Cili duhet të jetë çelësi i ruajtjes së frymës së raporteve SHBA- Kosovë?, analisti jep ‘zgjidhje’: Nuk besoj se Donald Trump nuk do të...

Politika

Cili duhet të jetë çelësi i ruajtjes së frymës së raporteve SHBA- Kosovë?, analisti jep ‘zgjidhje’: Nuk besoj se Donald Trump nuk do të...

Nga: N.E Më: 28 janar 2025 Në ora: 20:01
Donald Trump- Albin Kurti

“Kosova mban një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO”, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në të përditshmen spanjolle “El Mundo”.

Kurti ka bërë edhe një ndarje ndarje sa i përket prioriteteve nën administratën Trump 1 dhe pasuesen e saj, atë të presidentit demokrat Joe Biden.

“Gjatë mandatit (v.j. të parë) të Trumpit, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prioritizuar për të promovuar stabilitetin, ndërsa administrata e Bidenit forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; Ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ka deklaruar Kurti.

Ai i ka përmendur marrëveshjet ekonomike të arritura midis Kosovës dhe Serbisë, për çka ka thënë se kjo ishte qasja e asaj kohe (Administrata Trump 1) për promovim stabiliteti.

Teksa, për administratën Biden, ai ka thënë se ka forcuar institucionet demokratike në Ballkan.

“Kosova mban një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit (v.j. të parë) të Trumpit, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prioritizuar për të promovuar stabilitetin, ndërsa administrata e Bidenit forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; Ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ka thënë Kurti.

Gjersa, Kurti flet për marrëdhëniet Kosovë- SHBA, analisti Zejnullah Jakupi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth qasjes së Kosovës ndaj administratës Trump dhe realitetit të ri në SHBA.

Jakupi thotë se marrëdhëniet nuk duhet asnjëherë të ndryshohen apo të kalohen.

Sipas tij, ka pasur mosmarrëveshje gjatë qeverisjes Kurti I, por tani duhet të punohet të përmirësohet në atë drejtim.

“Komunikuese dhe përafruese sepse ne e dimë se politika e Kosovës ndaj SHBA-ve nuk ndryshon siç nuk do të duhej të ndryshonte as ajo e SHBA-ve ndaj Kosovës. Pra këto marrëdhënie i ka vendosur ish-presidenti i Kosovë Dr. Ibrahim Rugova dhe nuk duhet asnjëherë që të ndryshohet as të lakohet sepse dihet krijimi i shtetit të Kosovës është bërë fal kësaj përkrahe dhe marrë parasysh edhe çështjet e sigurisë dhe politikës së përgjithshme ndërkombëtare. Nëse në të kaluarën ka pasur mosmarrëveshje gjatë qeverisjes Kurti I, tani duhet të punohet në atë drejtim që të përmirësohet ky komunikim sepse as Richard Grenell nuk është përjashtues. Ai ka thënë disa herë se faji ishte i Albin Kurtit por në fakt nga dyja palët është krijuar mosbesimi në atë kohë dhe nuk duhet të bartet edhe në qeverisjen Kurti III”, shprehet Jakupi.

Image
Zejnullah Jakupi

Jakupi nuk beson që Donald Trump nuk do ta përkrah Albin Kurtin, por thotë edhe Kurti duhet t’i përshtatet administratës Trump.

Sipas tij, Kurti po bën një politikë të tillë në veri dhe në të gjithë Kosovën që të ruhet stabiliteti.

“ Mund të ndryshojë qasja, siç po ndodhë edhe në shumë vende, por kjo varet edhe nga ne, pra nga qeveria Kurti dhe gjithë spektri politik. Unë nuk besoj se D. Trump nuk do e përkrah Albin Kurtin, sepse siç po ndodh në Gjermani, Trump po përkrahë patriotët, edhe nga ekstremi i djathtë, pra po dëshiron që çdo shtet të jetë i fortë, sovran dhe të ndaj buxhet për ushtrinë të luftojë korrupsionin, të kontrollojë kufijtë shtetërore, të reduktojë hyrjen e refugjatëve, siç është rasti me gati gjitha shtetet e BE-së dhe natyrisht edhe Albin Kurti do t´i përshtatet administratës Trump, sepse pikërisht po e bënë një politike të tillë në veri dhe në gjithë Kosovën që të ruhet stabiliteti, sovraniteti dhe të ketë pjesëmarrje masovike në zgjedhje që të fitojnë patriotë dhe jo ata që për 24 vite vidhnin tenderët e shtetit dhe i dërgonin firmave private dhe na proklamoheshin se ishin ndërmarrës dhe kapitalist, në të vërtetë ata ushqeheshin nga shteti. Shteti duhet të krijojë bazën për biznes, që tash më është bërë por natyrisht as LVV nuk po bënë gabim, nëse po e anashkalon disa struktura dhe biznese të vjetra që ishin të shantazhuara të zhytura në krim dhe korrupsion tani po ngritet një strukturë e re biznesi dhe kjo nuk shkakton ndonjë qasje të gabueshme sepse shoqëria vetëm fiton sepse me këtë pasurohet shoqëria”, thekson Jakupi.

Për të vazhduar me një partneritet dhe miqësi me SHBA-në, sipas Jakupit, nuk ka nevojë t’i vardiset Trumpit duke kritikuar Biden, por duhet qëndrim thelbësor.

“Për të vazhduar me një partneritet dhe miqësi me SHBA-në nuk ka nevojë t´i vardisemi D. Trump duke kritikuar Joe Biden, por duhet të kemi qëndrim thelbësor koherent gjatë gjithë kohës pavarësisht se kush vjen në pushtet dhe këtë leksion duhet ta mësojmë njëherë e mirë për sa ekziston ky rend botëror dhe SHBA janë fuqia botërore e më shumë kur janë miqtë tanë. Gjithashtu besoj se SHBA, pra as z. Grenell nuk mund të mos njoh rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit”, përfundon Jakupi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat