Ushtrimi i ndikimit, vepër penale/ Komentohet “mobilizimi” i Serbisë për zgjedhjet në Kosovë, juristët kërkojnë mbikëqyrje të procesit

Politika

Ushtrimi i ndikimit, vepër penale/ Komentohet “mobilizimi” i Serbisë për zgjedhjet në Kosovë, juristët kërkojnë mbikëqyrje të procesit

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 24 janar 2025 Në ora: 14:20
Foto ilustrim

Data e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë, po afrohet.

Së fundi, Serbia bëri lëvizjen e radhës, ku u angazhua për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit.

Më 17 janar, Komisariati për Refugjatë dhe Migrim u bëri thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.

Ndërkohë, më 21 janar, Partia Përparimtare Serbe (SNS), që ka pushtetin në Serbi, ka mbështetur publikisht Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe ka bërë thirrje që të votohet për të.

Me zgjedhjen e saj sigurohet mbrojtja e popullit serb në Kosovë, ka thënë kryeministri i Serbisë dhe udhëheqësi i SNS-së, Millosh Vuçeviq.

Duket qartë që Serbia po tenton të ushtrojë ndikim te qytetarët serbë të cilët kanë shtetësi të Kosovës, ku me këtë synon ta përforcojë sa më shumë Listën Serbe, parti kjo që është ‘dorë e zgjatur’ e qeverisë së Beogradit.

Bajraktari: Është përgjegjësi e organeve shtetëror që të sigurohen që procesi zgjedhorë me integritet

E sa janë legale këto lëvizje të Serbisë në kuadër të zgjedhjeve në Kosovë dhe si mund të ndikojnë ato, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati, Ardian Bajraktari.

Së pari, ai ritheksoi se e drejta për votë është e garantuar me ligj, ku të drejtë ka çdo shtetas të Republikës së Kosovës (me moshë mbi 18 vjeç).

Image
Ardian Bajraktari

“E drejta e votës, përkatësisht e drejta për të zgjedhë dhe të zgjedhet është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe si e tillë kjo e drejtë i garantohet çdo shtetas të Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve. Po ashtu vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.

Në këtë pikë, ai foli edhe për ndikimet që mund të ushtrohen ndaj qytetarëve, e për të cilat tha se janë të dënuara me ligj dhe si të tillë ndëshkohen edhe me dënim me burg.

“Shprehja e lirë e vullnetit të qytetarëve në zgjedhje është shumë e rëndësishme, ndryshe kushdo që premton, ofron ose jep ndonjë përfitim ose dhuratë të pamerituar ndonjë personi, me qëllim që të ndikojë atë person për të votuar për të mos votuar, për të votuar në favor apo kundër një personi apo propozimi të caktuar ose për të hedhur një votë të pavlefshme në zgjedhje apo në referendum, kryen vepër penale, ndëshkimi i të cilit është me burgim prej 1 deri në 5 vjet”, theksoi ai.

Ndër të tjera, avokati kërkoi vigjilencë nga organet shtetërore, në mënyrë që të ofrohet një proces zgjedhor me integritet.

“Është përgjegjësi e organeve shtetërore që të sigurohen që procesi zgjedhorë me integritet, një përgjegjësi të tillë e kanë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor, prandaj, duhet organet e zbatimit të ligjit të jenë në funksion të kryerjes së detyruarve të tyre”, përfundoi Ardian Bajraktari.

Procesi i votimit në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019

Theksojmë që, votat me postë nga Serbia në Kosovë deri më tani kanë mundur të mbërrijnë vetëm përmes “transitit”, përkatësisht përmes Postës në Maqedoninë e Veriut, me të cilën Kosova ka marrëveshje të vlefshme për dërgesat.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në tetor të vitit 2019, një kuti me zarfe me mbi 3.500 fletëvotime nga Serbia i është dorëzuar postës në Prishtinë nga zyrtari ndërlidhës i Serbisë me Kosovën, Dejan Paviqeviq.

Këto vota, megjithatë, janë anuluar, për shkak se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i Kosovës ka konstatuar se ato nuk kanë mbërritur në Kosovë përmes postës, por se i janë dorëzuar postës - gjë që ka qenë në kundërshtim me rregullat zgjedhore për votim jashtë Kosovës.

Burjani: Për personat e zhvendosur, për votim mund të shërbej edhe zyra ndërlidhëse e Kosovës

Kurse, juristi Blerim Burjani tregoi një metodë që është përdorur në të kaluarën, ku KQZ kishte mbikqyrur personat që kanë votuar në Serbi dhe Mal të Zi.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se besueshmëri ka vetëm kur ekipet e KQZ dërgohen në objekte të caktuara votimi.

Image
Blerim Burjani

“Në të kaluarën, KQZ ka dërguar ekipe mobile dhe ka mbikëqyrur votimin e qytetarëve në Mal të ZI dhe Serbi që kishin ikur nga Kosova. Kjo çështje ka validitet nëse ekipet moblile të KQZ dërgohen në kampet apo caktohet ndonjë objekt votimi”.

Në këtë rast, për votimet e personave të zhvendosur, në këtë rast Serbi, tha se votimin mund ta realizojnë ehde në zyra ndërlidhëse, ku kjo do ishte mënyra më e lehtë për të menaxhuar situatën.

“Për personat e zhvendosur, për votim mund të shërbej edhe zyra ndërlidhëse e Kosovës, që do të ishte më kredibile dhe më lehtë e menaxhueshme. Tash është çështje e KQZ se si do të merret me këtë temë, praktika e mëhershme ishte ajo, përmes ekipeve mobile të cilat janë dërguar në Serbi dhe Mal të Zi”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat