që e përkrahin fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe strukturën e centralizuar të Bosnjës që ishte krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995”, shkruan “Foreign Policy”.
Revista shkruan edhe rreth idesë së serbëve për “Serbinë e Madhe”, duke thënë megjithëse Vuçiç ka deklaruar se qeveria e tij nuk ka interes për të ripërcaktuar kufijtë ndërkombëtarë, shumë prej fqinjëve të Serbisë dyshojnë se Beogradi sheh realizimin e Serbisë së Madhe si objektiv afatgjatë. Një deklaratë me 13 faqe e miratuar nga Serbia dhe Republika Srpska në qershor të vitit 2024 përcakton një vizion për dominimin serb që do të rikthente pjesë të Kosovës nën kontrollin e Beogradit dhe do të shkelte sovranitetin e Bosnjës.
Por, çka do të ndodhë tani e tutje pas inagurimit të Trumpit?
Publicisti Fadil Lepaja, thotë se vështirë të prognozohet.
Sipas tij, një gjë është e sigurtë dhe se asociacioni nuk do të jetë tema kryesore.
“Çfarë do të ndodhë pas 20 janarit është vështirë të prognozohet, por një gjë është e sigurtë se çfarëdo marrëveshje në Ukrainë apo në Ballkan nuk varet më nga BE, por drejtpërdrejt nga administrata e SHBA-së dhe se asociacioni nuk është se do të jetë tema kryesore”, shprehet Lepaja.
Sipas tij, përmes këtyre proceseve do të rreshtohet edhe BE.
“Përmes këtyre proceseve të paqes do të diciplinohet dhe rreshtohet edhe BE e cila përkundër standardeve të larta demoratike në vendet anltare, kur është fjala te vendimarrja e përbashkët, lë shumë për të dëshiruar”, shton publicisti.
Kujtojmë, se gjatë mandatit të parë Trump dëshmoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020.
Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje që gjetën zbatim të plotë, ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.
Ndonëse shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë, Trump e cilësoi atë si një “përparim të madh” në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ndërsa, me ditën e parë që mori mandatin e presidentit ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.
Por, sipas presidencës së Kosovës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”.