A do t’i përgjigjet kryeministri Kurti debatit të kërkuar nga LDK, kjo është përgjigja që japin deputetët e Vetëvendosjes

Politika

A do t’i përgjigjet kryeministri Kurti debatit të kërkuar nga LDK, kjo është përgjigja që japin deputetët e Vetëvendosjes

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 25 janar 2025 Në ora: 08:08
Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës pak kohë para zgjedhjeve të reja parlamantare, sërish ka një kërkesë për Lëvizjen Vetëvendosje.

LDK-ja ka kërkuar një përballje debati ndërmjet dy krerëve të partive, LDK e LVV.

Kjo është hera e dytë që kjo parti kërkon një përballje të drejtëpërdrejtë me kryeministrin Kurti.

Kështu, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se ky është momenti i duhur për një debat, për të diskutuar se kush do të kujdeset më mirë për të ardhmen e qytetarëve.

“Po iu bëj thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve të Kosovës, që t’i bëjnë këtë pyetje Kurtit: Pse nuk iu përgjigj thirrjes së Lumirit për një debat publik? Në çfarëdo vendi, në çfarëdo kohe, në debat live vetëm rreth një teme: të ardhmen e Kosovës. Ky është momenti i duhur për një debat të vërtetë, për të diskutuar se kush do të kujdeset më mirë për të ardhmen e qytetarëve dhe kush ka planet më të mira, aftësinë për t’i realizuar ato, kush ka ekipin…” ka deklaruar Mustafa, të enjten Mustafa.

Madje, ai ka shtuar se, Kurti duhet të përballet për t’iu përgjigjur popullit.

“Unë e di se përgjigja është e qartë, por Kurti duhet të paktën t’i përgjigjet popullit dhe ne i bëjmë thirrje edhe njëherë ‘Eja në debat kudo, kurdo’. Populli i Kosovës e meriton dhe po e kërkon këtë debat”, ka deklaruar Mustafa.

Nëse do t’i përgjigjet Kurti dhe Vetëvendosja pozitivisht ftesës së LDK-së apo jo, “Bota sot” ka kontaktuar disa nga deputetët e kësaj partie.

Shumë nga ta nuk e kanë komentuar këtë ҫështje, derisa të tjerët thonë se kryesia merr vendim për këtë ҫështje.

Deputetja e Vetëvendosjes: E vendos shtabi

Kështu, vetëm deputetja e kësaj partie, Adelina Grainca u deklarua shkurt, ku tha se, kjo vendoset në shtab të Vetëvendosjes.

“Për këtë ҫështje vendoset në shtab të subjektit”, thekson ajo.

Image
Adelina Grainca

Vetëvendosje ende mbetet pa një përgjigje nëse do të ketë përballje apo jo.

Ndërkaq, njohësit e ҫështjeve politike, thonë se, duhet të ketë një rregull të zgjedhjeve që kandidatët për kryeministër të debatojnë me njëri-tjetrin.

Mehmeti: Kjo nuk është bërë as në të kaluarën, nga vetë ata që i kërkojnë debat Albinit

Kështu, Faton Mehmeti thotë se, këto debate kanë munguar edhe në të kaluarën, mirëpo Kurti nuk duhet të ndjekë gabimin e tyre.

“Realisht është dashur qysh moti të ndërtohet kultura e debateve televizive mes kandidatëve për kryeministra. Kjo gjë nuk është bërë as në të kaluarën nga vetë ata që i kërkojnë debat Albinit. Gjithsesi, kryeminstri Kurti duhet të prantonte ftesën për debat në mënyrë që të dëshmojë se është më ndryshe se tjerët, si dhe për t'i hapur rrugë ndërtimit të një kulture demokratike. Fakti që Kurti nuk e ka pranuar ka bërë gabim, siҫ kanë bërë edhe të tjerët”, vlerëson Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo gjë mund të rregullohet vetëm nëse futet si pjesë e rregullave të zgjedhjeve që kandidatët për kryeministra të kenë së paku tre debate mes tyre.

“Përndryshe e shoh të vështirë që të arrihet demokracia deri në atë nivel sa të ketë debate. Kurti gaboi që nuk pranoi ftesën”, thotë analisti Mehmeti për ‘Bota sot’.

Shkodra: Qytetarët do të përfitonin shumë sikur të kishin mundësinë të dëgjonin pikëpamjet e të dyve për ҫështjet që janë me rëndësi

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo thekson se, si kryeministër, Albin Kurti do të duhej të ishte i gatshëm që të dilte në debat publik me të gjithë kandidatët tjerë për kryeministër, pra kandidatët tjerë opozitarë.

“Dhe ftesa e fundit që iu bë në mënyrë direkte nga ana e Lidhjes Demokratike që të ketë një ballafaqim politik ndërmjet kandidatit për kryeministër Lumir Abdixhiku dhe kryeministrit në shkuarje Albin Kurtit, është shumë korrekte. Unë besoj që qytetarët do të përfitonin shumë sikur të kishin mundësinë të dëgjonin pikëpamjet e të dyve për ҫështjet që janë me rëndësi për ta”, thotë Shkodra.

Image
Magbule Shkodra

Analistja thekson se nuk pret që një gjë e tillë të ndodhë.

“Kjo sepse kryeministri ka vendosur që të mos ballafaqohet me askënd dhe jo vetëm ai, por në përgjithësi Lëvizja Vetëvendosje nuk është e pranishme nëpër debatat e shumt,a përveҫ ato që ata po i seleksionojnë, si ato në televizionin publik të Kosovës”, vlerëson ajo për ‘Bota sot’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat