Synojnë ta rimarrin besimin e qytetarëve, kjo është strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit

Politika

Synojnë ta rimarrin besimin e qytetarëve, kjo është strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit

Nga: A.M. Më: 24 janar 2025 Në ora: 17:05
Albin Kurti

Zgjedhjet e reja parlamentare po afrohen, ku kanë mbetur edhe pak ditë deri te mbajtja e tyre.

Partitë politike kanë filluar fuqishëm me fushatat e tyre elektorale, ku çdo ditë mbajnë tubime të ndryshme me qytetarët.

Përmes strategjive të ndryshme politike, subjektet po synojnë të marrin besimin e qytetarëve.

E në lidhje me strategjinë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për “Bota sot” ka folur Vigan Qorrolli, i cili është zv.ministër në MPJD, si dhe kandidat për deputet nga kjo parti.

Si fillim, Qorrolli u shpreh i qartë në atë se ku është fokusi i LVV dhe si do rimarrin sërish besimin e njëjtë nga qytetarët e vendit.

Image
Vigan Qorrolli

“Strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje do të fokusohet në avancimin e reformave konkrete, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, si një bazë për të rivendosur besimin e qytetarëve. Lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i një sistemi të drejtë e të pavarur mbeten prioritet. Përmes rezultateve të prekshme në drejtësi dhe qeverisje të përgjegjshme, synojmë të tregojmë se besimi i qytetarëve është forca kryesore e ndryshimit dhe zhvillimit të vendit”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, zv.ministri potencoi edhe disa nga ‘gjurmët’ që ka lënë qeverisja Kurti, në mandatin katërvjeçar.

Në këtë pikë, përmendi disa nga sukseset, që sipas tij janë më të rëndësishmet.

“Poashtu, siç është thënë edhe nga kryeministri Albin Kurti, qeverisja ynë ka lënë gjurmë të rëndësishme në jetën e qytetarëve tanë përmes politikave ekonomike dhe atyre fiskale. Kujtojmë rritjen e pensioneve, shtesat për femijë, nënat lehona dhe një varg instrumentesh të tjerë, të cilat kanë prekur drejtëpërdrejt dhe më pas përmirësuar jetën e qytetarëve tanë”, përfundoi Vigan Qorrolli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat