Ndërmjet realitetit dhe “imagjinatës”: Cila parti e ka programin qeverisës më të kapshëm?

Politika

Ndërmjet realitetit dhe “imagjinatës”: Cila parti e ka programin qeverisës më të kapshëm?

Nga: A.M. Më: 26 janar 2025 Në ora: 19:15
Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza e Ramush Haradinaj

Fushata zgjedhore ka filluar më 11 janar, derisa gjatë kësaj kohe partitë politike dhe kandidatët e tyre për kryeministër e për Kuvendin e Kosovës, kanë pasur kohë që t`i shfaqin zotimet e tyre për qeverisjen e ardhshme.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i ka komentuar këto premtime apo zotimet e partive politike. Ai është shprehet skeptik për përmbushjen e të gjitha premtimeve elektorale.

“Jemi në pjesën e parafundit të fushatës parazgjedhore të 9 shkurtit të këtij viti, dhe në Kosovë, po zhvillohet një “rrëmujë” e madhe gjatë këtyre fushatave partiake, ku secila pretendon edhe përtej asaj që nuk ka mundësi ta përthekojë dhe ta realizojë një premtim të tillë, por vetëm sa për të thënë diçka dhe për t’ua mbushur syrin adhuruesve dhe përkrahësve të vet. Në këto fushata secili kandidat për kryeministër i jep premtimet e veta përmes programeve që i ka shkruar në letër, por këto premtime a, do të realizohen në kohën e caktuar dhe mandatin katër vjeçar është e pa mundur, sepse në vendin tonë edhe nëse ka vullnet dhe përkushtim sa do të veçantë, nuk është e mundur në kuptimin e plotë të plotësohen dhe realizohen të gjitha programet për shkak të kushteve dhe rrethanave, por së paku të gjejnë një përafrim dhe përshtatje minimale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Dedë Preqi

Së pari, Preqi e ka komentuar fushatën zgjedhore dhe premtimet e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Duke filluar me LVV, me kryeministër Albin Kurti, përveç programeve zhvillimore dhe përmirësimin e standardit dhe mirëqenjës, përkrahje marrin edhe bizneset, po ashtu në fokus të veçantë do jetë angazhimi në forcimin dhe armatimin e FSK-së, duke e shtuar buxhetin e saj. Pastaj në programin e kësaj partie gjejmë edhe përkrahjen e gruas me theks të veçantë, po ashtu gjejmë një mbështetje edhe në makinerinë prodhuese e përpunuese, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport të jashtëm në kuadër të secilës do themelohet edhe Banka e saj zhvillimore, duke krijuar edhe vende të punës”, ka theksuar ai.

Më tej, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, opinionisti ka treguar se në çfarë është fokusuar më së shumti kjo parti.

“Dhe vazhdojmë me LDK, në krye me kandidatin e saj për kryeministër Lumir Abdixhiku, ku në të shumtën e rasteve në tubimet e tyre parazgjedhore do të mburret me liderin historik Ibrahim Rugova, por sot, kjo parti ka zgjedhur një logo të ashtuquajtur “Rruga e Re”, si një frymë tjetër, e cila premton shumë dhe menjëherë rritje të shpejtë të pagave, shumë vende të punës, përkrahje të bizneseve dhe me shtimin e investimeve për të shtuar kapacitetin e rrymës dhe të tjera”, ka analizuar ai.

Në anën tjetër, për Partinë Demokratike të Kosovës, Preqi është shprehu se kjo parti tubimet i ka hapur me mburrjen e komandantëve të UÇK-së.

“Ndërsa PDK, në krye me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, duke hapur tubimet e tyre parazgjedhore me mburrjen e komandantëve të UÇK-së, njëherazi duke ndarë një shumë prej 6 miliardë eurosh për projekte kapitale dhe zhvillim, po ashtu duke mbështetur bizneset private dhe premtimet e tyre janë për lehtësimin e pagesave të TVSH-së, në dogana dhe shumë premtime tjera”, ka treguar ai.

Ndërkaq, premtimin që e ka dhënë koalicioni AAK-NISMA është inkuadrimi në NATO, ku opinionisti e quan si “ëndërr”, që e ka realitetin shumë larg.

“Dhe kemi AAK-NISMA, që vjen me shumë premtime të mëdha, sikur edhe të tjerat parti, duke mbështetur bizneset e vogla dhe të mëdha, por e veçanta e tyre në krye me Ramush Haradinaj, mbetët te angazhimi i saj, duke dhënë një premtim të fuqishëm në inkuadrimin e menjëhershëm të Kosovës, në NATO, që do të ishte një ëndërr e madhe dhe e fuqishme për vendin tonë, por një premtim i tillë mbetët më shumë si një “ëndërr” që e ka realitetin shumë larg”, ka shtuar ai. Gjatë analizës së fushatës zgjedhore, Preqi ka treguar se shumica e programeve të partive politike janë të njëjta. “Sikur të gjitha partitë në fushatat e tyre janë me programe deri diku të njëjta, duke i dhënë rëndësi temave zhvillimore, që kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimin, kulturën, bujqësinë, infrastrukturën, zhvillimin e bizneseve dhe shumë të tjera, por nëse duhet të pohojmë se të gjitha gjatë mandatit të tyre të cilat nuk e kanë kryer deri në fund përveç LVV, të gjitha të tjerat kanë qenë me një mungesë të madhe në plotësimin e këtyre premtimeve”, ka nënvizuar ai.

Në fund, opinionisti ka treguar se në cilat tema do të duhet të diskutohen gjatë fushatës zgjedhore.

“Mirëpo, në kuptimin e asaj që duhet të plotësohet dhe të kemi në këto fushata parazgjedhore, do të ishte edhe fokusimi i tyre në temat të tjera specifike, siç është edhe “Ndotja e ajrit” në vendin tonë, që e kemi kryeqytetin e vendit tonë Prishtina, njërin vend që renditet e 12-ta, më ajrin më të ndotur në botë, dhe sikur asnjëra parti nuk është marrë dhe nuk e ka në programin e vet një plan dhe strategji për të ndërmarrë një evitim të mundshëm apo filtrim të tymi që sjellin termocentralet që punojmë me thëngjill për të prodhuar rrymë elektrike, duke e kanosur dhe rrezikuar shëndetin e popullatës së këtij vendi dhe rajoni. Po ashtu në këto fushata parazgjedhore, pothuaj se asnjëra parti nuk e zë në gojë dhe nuk përmendet Dialogu me fqinjin Serbi, dhe krijimi i marrëdhënieve me këtë vend, por edhe as Asociacioni i Komunave serbe në veri të vendit, që Kosova, e ka si obligim të saj dhe secila qeveri që vjen në pushtet, do e merr këtë përgjegjësi, sepse e ka obligim një çështje të tillë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, dhe nga SHBA-të”, ka përfunduar Preqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat