Diplomati danez, Peter Sorensen, është konfirmuar të premten si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Sorenseni në këtë post do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun, të cilit më 31 janar i përfundon mandati që ka zgjatur gati pesë vjet.
Para disa ditësh Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ishte përcaktuar që pikërisht Sorensenit t’ia besojë detyrën për ta lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas procedurave të Bashkimit Evropian, tash duhet që këtë emërim ta konfirmojnë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Kjo pritet të ndodhë të hënën, më 27 janar, në takimin e radhës të Këshillit të çështjeve të jashtme.
Në këtë mënyrë, Peter Sorensen, si lehtësues për dialog, do të mund ta nisë punën nga fillimi i shkurtit.
Analisti shqiptar në Preshevë, Refik Hasani, kërkon që Sorensen të trajtojë diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi.
Sipas tij, kjo çështje mund të trajtohet duke e vizituar krahinën shqiptare që përfshin Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“I ngarkuari i BE-së, Peter Sorensen, do të duhej trajton diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi. Me rastin e emërimit nga BE-ja të diplomatit Danimarkas, në postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. I ngarkuari i BE-së, Peter Sorensen, është vazhdues pas mandatit gati pesëvjeçar të Mirosllav Lajçak. Diplomati, me një përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së, me një karrierë që ka ushtruar disa detyra një ndër ta edhe si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe Shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. I posa ngarkuari i BE-së, Peter Sorensen, përveç në krizën më të rëndë që po vazhdon në Bosnjë e Hercegovinë, ka ushtruar detyrën edhe Shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup. I posa ngarkuari i BE-së, do të duhej të trajtojnë duke e vizituar krahinën shqiptarë që përfshin Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shprehet Hasani.
Sipas tij, Lajçak nuk i ka bërë presion Serbisë dhe nuk i ka kërkuar me ngulmë zbatimin e marrëveshjes së Konçulit dhe respektimin e referendumit të 1 e 2 marsit 1992.
“Ish i ngarkuari i BE-së Mirosllav LAJÇAK, si përfaqësues i posaçëm i bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, asnjëherë nuk i kanë kërkuar me ngulm dhe nuk i kanë bërë presion Serbisë pas përfundimit të luftës së UÇPMB-ës, zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, por edhe respektimin e Referendumit të 1 e 2 mars 1992, që të dal në mbrojtje të vullnetit plebishitar të kësaj Krahine. Ish i ngarkuari i BE-së Mirosllav LAJÇAK, si përfaqësues i posaçëm i bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, asnjëherë, s’ka kërkuar që Serbia të kthejë Lapidarin e UÇPMB-ës në Preshevë”, thekson analisti.
Ai shton se shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar dhe se Serbia atë që po ua kërkon pakicës serbe në Kosovë ua mohon shqiptarëve në Serbi.
“Shqiptarët në Republikën e Serbisë, janë të diskriminuar, pasi po na pasivizohen adresat dhe po ndodh një pastrim etnik-një dëbimi dhe diskriminim, mungon Universiteti në gjuhën Shqipe, rregullimi me Ligj përdorimin i Simbolit tonë Kombëtarë shqiptarë Flamurit dhe përfaqësimi proporcional në nivelin lokal dhe Qendror. BE-ja, këmbëngul për Këshillin Nacional të pakicës Serbe në Kosovë, por kanë harruar luftën e UÇPMB-ës, Marrëveshjen e Konçulit, dhe Referendumin 1 e 2 Mars 1992. Atë që kërkon Serbia për pakicën Serbe në Kosovë-ua mohon shqiptarëve në Serbi-këtu kemi dy standarde. I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në mbylljen e bisedimeve Beograd-Prishtinë nuk mund të mbetët çështja e pazgjidhur e krahinës shqiptare në Serbi. BE-ja promovon vullnetin e shumicës prandaj, do të duhej të mos mbështesin me dy standarde në këtë rast mbështesin pakicën Serbe në Kosovë, por po harrojnë Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoci që në vitin 1992 kanë mbajtur dhe organizuar Referendum”, shton Hasani.
Në fund, ai ka kërkuar që Sorensen të mos bëj gabimet e rënda të paraardhësit.
“Mbesim me shpresë se njohurit, të posa ngarkuarit të BE-së, Peter SORENSEN, do t’i shërbejnë që ishte si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK),përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi, por edhe përvojën në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.
Krahina shqiptare është Rajoni më i pazhvilluar në gjithë Evropën. Shqiptarëve nuk mundë t'ju mohohen të drejtat që i gëzojnë sikurse pakica Serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe të drejtën e ulëseve të rezervuara në Parlamentin e Serbisë. I posa ngarkuari i BE-së, Peter Sorensen, do të duhej trajton diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi, dhe kështu nuk do ti përsëritë gabimet e rënda e paraardhësit, duke praktikuar dy standard për dy pakica”, përfundon Hasani.
Peter Sorensen është një diplomat me përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Ai më parë ka ushtruar disa detyra qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e udhëhiqte Bashkimi Evropian, e deri tek roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë-Hercegovinë dhe shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë.
Ka qenë edhe shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup, si dhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi. Në këtë moment Sorenseni është këshilltar principal në Shërbimin e veprimit të jashtëm për diplomaci digjitale të Bashkimit Evropian.
Diplomatët në Bruksel besojnë se ai i ka njohuritë e duhura për të vazhduar që ta lehtësojë, në emër të Bashkimit Evropian, edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po zgjat tash e 13 vjet.