Roli i Lajçakut në Dialog, Gjanaj: Menaxher i situatës pa iniciativa konkrete

Politika

Roli i Lajçakut në Dialog, Gjanaj: Menaxher i situatës pa iniciativa konkrete

Nga: A.M. Më: 29 janar 2025 Në ora: 21:49
Miroslav Lajçak

Nga 31 janar i këtij viti, Miroslav Lajçak nuk do të jetë më dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Politologu Ramadan Gjanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i ndërlikuar.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i ndërlikuar, me sfida të mëdha për shkak të mungesës së besimit dhe qasjeve të ndryshme të palëve ndaj marrëveshjeve. Pavarësisht disa përparimeve, zbatimi i marrëveshjeve ka qenë i ngadaltë dhe shpesh i kontestuar nga të dyja palët”, ka thënë ai.

Image
Ramadan Gjanaj

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk i ka kushtuar shumë presion palëve të përfshira në dialog.

“Nuk duhet harruar se edhe BE-ja nuk ishte në një pozitë për të ushtruar presion të fortë mbi palët, pasi lufta në Ukrainë i tërhoqi vëmendjen nga çështje të tjera, përfshirë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Zgjedhjet në Serbi në fund të vitit 2023, ato në BE në qershor të vitit 2024, si dhe zgjedhjet në Kosovë, që do të mbahen më 9 shkurt të këtij viti, natyrisht se kanë ngadalësuar edhe më shumë zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka potencuar ai.

Gjanaj pret që me formimin e Qeverisë së re të Kosovës proceset serioze do të nisin.

“Besoj se, pasi të formohet qeveria e re e Kosovës, proceset serioze do të nisin, duke pasur parasysh se si në BE, ashtu edhe në SHBA, zgjedhjet do të kenë përfunduar dhe mandatet e reja do të kenë filluar. Ka gjasa që, përveç ndonjë krize politike në Serbi për shkak të dorëheqjes së kryeministrit serb, presioni ndaj palëve, si shqiptare ashtu edhe serbe, vetëm sa do të shtohet”, ka pohuar ai.

Më tej, Gjanaj e ka komentuar edhe ecurinë e dialogut gjatë periudhës së Lajçakut, ku ka thënë se ka qenë e vakët dhe pa rezultate të qarta.

“Ecuria e dialogut gjatë periudhës së Lajçakut ka qenë e vakët, me disa momente kyçe si Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit të vitit 2023, por pa rezultate të qarta në terren. Mungesa e presionit të fortë ndaj palëve ka çuar në ngecje dhe tensione të vazhdueshme”, ka cilësuar ai.

Gjithashtu, Gjanaj ka vlerësuar se Lajçak-u është shquar për ndonjë arritje të dukshme në procesin e dialogut.

“Përveç këtyre marrëveshjeve, nuk mund të thuhet se Lajçak-u është shquar për ndonjë arritje të dukshme në procesin e dialogut. Ai është treguar më shumë si menaxher i situatës, duke u përpjekur ta mbajë atë nën kontroll, por pa ndonjë iniciativë konkrete nga ana e tij.

Nuk duhet harruar se Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit bazohen në Planin Franko-Gjerman dhe nuk janë rezultat i ndonjë iniciative të Lajçak-ut apo Borrell-it. Kjo ishte e pritshme, pasi, pavarësisht pritshmërive të palëve, emisari i BE-së, në këtë rast Lajçak-u, ashtu si edhe Borrell-i, kanë qenë thjesht zyrtarë të BE-së, të detyruar të përçojnë dhe zbatojnë vendimet e 27 shteteve anëtare të BE-së”, ka përfunduar Gjanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat