Ndryshimet në administratën amerikane, mirëpritet ky vendim i Trump - ekspertët: Lajm i mirë për Kosovën!

Politika

Ndryshimet në administratën amerikane, mirëpritet ky vendim i Trump - ekspertët: Lajm i mirë për Kosovën!

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 28 janar 2025 Në ora: 08:02
Donald Trump dhe John Ratcliffe

Ligjvënësit amerikanë konfirmuan të enjten një anëtar kyç të ekipit të sigurisë kombëtare të Presidentit Donald Trump, me një votim 74-25 që John Ratcliffe të drejtor i Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA.

Zoti Ratcliffe, i cili shërbeu si Drejtor i Zbulimit Kombëtar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, bëri betimin rreth dy orë më vonë përpara Nën Presidentit JD Vance.

Nën Presidenti Vance e cilësoi zotin Ratcliffe një "patriot të madh" dhe tha se ka besimin e Presidentit.

Mbështetja që Ratcliffe mori nga demokratët pasqyron evolucionin e politikës amerikane.

Gjithashtu, Ratcliffe njihet edhe si mik i shqiptarëve.

Kujtojmë se, në vitin 2016, ai ishte i ftuar special në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në Nju Jork.

Megjithatë, pritjet nga ai në raport me Kosovën, konsiderohet se duhet të jenë në një masë të konsiderueshme, marrë parasysh qëndrimet e tij.

Se çka mund të presim më saktësisht nga shefi i ri i CIA-s, për “Bota sot” folën ekspertët e sigurisë.

Elezi: Ky konfirmim nga ana e administratës së re Trump nënkupton edhe mundësinë që Kosova dhe vendet shqiptare sërish të kenë vëmendjen e SHBA-së

Së pari, për këtë çështje në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Si fillim, ai u shpreh se lajmi se John Ratcliffe është emëruar shef i CIA-s, përben një lajm të mirë për Kosovën dhe shqiptarët.

Image
Bedri Elezi.

Sipas tij, ky emërim nënkupton që Kosova dhe vendet shqiptare do ta kenë vëmendjen SHBA-së dhe administratës saj të re.

“Konfirmimi në krye të inteligjencës amerikane, përkatësisht CIA, i John Ratcliffe është një lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës. Ngase, i njëjti ka një marrëdhënie të mirë me shqiptarët në përgjithësi, qofshin ata që jetojnë në SHBA apo edhe shqiptarët të cilët janë duke organizuar jetën e tyre në shtetet ballkanike, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni i Veriut, Serbi dhe vende të tjera.

Ky konfirmim nga ana e administratës së re Trump nënkupton edhe mundësinë që Kosova dhe vendet shqiptare sërish të kenë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e sidomos në këto kohë kur ka një përpjekje të re për një organizim të fuqishëm sa i përket sigurisë në Ballkan dhe se Kosova apo shtetet shqiptare duhet të jenë burim i sigurisë”, theksoi Elezi.

Krahas kësaj, Elezi u shpreh shumë optimist tek administrata Trump, si dhe tek politika që ky i fundit do t’i implementojë në fushën e sigurisë, e të cilat do ta prekin edhe Kosovën e shqiptarët në përgjithësi.

“Administrata e re e Trumpit do të fokusohet për angazhim në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë të cilat do të drejtoheshin apo janë drejtpërdrejt investim i qeverisë së re amerikane, përkatësisht administratës Trump. Ky person, i cili ka treguar se ka gjithashtu një profil të jashtëzakonshëm sa i përket aktiviteteve në fushën e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, por po ashtu edhe të sigurisë, besoj që do të punojë fuqishëm bashkë me institucionet tjera amerikane, si dhe qeveritë lokale, për të konsideruar se Kosova dhe vendet e rajonit të cilat janë të populluar me shqiptarët mund të jenë burim i rëndësishëm, sa i përket aktiviteteve, organizimit të aktiviteteve për programe të ndryshme, struktura të ndryshme të sigurisë, të cilat do të kenë një impakt në të gjithë Gadishullin Ballkanik dhe mund të jenë një port, nga ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të orientojnë edhe siguri e saj për gjithë Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Në fund, ai theksoi faktin se Kosova dhe vendet tona shqiptare kanë një fuqi të jashtëzakonshme të burimeve njerëzore në fushën e inteligjencës.

“Ne duhet të shfrytëzojmë këtë rast që ky mik i madh i shqiptarëve do të kishte ushtru besimin tek ne për të pasur parasysh që, eventualisht programet e sigurisë për gadishullin Ballkanik apo gjithë Bashkimin Evropian, të zhvillohen në Kosovë apo edhe në vendet euro-ballkanike, në mënyrë që të jemi partner serioze Shteteve të Bashkuar të Amerikës.

Gjithashtu, duke marrë në konsideratë nevojën se shërbimet inteligjente të huaja kanë shumë nevojë për burime njerëzore, ne më kujtojmë që Kosova dhe vendet tona shqiptare kanë një fuqi të jashtëzakonshme të burimeve njerëzore, sidomos rinisë, të cilët e kanë një performancë të mirë në organizimin e aktiviteteve në fushën e inteligjencës, përfshi këtu edhe inteligjencën artificiale”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.

Hoxha: CIA i ka planet dhe strategjinë e punës për interesat e SHBA-së

Kurse, ish-ushtaraku, Hafir Hoxha u shpreh se strategjia e CIA-s është në interesat e SHBA-së.

Image
Hafir Hoxha

Ndonëse, Kosova është vend i vogël, problemet me Serbinë dhe politika pro-ruse të kësaj të fundit, do e nxisin sipas tij reagimin.

“CIA i ka planet dhe strategjinë e punës për interesat e SHBA-së, Kosova është një vend shumë i vogël, por është aktual problemi mes Kosovës e Serbisë. Kjo pasi Serbia ende me politika proruse paraqet problem, ku dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ende heziton të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së, në këtë drejtim punon dhe angazhohet SHBA që kjo të ndodhë ne Serbinë.

Tani nuk dihet kur dhe si do të veprojë Serbia në këtë drejtim, pasi ajo po pret rezultatin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, ish-ushtaraku tha se duhet të presim të shohim se me çfarë formule do punojë CIA, ku potencoi se beson se do e informojë drejtë dhe saktë SHBA-në, për raportet Kosovë-Serbi.

“Derisa Serbia, nuk bëhet anëtare e BE dhe e NATO-s ajo rregullisht do të ngacmojë Kosovën dhe zhvillimin e saj.

Me çfarë formule do të punojë administrata e Trump në këtë çështje mbetet të mësojmë më vonë, por CIA nuk mundet të ndryshojë politikën e jashtme të SHBA, por mundet me informu drejtë dhe saktë për situatën, kudo që është në interes të Amerikës. Kurse, sa i përket problemit mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë kemi fat që të dhënat do të jenë të sakta dhe të paanshme për palët në konflikt!” – përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat