Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për gazetën spanjolle El Mundo, ka shprehur pikëpamjet dhe qëndrimet e tij lidhur me sfidat që po kalon Kosova aktualisht, si dhe angazhimin e tij për zhvillimin e vendit.
Mes tjerash, Kurti në këtë bisedë, ka folur për sukseset e arritura gjatë mandatit të tij dhe sfidat që vazhdojnë të ndikojnë në rajon dhe më gjerë, përcjell "Bota sot".
“Si kryeministër në detyrë, prioriteti im është të mbaj një udhëheqje të fortë dhe të konsolidoj stabilitetin institucional të arritur gjatë këtyre katër viteve të transformimeve të rëndësishme. Ne kemi ulur papunësinë me 60%, kemi arritur një rritje ekonomike mesatare prej 6% në vit, dhe kemi përmirësuar fusha kyçe si arsimi, tani falas në nivelin e lartë, dhe shëndetësinë, me akces më të gjerë në medikamente thelbësore. Kosova përballet me sfida globale si barazia gjinore, ndryshimet klimatike, pabarazia dhe revolucioni teknologjik i nxitur nga inteligjenca artificiale, ndërkohë që vazhdojmë përpara drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti në këtë intervistë, përcjell “Bota sot”.
Kryeministri ka dhënë edhe një përgjigje ndaj akuzave për përdorimin e tensioneve etnike në veri të Kosovës për qëllime zgjedhore, ndërsa ka theksuar angazhimin e tij për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e vendit.
“Në Kosovë nuk ka asnjë politikan që ka qëndruar më shumë në opozitë se unë. Asnjëherë nuk kam pasur interes në pushtet me çdo çmim. Mendoj se ajo që i shqetëson më shumë është fakti që unë nuk e bëj këtë për të fituar vota. Qeveritë e mëparshme kanë kërkuar të fitojnë përfitime politike duke bërë kompromise me Serbinë nën presion ndërkombëtar. Unë kurrë nuk kam përdorur asnjë çështje për qëllime zgjedhore; ata nuk dinë si të më sulmojnë. Me demokratët, jam demokrat. Por me autokratët, do të duhet të jem një sovranist. Kur ndeshesh me një autokrat, nuk mund të komprometosh integritetin tënd territorial. Siç ka thënë Immanuel Kant dy shekuj më parë, “demokracitë kurrë nuk luftojnë mes tyre, janë autokracitë ato që kërkojnë të sundojnë ose të shtrihen”, ka deklaruar ai.