Parafushata dhe fushata zgjedhore ka risjellë në skenë shumë politikanë, të cilët gjatë mandatit të tyre apo gjatë këtij katërvjeçari nuk u paraqiten para opinionit publik ose paraqitjet e tyre ishin minimale.
Këta politikanë nuk dhanë asnjë lloj mendimi gjatë këtyre katër viteve as për çështjet apo problemet më të vogla që është përballur shteti i Kosovës, apo edhe qytetarët e Kosovës.
Sapo u afrua koha për zgjedhjet e 9 shkurtit shumë politikanë u zgjuan nga “gjumi i arushës” dhe filluan të aktivizohen e të zhvillojnë takime të ndryshme me qytetarët e Kosovës.
Por, për shkak të periudhën që ata nuk ishin aktivë, a do të ndëshkohen nga qytetarët?
Për këtë kanë folur njohësit e çështjeve politike.
Akuza mbi programet gjatë fushatës
Sipas analistit politik, Faton Mehmeti, është e natyrshme aktivizimi më i madh me afrimin e zgjedhjeve.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/January/28/auto_1001738054982.jpg)
“Është e natyrshme që aktivizimin të bëhet më i madh me afrimin e zgjedhjeve, por e panatyrshme është ashpërsimi i gjuhës, narracionit në tubime. Shumë pak flitet për programe e më shumë akuza ndaj njëri-tjetrit”, ka theksuar ai.
Po, ashtu, Mehmeti ka treguar se cilat janë pritjet e tij, pasi po afrohet edhe fundi i fushatës zgjedhore.
“Kjo fushatë po risjell ashpërsim të toneve, çka është jashtë interesit të qytetarëve, dhe e habitshme është se politikanët nuk ofrojnë atë për çka janë të thirrura tubimet. Pres që në javën e fundit të fushatës zgjedhore të ketë edhe më shumë tonë të ashpra, akuza nga më të ndryshmet në tentativa për të fituar sa më shumë vota. Kështu që, pres të jetë e zjarrtë kjo fushatë si asnjë tjetër”, ka deklaruar Mehmeti.
"Ashpërsimi i gjuhës dhe mashtrimi politik para zgjedhjeve"
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot”, i ka kritikuar politikanët të cilët u aktivizuan pak para fushatës zgjedhore.
“Para fushatës zgjedhore, ka filluar që të ashpërsohet edhe më shumë gjuha politike ndërmjet subjekteve politike në Kosovë. Kanë filluar që të jenë shumë aktiv në jetën e përditshme dhe të kenë interes për problemet e qytetarëve, gjë që është pak jo serioze kjo formë e tyre sepse gjatë tërë mandatit as që janë marr me jetën e sovranit, ku kjo tregon se kanë vetëm një mashtrim deri sa ta marrin votën”, ka thënë ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/January/28/auto_991738054981.jpg)
Më tej, ka shtuar se qytetarët janë vetëdijesuar dhe mund t`i ndëshkoj me votë ata politikan që nuk i realizuan premtimet e tyre.
“Tani qytetari thuajse është i vetëdijesuar se e gjitha ky aktivitet ndodh vetëm për të marrë votën dhe të ulën “nën hije” duke shikuar dritën dhe i presin zgjedhjet e ardhshme. Por, qytetari nuk do të harrojë të kaluarën e tyre dhe premtimin se çfarë kanë thënë e nuk është realizuar për 4 vitet e shkuara. Tani do të e marrin dënimin nga qytetari me mos votimin e tyre sepse ishin pasiv dhe nuk u morën me qytetarin, por vetëm me jetën e tyre individuale të përfitimit nga taksa e qytetarit”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, Hertica ka treguar se cila nuk është forma më e mirë për ta joshur votuesit potencial.
“Njohës të rrethanave politike në vend e shohin më shqetësim ashpërsimin e gjuhës së politikanëve që sipas tyre, në ditët në vazhdim mund të thellohet edhe më shumë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Të njëjtit, konsiderojnë që kjo nuk është forma më e mirë për të joshur elektorat, por duhet të ofrojnë programe cilësore dhe një gjuhës mirësjellje në politikë”, ka cilësuar ai.
Më tutje, Hertica ka folur edhe për gjuhën që përdoret nga politikanët gjatë fushatave zgjedhore.
“Gjuha është një nga mjetet më të rëndësishme që përdorin politikanët kur bëjnë fushatë, sepse mashtrojnë dhe gënjejnë, dhe nga ato që nuk i kanë realizuar, fillojnë të përdorin fjalë të pista. Me formulime të mirë menduara dhe ndërlikime fjalësh, ata ndikojnë në mënyrën se si njerëzit mendojnë për një temë të caktuar. Përveç kësaj, edhe gjuha e politikanëve është një temë shumë e diskutuar, një temë intriguese: politika në gjuhë. Një truk i zakonshëm mes politikanëve është përdorimi i fjalive pasive. Kjo mund të zbusë ose pakësojë ndikimin e informacionit të pakëndshëm. Dihet që partitë politike gjatë fushatave të tyre bëjnë shumë premtime të cilat nuk mund t’i realizojnë. E gjithë kjo që ndodh është vetëm interesi material dhe jo jeta e dinjitetshme e qytetarit, e bile as që merren me problemet primare të qytetarëve, sepse e kanë të garantuar pagën dhe mandatin. Mashtrimi ose gënjeshtra është një veprim ose deklaratë që mashtron, fsheh të vërtetën ose promovon një besim, koncept ose ide që nuk është e vërtetë. Shpesh bëhet për përfitime ose interesa personale. Mashtrimi mund të përfshijë shpifje, propagandë dhe dinakëri, si dhe shpërqendrim, kamuflim ose fshehje. Ka edhe vetë-mashtrim, si në keqbesim. Mund të quhet gjithashtu, me implikime të ndryshme subjektive, mashtrim, blof, mistifikim, hile ose mashtrim”, ka përfunduar Hertica për “Bota sot”.