25 zotimet e Kurtit për mandatin e ri: Fokus Prokuroria e re Speciale kundër krimit dhe korrupsionit

Politika

25 zotimet e Kurtit për mandatin e ri: Fokus Prokuroria e re Speciale kundër krimit dhe korrupsionit

Më: 26 janar 2025 Në ora: 13:40
Albin Kurti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar 25 zotime së bashku me programin e planifikuar për mandatin e ri, të cilin synon ta fitojë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Një nga pikat kryesore të programit të tij ishte lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kurti në fjalimin e tij tha se do të themelohet Prokuroria e re për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai theksoi se kjo prokurori do të jetë një shtyllë e re në përforcimin e drejtësisë dhe llogaridhënies.

“Do të jetë një strukturë e re që garanton balancë dhe kontroll të efektshëm nëpër pushtete, duke rritur llogaridhënien e KGJK-së dhe KPK-së për veprimet e tyre. Zyra për Hetime Disiplinore, që do të krijohet gjithashtu, do të jetë përgjegjëse për trajtimin e ankesave dhe sjelljeve të papërshtatshme nga gjyqtarët dhe prokurorët. Procesi do të mund të iniciohet edhe ex officio”, deklaroi Kurti.

Me këtë zotim për krijimin e Prokurorisë së re Speciale, Kurti duket se po përpiqet të tregojë se gjatë këtij mandati nuk ka mundur të luftojë krimin dhe korrupsionin për shkak të kontrollit të vazhdueshëm të prokurorisë dhe gjyqësorit nga qeveria paraprake.

Ky veprim nënkupton përpjekjen për të krijuar institucione të reja dhe të pavarura që të mundësojnë realizimin efektiv të premtimeve.

Përveç drejtësisë, programi i Kurtit për mandatin e ri parashikon investime të mëdha në fusha të ndryshme, si shëndetësia, arsimi, kultura, sporti, infrastruktura dhe siguria. Një tjetrë zotim që bie në sy është themelimi i Gjykatës për Çështje Familjare.

Ndër masat tjera ekonomike, Kurti premtoi rritjen e pagës minimale mbi 500 euro, të cilën e cilësoi të patatueshme. Këto masa, sipas tij, do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në ndërtimin e një shteti më të drejtë dhe të barabartë.

Programi i prezantuar nga Kurti synon të adresojë disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen qytetarët e Kosovës dhe të krijojë një bazë të fortë për zhvillimin afatgjatë të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat