Po afron dita e zgjedhjeve nacionale, ndërsa edhe pak ditë kanë mbetur deri në fund të fushatës zgjedhore.
Kjo fushatë po karakterizohet nga ashpërsimi i gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve mes partive politike, diçka që duhet të dënohet.
Megjithatë, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe programet dhe premtimet e partive politike.
Lëvizja Vetëvendosje, në shpalosjen e programit të saj, ka përfshirë edhe drejtësinë, duke njoftuar se do të krijohet një Gjykatë për çështje familjare dhe një Prokurori e re e specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit."
Ky propozim është parë dhe komentuar nga këndvështrime të ndryshme.
Bajraktari: Në bindjen time, mekanizmat aktualë janë të mjaftueshëm
Avokati Ardian Bajraktari, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se nuk ka nevojë për mekanizma të tillë duke nënvizuar se mekanizmat aktual duhet të forcohen që sipas tij është e nevojshme.
“Themelimin e mekanizmave të rijnë e vlerësoj të pa nevojshëm dhe diçka që nuk shkon në funksion të forcimit të luftës kundër korrupsion.
Asnjë raport ndërkombëtar e as vendor nuk e thotë një gjë të tillë, e as dokumentet strategjike siç është strategjia për sundimin e ligjit, e miratuar nga Qeveria aktuale po ashtu nuk kërkon diçka të tillë.
Vlerësoj se është e nevojshme dhe e domosdoshme që mekanizmat aktual, që në bindjen time janë të mjaftueshëm të forcohen, e po ashtu të ndalen sulmet dhe etiketimet në adresë të tyre”, deklaron Bajraktari.
Burjani: S’ka gjasa ligjore, kjo është kundër kushtetuese
Edhe juristi Blerim Burjani, thotë se kjo nuk mund të bëhet sepse sipas tij është kundër kushtetuese.
Madje, ai thotë se as Prokurori s’mund të ketë përveç kësaj që është me ligj.
Por, Burjani vë në pah se mund të krijohet një task forcë kundër korrupsionit.
“S’ka gjasa ligjore, kjo është kundër kushtetuese, hajgare e radhës, shteti dhe organizimi aktual është i qartë, Kosova është shtet me një organizim të ngjashëm plotësisht evropian apo perëndimor. Prokurori s’mund të ketë përveç kësaj që është me ligj, pra as që diskutohet për këtë temë. Kjo është qesharake me dëgjua dikush, tjetër është me u themelua një task forcë kundër korrupsionit, pra një zyrë task forcë për të ndjek të korruptuarit e shumtë, qe 25 vjet normal duke përfshirë edhe këta aktual në pushtet që kanë bërë vepra të shumta korruptive, përmes tenderëve, punësimit në ndërmarrjet publike, avancim në shërbim civil, mbajtja peng e shumë pozitave me sekretarë të përkohshëm apo borde të përkohshme. Reforma është çështje tjetër ajo institucionale, ka dështuar vetingu”, përmbyll ai.