Rikthimi i Trump në pushtet, komentohet deklarata e Bolton - ja çfarë pritet të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Rikthimi i Trump në pushtet, komentohet deklarata e Bolton - ja çfarë pritet të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi

Nga Më 26 janar 2025 Në ora: 08:02
Donald Trump dhe John Bolton

Rikthimi i Donald Trump në administratën amerikane po komentohet për shumë çështje, e një nga to është edhe ndikimi në dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë temë, foli edhe ish-këshilltari për Siguri Kombëtare të Donald Trump, John Bolton.

Ai tha se rikthimi i manjatit amerikan si President, mund t’i hapë rrugë një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Bolton në një intervistë tha se Trump mund t’i japë një zgjidhje finale situatës, nëse ai nis të shoh mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, si çështje prej të cilave mund të rrëmbejë merita dhe vlerësime.

“Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks, dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë. Duke marrë parasysh një sërë faktorësh destabiliteti, përfshirë Moldavinë me Transnistrian, mosmarrëveshjet për tubacionet që vijnë nga Rusia dhe gazin natyror drejt disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, mendoj se do të ketë përqendrim në rajonin si tërësi. Kjo më sugjeron se ky është një moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra. Prandaj, një interes nga ana e Trump nuk është i pamundur, ndoshta që në fillim të administratës së tij”, u shpreh Bolton.

Sipas ish-këshilltarit të Trump, interesi i Presidentit për situatat e mbartura nga e shkuara në Ballkan do vijojë edhe me administratën e re, ashtu siç ndodhi në mandatin e parë.

Mirëpo, nuk dihet se sa qëndron kjo deklaratë e Bolton, marrë parasysh se kohë më parë Presidenti amerikan Donald Trump e quajti atë një “person shumë budalla” dhe i hoqi mbrojtjen personale të ofruar nga Shërbimi Sekret. Ky vendim ka shkaktuar reagime, sidomos për shkak të përfshirjes së Bolton-it në debatet për Ballkanin, përfshirë mbështetjen e tij për një marrëveshje të diskutueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Bolton është një figurë e njohur në Ballkan për shkak të qëndrimit të tij ndaj një marrëveshjeje të bazuar në shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka deklaruar publikisht se ideja e ndarjes ka ardhur nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç gjatë vitit 2018.

Sipas Bolton-it, kjo ide nuk ishte një imponim nga Shtetet e Bashkuara, por një propozim që erdhi nga vetë liderët e Kosovës dhe Serbisë.

E në lidhje, me ndikimin që pritet të ketë Trump në dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë për shkëmbim territoresh folën analistët politik.

Haziri: Nëse marrëdhënia Kosovë-Serbi është lart në agjendën e presidentit Trump, mund të pritet një zgjedhje e kësaj çështje

Image
Nexhat Haziri

E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik, Nexhat Haziri.

Së pari, tha se nëse në agjendën e Trump është dialogu Kosovë-Serbi, atëherë mund të kemi njohje reciproke mes dy shteteve.

“Natyrisht se nëse çështja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është lart në agjendën e presidentit Trump, mund të pritet një zgjedhje e kësaj çështje e cila do të kishte apo do të përmbajë edhe njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një proces të tillë të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe nëse palët dakordohen dhe argumentojnë se opsioni i shkëmbimit të territoreve është zgjedhja e çështjes së raporteve ne mes Kosovës dhe Serbisë, sigurisht se do të gjejë përkrahje edhe në Uashington, por jo edhe në Bruksel”, nënvizoi ai.

Mirëpo, Haziri nuk beson se shkëmbimi i territoreve është një opsion, e këtë e argumentoi në faktin që një gjë e tillë nuk ka reflektuar në marrëveshjen e 4 shtatorit 2020.

“Megjithatë, nuk mund të thuhet se opsioni i shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, përkundër që është spekuluar shumë asnjëherë nuk ka qenë pozicion i SHBA-së as në administratën e parë të presidentit Trump, dhe ky pozicion nuk ka reflektuar as në marrëveshjen e 4 shtatorit te 2020 nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndërmjetësuar nga presidenti Trump”.

Ndër të tjera, analisti nuk beson se SHBA dhe BE do merren gjatë me Kosovën e Serbinë, e për këtë kërkoi vëmendje dhe përkushtim nga qeveria e re që do formohet pas 9 shkurtit.

“Por një gjë duhet kuptuar, askush nuk duhet të pres që Uashingtoni dhe Brukseli do të merret gjithmonë më çështjen e raporteve Kosovë-Serbi, sidomos tani kur jemi dëshmitar të një dinamike të shpejtë me të cilin po zhvillohen ngjarjet në gjeopolitikën botërore e që mund të prodhojë një rend të ri botëror që jo çdokujt, pra edhe neve, mund përkojë në plotëni me interesat tona. Dhe, kjo duhet të jetë preokupim i qeverisë së Kosovës që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e që duhet të jetë e përgatitur për pozicionin e Kosovës në vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë, por edhe për raportet me administratën e re të presidentit Trump”, përfundoi Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Qarri: Rikthimi i Donald Trump-it, si President i Shteteve të Bashkuara, mund t’i hapë rrugë edhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Image
Gani Qarri

Kurse, analisti tjetër politik, Gani Qarri u shpreh se si fillim Trump duhet t’i bëj presion Serbisë në disa pika, e si fillim largimin e Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe.

Po ashtu, tha se pa nënshkrim të çdo marrëveshje nga ana e qeverisë serbe nuk mund të hyhet në bisedime.

“Për një fillim të mbarë nën udhëheqjen e presidentit Trump, Serbia do duhej të detyrohej që urgjentisht ta heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj, përndryshe përveç problemeve që mund të sjell kjo çështje dhe në gjendjen kaotike, që ajo vet e ka futur dialogun, duke mos pranuar as marrëveshjen e dakorduar, me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, nuk e di se si dhe me kë mund të bisedohet për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, derisa kërkohet dakordimi i të dy palëve, sepse sado presion i fort e i pafund që pritet, apo mund edhe t’i bëhet padrejtësisht Kosovës, Kosova mund të flasë e vendosë vetëm për vete, por nuk mund të garantojë as arrijë e vetme, marrëveshje dypalëshe.

Kështu që pa sqarimin e letrës së qeverisë serbe, dhe nënshkrimin me çdo kusht të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel, nuk ka se si, të hyhet në bisedime, ngase Serbia me sjelljet e saj, e ka humbur komplet besimin dhe nuk mund të konsiderohet më bashkëbisedues serioz”.

Gjithashtu, ai përmendi rëndësinë që ka politika e jashtme e BE-së në arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve, derisa tha se nga ajo çfarë është parë deri tani, nuk duket që është prioritet kjo temë për administratën Trump.

“Procesi dhe forma e zhvillimit të bisedimeve do të varet edhe nga plani i projektuar prej udhëheqëses së re të Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ngase sipas informatave nga Brukseli, Kallas ka vendosur ta mbajë vet, barrën kryesore në bisedimet Kosovë -Serbi, kurse ndërmjetësuesi i propozuar nga ajo, diplomati danez Peter Sorensen, do të merret vetëm me caktimin e datave dhe organizimin e takimeve ndërmjet palëve dialoguese, ndërsa për dallim nga pararendësi i saj Josep Borell, fjalën kryesore do ta ketë Kaja Kallas.

Në anën tjetër, duke qenë se në katër vitet e fundit, që z. Trump nuk kishte funksione politike, gjendja në rajon, ka ndryshuar aq shumë, sa tani e gati tri vite, në truallin evropian kemi edhe një luftë të përgjakshme, e cila po zhvillohet në kufijtë e NATO-s dhe pragun e shtëpisë së qytetërimit evropian, interesi që Trump ka shfaqur në mandatin e parë, për të zgjidhur ngërçin në mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të pazgjidhura në Ballkan, të paktën tani për tani, nuk do të jetë më prioriteti kryesor i tij, sepse ai fillimisht apo ndoshta edhe dy vitet e para të mandatit të tij të dytë, do ti shpenzojë në angazhimin për dhënien fund luftës Rusi -Ukrainë, që do ti marrë shumë kohë dhe energji Amerikës, presidentit Trump, NATO-s dhe vet Bashkimit Evropian”, nënvizoi analisti.

“Procesi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare, do të varet edhe nga ndërmjetësimi i drejtë e i paanshëm”

Në vazhdim, Qarri tha se vetëm nëse arrihet paqe mes Ukrainës e Rusisë, mund të shpresohet se me rikthimin e Trump mund të happen rrugë për një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë.

“Por, nëse arrihet të ndërpriten luftimet dhe vije deri te marrëveshja për paqe ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, besojë se edhe udhëheqja e Serbisë do të ulet me këmbë në tokë, dhe ashtu siç shprehet ish-këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare John Bolton, rikthimi i Donald Trump-it, si President i Shteteve të Bashkuara, mund t’i hapë rrugë edhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse ai sheh në marrëveshjen mes dy vendeve edhe çështje prej të cilave mund të rrëmbejë për vete, merita e vlerësime ndërkombëtare.

Gjithsesi në konsideratë do të mund të merrej vetëm ajo marrëveshje, që nuk dëmton rregullimin e brendshëm shtetëror, nuk cenon integritetin territorial, as kufijtë e Republikës së Kosovës, me ngrehina të paqena serbe, të llojit të asociacionit kundërkushtetues serb, apo ndonjë të ashtuquajture "republika srpska", dhe atë nën kushtëzimet me reciprocitet, që të drejtat të cilat pretendon Serbia për pakicën e komunitetit serb në Kosovë, tu garantohen me marrëveshje të nënshkruar ndërkombëtare edhe shqiptarëve të mbetur nën Serbi”, shpjegoi ai.

Më tej, analisti tha se çdo lëvizje apo tendencë për ndryshim territoresh do të rrezikonte paqen dhe sigurinë në rajon.

“Besoj se edhe vet presidenti Trump, nuk është se vetëm e proklamon, por edhe është i përcaktuar për paqe e jo për luftë, përndryshe, çfarëdo tendence për ndarje dhe gllabërim tokash nga Serbia, në Kosovë apo edhe Bosnje e Hercegovinë, do të nxiste lëvizje të paparashikueshme separatiste e luftime të reja edhe më të përgjakshme, se në vitet e 90-ta të shekullit XX, për territore në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të rrezikohej në mënyrën më serioze, paqja e siguria në të gjithë rajonin.

Nuk duhet harruar me këtë rast, se procesi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare, do të varet edhe nga ndërmjetësimi i drejtë e i paanshëm dhe trajtimi i barabartë i të dy shteteve, nga faktori ndërkombëtar, BE dhe SHBA”– përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat