170 euro për të votuar Listën Serbe, ja si po ndërhyn Serbia në zgjedhjet në Kosovë – kërkohet të merren masa urgjente

Politika

170 euro për të votuar Listën Serbe, ja si po ndërhyn Serbia në zgjedhjet në Kosovë – kërkohet të merren masa urgjente

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 28 janar 2025 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Serbia, tash e sa ditë është duke u angazhuar për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, më 9 shkurt.

Në këtë proces është përfshirë edhe Komisariati për Refugjatë dhe Migrim, që është organizatë shtetërore në këtë vend.

Më 17 janar, ai u ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.

Mirëpo, pas këtij mobilizimi po duket se ka edhe një prapavijë tjetër.

Në bazë të raportimeve të fundit, qytetarët e komunitetit serb kanë filluar të pranojnë shuma parash për të votuar subjektin Lista Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Si fillim, ata njoftohen paraprakisht në telefon për ditën dhe orën. Kjo, për të mos u kuptuar për veprimet e kundërligjshme, ku më pas edhe pranojnë paratë.

E shuma që ata marrin mësohet të jetë 20 mijë dinarë.

Se kjo veprimtari po ushtrohet ilegalisht e konfirmuan për tëvë1 edhe nga Komuna e Zveçanit.

“Tash e disa ditë kemi pa numër më të shtuar të personave në atë lokal, por që ne nuk kemi ndonjë informacion lidhur me arsyet pse dhe si. Ne mendojmë se është kohë fushate dhe për më tepër nuk kemi informacion”, thonë nga Komuna e Zveçanit.

Ngjashëm po veprohet edhe në komunën e Leposaviqit.

Mirëpo, sa e rrezikojnë procesin zgjedhor në komunat veriore të vendit këto veprimtari të kundërligjshme, folën njohësit e çështjeve juridike.

Ata treguan edhe masat që duhet të ndërmerren në lidhje me këto raste.

Jashari: Një përpjekje e tillë, dëmton rëndë procesin zgjedhor, si një instrument shumë i rëndësishëm demokratik

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli avokati, Arbër Jashari.

Së pari, ai përmendi financimet që po i bën shteti serb dhe në këtë mënyrë po ndikon në zgjedhjet në Kosovë.

Image
Arbër Jashari

“Qeveria e Serbisë paska filluar të ndajë nga 20 mijë dinar (rreth 170 euro) për 5 mijë serbë të papunë në Kosovë, gjoja në emër të mbështetjes financiare, duke paralajmëruar gjithashtu se do të shtrijë dorën edhe për kategori të tjera. Ky veprim i shtetit fqinj vjen në kohën kur në Republikën e Kosovës është duke u zhvilluar fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, dhe në të cilën po marrin pjesë disa subjekte politike nga radhët e komunitetit serb”.

Krahas kësaj, Jashari potencoi se kjo është tendencë për të ndikuar te votuesit, krejt kjo për të shkuar në favor të Listës Serbe.

“Kjo qasje e Republikës së Serbisë duket të jetë një tendencë për të ndikuar tek votuesit serbë të Kosovës, në favor të subjektit politik “Lista Serbska”, e cila gëzon përkrahje të hapur nga Qeveria e Beogradit, por që popullariteti saj tek pjestaret e komunitetit më të madh pakicë në vend, kohëve të fundit ka pësuar rënie”.

Ndër të tjera, shtoi se një gjë e tillë e dëmton procesin zgjedhore dhe kërkoi nga institucionet e Kosovës që të marrin masat e duhura.

“Një përpjekje e tillë, dëmton rëndë procesin zgjedhor, si një instrument shumë i rëndësishëm demokratik. Demokracia është e plotë vetëm kur edhe komunitetet pakicë, e kanë mundësinë që lirisht, të pandikuar dhe të pamanipuluar, vullnetin e tyre politik ta materializojnë me votë, për subjektet dhe kandidatët që ata i simpatizojnë.

Institucionet e Kosovës, duhet të marrin të gjitha masat që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të votojnë lirshëm dhe të pandikuar”, përfundoi Arbër Jashari për “Bota sot”.

Musliu: Sa më shumë afrohet 9 shkurti, Serbia do t’i intensifikojë ndihmat për Listën serbe

Kurse, juristi nga Blegjika, Skënder Musliu përmendi pjësmarrjen e vogël të partive serbe në Kosovë në fushata zgjedhore.

Image
Skënder Musliu

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi faktin se pse është e ‘obliguar’ Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Derisa partitë politike shqiptare janë në aktivitet intenziv të fushatës zgjedhore të 9 shkurtit, partitë serbe të Kosovës, edhe pse kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre, ende nuk po vërehet në terren një gjallëri e fushatës. Mendoj se kjo atmosferë po ndodh nga shkaku se strukturat kriminale serbe nuk janë më prezent sikur në zgjedhjet e kaluara, kur bënin presion, friksonin dhe shantazhonin hapur qytetarër serb për të votuar Listën serbe.

Përveç Listës serbe, pjesëmarrjen e tyre, për dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, e kanë paralajmëruar edhe disa parti të vogla serbe, respektivisht parti që drejtohen nga Nenad Rashiqi, Aleksandar Jabllanoviqi, Milija Bishevac e tj. Lista serbe, edhe pse për momentin nuk po manifestohet sikur në zgjedhjet e mëparshme, ajo është e obliguar, jo vetëm të marr pjesë, por edhe të garojë me gjithë potencialin, sepse në të kundërtën partitë e vogla serbe mund t’ia rrezikojnë ulëset në Kuvend, me çka Serbia do t’a humbte kontrollin e serbëve”.

Krahas kësaj, Musliu theksoi se Vuçiq po tenton ta rikthejë ndikimin te serbët e Kosovës, përmes Listës Serbe dhe për këtë po angazhohet që kjo e fundit të fitojë me patjetër ulëset në Kuvendin e Kosovës.

“Vendimi dhe urdhëri i Vuçiqit për largimin dhe bojkotimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, ka qenë një vendim keq i kalkuluar, sepse ai kishte menduar se në këtë mënyrë Kosovën do t’a çonte në një krizë të pakontrolluar politike dhe institucionale që do të ishte në favor të Serbis. Mirëpo, këto kalkulime, edhe pse faktori ndërkombëtar padrejtësisht nuk u implikua seriozisht për t’a qortuar Vuçiqin, fatmirësisht koha e tregoi të kundërtën, mbase kishte edhe shumë kritika nga analistë të pavarur serb nga Beogradi. Duke parë këtë gabim Vuçiqi, si dhe për t’a rikthyer ndikimin e tij te serbët e Kosovës dhe rivendosjen e kontrollit mbi serbet e instrumentalizuar ndër vite, ai do të bëjë ç’mos që t’a favorizojë dhe ndihmojë Listën serbe në forma dhe mënyra të ndryshme që t’i fitojë vendet e rezervuara në Kuvend, sikur më parë”, nënvizoi ai.

Megjithëse, juristi nga Belgjika vlerëson se presidenti serb do e ketë më të vështirë realizimin e synimeve të tij, kjo për shkak të disa faktorëve.

“Shtrohet pyetja se, a do t’ia arrijë këte Vuçiqi?! Gjykoj se, kësaj radhe, do të jetë pak më vështirë t’a realizojë këtë aspiratë, sepse me ardhjen e kryeministrit Kurti në pushtet, realiteti në jetën politike dhe të sigurisë në terren ka ndryshuar në mënyrë radikale në favor të institucioneve të Kosovës. Në kohën kur Lista serbe , që nga viti 2013 kur ishte formuar nga Vuçiqi dhe Hashim Thaçi, dominonte skenën politike të serbëve të Kosovës ka qenë periudha e tyre më e art, ishte koha kur strukturat kriminale serbe në krye me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin të dirigjuara nga Beogradi, kishin kontrollin e plotë mbi pjesën veriore të Kosovës, kur në mënyrë ilegale punonin instuticionet parale të Serbisë, sikurse komunat, postat, bankat, dinari, targat… ishte koha kur lulëzonte korrupcioni, kontrabanda përmes rrugëve ilegale të mallrave nga Serbia, trafikimi me drogë dhe qenie njerëzore, kur armatoseshin serbët, me një fjalë, krimi i organizuar, shkurt institucionet e Kosovës nuk kishin qasje as ndikim në veri, sepse integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës seriozisht ishte rrezikuar dhe cunguar”, u shpreh Musliu.

Më tej, ai kritikoi qasjen që qeveritë paraprake kishin për veriun dhe Listën Serbe.

“Për fat të keq, kësaj situate i kishin kontribuar politikanët e korruptuar shqiptar që bashkëpunuan dhe bashkëvepruan duke bërë biznis me kriminelët e veriut të Kosovës, të cilët në emër të UÇK-së, tradhtuan kauzën kombëtare, por jo vetëm kaq, këtë situatë kuislingët shqiptar e kishin krijuar qëllimisht duke përgatitur trrenin për ndarjen definitive të pjesës veriore të Kosovës, ashtu siç i kishin premtuar Vuçiqit. Mirëpo, pas agresionit të Kosovës në Banjsko dhe pasi Qeveria Kurti « Rojet e Urës » dhe Brigadat e Veriut » i shpalli organizata terroriste, çdo gjë ndryshoi, kriminelët serbe ikën në Serbi dhe ndikimi i tyre mbi serbet e instrumentalizuar u dobësua dukshëm.

Fitores eventuale të Listës serbe, më shumë mund t’i gëzohet Beogradi dhe opozita shqiptare respektivisht PLAN-i, se sa serbët e Kosovës, sepse nëse PLAN-i i bënë votat e nevojshme, atëherë është mëse e sigurtë, si zakonisht, se do të bëjë koalicion me Listën serbe, vetëm për ta rrëzuar Qeverinë Kurti”, deklaroi juristi.

Në fund, shtoi se pagesat që po raportohen se po bëhen për votuesit serbë, janë një ndërhyrje flagrante në proçesin zgjedhor, gjë e cila dënohet edhe me ligj.

Për këtë, ai kërkoi hetime nga prokuroria dhe mbledhje të provave në lidhje me këtë rast.

“Beogradi publikisht ka shprehur përkrahjen e Listës serbe, ka bërë thirrje që të gjithë serbet t’a votojnë atë, dhe sa më shumë afrohet 9 shkurti, Serbia do t’i intensifikojë ndihmat për Listën serbe. Në këtë kuptim, Vuçiqi në mënyrë të kundërligjshme po shpërndan ndihma financiare nga 170 euro për serbët e Kosovës, me qëllim që t’i influencojë votuesit serbë të votojnë për Listën serbe. Këto ndihma financiare të Serbisë, konsideroj se, paraqesin ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor, që sanksionohet me ligj, prandaj prokuroria duhet të hetojë, të mbledh provat e nevojshme dhe të veprojë konform ligjit në bashkëpunim me gjykatën.

Mendoj se ajo çka ndryshon nga zgjedhjet e mëparshme, është fakti se, nuk besoj se do të ketë mbushje të kutive me fletvotime të falsifikuara dhe nuk mund të ketë më vjedhje industriale të votave nga Lista serbe, sepse prezenca institucionale e shtetit të Kosovës nuk e lejon më këte, mbase Qevria Kurti, KQZ-ja, komisionerët, vëzhguesit dhe policia do të jenë në nivel të detyrës, krahasuar me të kaluarën. Në të kaluarën politikanët e korruptuar, qëllimisht, jo vetëm që e kanë toleruar mbushjen e kutive, por edhe e kanë mundësuar ate, sepse iu ka konvenuar fitorja e Listës serbe për të bërë koalicion dhe për të qëndruar në pushtet”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat