Rikthimi i Trump në pushtet, eksperti austriak me paralajmërim të ‘keq’ për Vuçiqin – ja thirrja befasuese për Kurtin

Politika

Rikthimi i Trump në pushtet, eksperti austriak me paralajmërim të ‘keq’ për Vuçiqin – ja thirrja befasuese për Kurtin

Nga: A.M. Më: 24 janar 2025 Në ora: 21:45
Donald Trump

Eksperti austriak, Gunther Fehlinger në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli mbi administratën e re amerikane, që në krye të saj është presidenti Donald Trump dhe rolin e saj mbi raportet Kosovë-Serbi.

Në këtë pikë, përmendi edhe Richard Grenellin dhe qëndrimet e tij në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Kësisoj, ai tha se vetëm Trump mund ta sjellë rënien e Vuçiqit, ndërsa fatkeqësisht Grenllen dëshiron ta rrëzojë Kurtin.

“Populli serb është në revoltë të vazhdueshme kundër regjimit të Vuçiqit dhe Trump është faktori që mund ta ndryshojë ‘lojën’ për të sjellë rënien e Vuçiqit.

Kurse, Grenell ka humbur luftën për pushtet ndaj Marco Rubios, një mik i vërtetë i Kosovës dhe Ukrainës.

Mjeti i fundit i energjisë së mbetur të Richard Grenell, është llogaria e tij X, ku ai përpiqet të lajë hesapet me ‘armikun’ e tij, Albin Kurti.

Është ëndrra e jetës së Grenellit që të sjellë rënien e Kurtit, në vend të Vuçiqit, burimit të vërtetë të të gjitha problemeve në Ballkan. E gjithë kjo është personale dhe irracionale”.

Image
Eksperti austriak, Gunther Fehlinger

Gjithashtu, Fehlinger theksoi edhe politikën e re amerikane, ku u shpreh optimist se me Trump në krye, Kosova ka një shans të madh që të anëtarësohet në NATO.

“Të bësh Amerikën sërish të madhe me forcë dhe frenim, është politika e re e ekspertëve të politikës së jashtme të Trump dhe Rubio.

Ky është shansi i madh i Kosovës që të marrë mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe njohjen nga të gjithë aleatët e NATO-s”.

Më tej, eksperti austriak kishte edhe disa porosi për kryeministrin Kurti dhe politikën e tij, ku kërkoi që të forcojë raportet me SHBA dhe aleatët tjerë.

Në këtë pikë, tha se ‘çelësi’ i së ardhmes është koalicioni me LDK-në, gjë për të cilën kishte disa argumente.

“Por, Albin Kurti duhet të ndryshojë. Kurti duhet të ndalojë lavdinë e tij socialiste dhe shpifjen e socializmit në skenën globale.

Nëse ai vazhdon mënyrat e tij të vjetra, Kurti nuk do të zgjasë shumë në botën e re të Trump. Dhe Grenell ka hakmarrjen e tij.

Kurti më mirë të ofrohet si paqebërës dhe mik i Amerikës, aleat i palëkundur i NATO-s, evropian besnik dhe të ndërtojë një koalicion të ri për të hapur dyert në Uashington dhe Berlin.

Çelësi është ndërtimi i një koalicioni të ri pro-amerikan pas koalicionit të shkurtit. Mënyra më logjike është t'i ofrohet LDK-së një partneritet duke përfshirë në ofertë Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Jashtëm për të ringjallur Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020”.

Më tej, ai përmendi edhe një rast ku Serbia ‘tradhtoi’ Trumpin, derisa Kosova e mbajti premtimin e saj.

“Kosova e ka mbajtur premtimin e saj për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Serbia e ka tradhtuar Trumpin për këtë.

Tani me Trumpin e rikthyer, Amerika duhet ta mbajë fjalën e saj dhe të investojë në sektorin energjetik të Kosovës nga ruajtja e baterive deri te hidrocentrali Gazivoda, për ta bërë atë sërish Liqenin Trump. Serbia duhet të ndëshkohet me tarifa 100% shkaku i tradhtisë ndaj Trump, derisa ajo të njohë Kosovën dhe të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem”, nënvizoi Fehlinger.

Në fund, paralajmëroi Kosovën se, Trump tani është gati për krijimin e paqes në Ballkan dhe për këtë kërkoi kujdes me qasjen e saj.

“LDK si pjesë e PPE duhet të jetë ura për kryeministrin Kurti në zemrën konservatore të Trump World.

Gjermania së shpejti do të udhëhiqet nga Merz dhe ai dëshiron të punojë me njerëzit e tij në Kosovë, LDK.

Nëse Kurti mërzit Trump dhe Merz, ai nuk do të zgjasë shumë në 2025 dhe do të kthehet në opozitë dhe Grenell do të triumfojë.

Trump tani është gati për krijimin e paqes në Ballkan dhe Kosova duhet të jetë në anën e tij të mirë tani.

Imponimi i tarifave të Trump ndaj Serbisë dhe rënia e Vuçiqit tani janë të mundshme dhe Kosova duhet të luajë mirë letrat e saj për të fituar në 2025”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat