Deklarata e Haradinajt për Asociacionin, deklarohen nga LVV

Politika

Deklarata e Haradinajt për Asociacionin, deklarohen nga LVV

Nga: M.Haziri Më: 24 janar 2025 Në ora: 19:26
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Së fundi, kreu i AAK-së, Ramush Haradinajt ka folur për dialogun me Serbinë, ku tha se nëse e merr pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qysh në javën e parë do ta dërgonte draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Do t’i kryejmë obligimet që dalin nga dialogu, përfshirë Asociacionin – ta dërgojmë që në javën e parë në Kushtetuese”, tha Haradinaj.

E në lidhje me këtë deklaratë të Haradinajt, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.

Si fillim, ai tha se partitë opozitare janë të gatshme të bëjnë gjithçka vetëm të vijnë sërish në pushtet.

Madje, beson se janë të gatshëm për çdo kompromis, derisa hodhi dyshime mbi deklaratën e Haradinajt për Asociacionin.

Image
Gramos Agusholli.

“Unë konsideroj se opozita është e gatshme të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm që të vijë në pushtet! Domethënë, janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj kompromisi, pa marrë parasysh pasojat, vetëm që të arrijnë synimin e tyre për të marrë pushtetin. Unë nuk dua të besoj që kjo deklaratë e deputetit Haradinaj është një pranim i Asociacionit, duke marrë parasysh meritën dhe kontributin që ai ka pasur në të kaluarën. Megjithatë, nuk mund të mohohet që deklarata të tilla hapin dyshime dhe krijojnë paqartësi”, nënvizooi deputeti i LVV-së.

Krahas kësaj, ai këtë e ndërlidhi edhe me akuzat që po bëhen ndaj kryeministrit Kurti, ku tha se ka mungesë të konstruktivitetit nga ana e opozitës.

“Një gjë është e sigurt: kur opozita arrin deri aty sa ta quajë kryeministrin Kurti “argat të Serbisë,” atëherë diçka nuk është në rregull me këta njerëz! Kjo lloj retorike është jo vetëm shqetësuese, por edhe një tregues i mungesës së qasjes konstruktive nga ana e tyre”, përfundoi Garamos Agusholli për “Bota sot”.

Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011. Ky proces ka nxjerrë disa marrëveshje por pak prej tyre janë zbatuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat