Gjatë katër viteve të fundit dhe jo vetëm, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë kryesore dhe më e përfolura.
Vlen të theksohet se, njohjet e Kosovës, procesi drejt integrimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare janë peng i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së kësaj teme, kandidatët për kryeministër të partive politike nuk po ‘shqetësohen’ për këtë gjë.
Të gjithë liderët e partive politike, po i shmangen këtij procesi, ose më mirë të themi po e përmendin fare pak në fjalimet e tyre nëpër tubime me qytetarë.
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Eshref Ymeri.
Si fillim, ptotencoi se dialogu ‘injorohet’ nga partitë politike, pasi e dijnë se nëse merren me këtë temë, humbin vota.
“Partitë politike e anashkalojnë dialogun me Serbinë fashiste, sepse e dinë që humbasin përkrahjen e elektoratit dardan, i cili me siguri që nuk e dëshiron vazhdimin e çdolloj dialogu me Beogradin fashist”.
Krahas kësaj, ai sqaroi një gjë në lidhje me opozitën dhe partinë në pushtet, ku potencoi se kjo e fundit është e sinqertë me elektoratin dhe nuk do lejojë themelimin e Asociacionit.
“Por, duhet sqaruar diçka: nëse partitë opozitare (krahu majtist i kryetradhtarit Hashim Thaçi) ia kanë me hile elektoratit, sepse, në të vërtetë, si parti tradhtare, ato janë për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, partitë e djathta - Vetëvendosja dhe Guxo - janë shumë të sinqerta me elektoratin, sepse nuk do të lejojnë krijimin e atyre bashkësive, pasi, siç dihet, para dhjetë ditëve, qeveria i mbylli të gjitha institucionet paralele serbe në 28 komuna dhe pesë qarqe”, vlerësoi ai.
Po ashtu, profesori nënvizoi rëndësinë e mbylljes së këtyre institucioneve paralele, ku për këtë ia adresoi meritat Kurtit, Osmanit e Konjufcës.
“Me mbylljen e atyre institucioneve paralele, çështja e bashkësisë së komunave serbe u varros përfundimisht. Dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e treshes udhëheqëse - Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca. Në këndvështrimin tim, mbyllja e institucioneve paralele serbe duhet festuar si një shpallje e dytë e Pavarësisë së Republikës së Dardanisë”, përmbylli Eshref Ymeri për “Bota sot”.