Sorenson emisari i ri për dialogun Kosovën-Serbi – cilat janë pritjet nga pasuesi i Lajçakut?

Politika

Sorenson emisari i ri për dialogun Kosovën-Serbi – cilat janë pritjet nga pasuesi i Lajçakut?

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 30 janar 2025 Në ora: 15:01
Peter Sorensen

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, kanë ndodhur disa ndryshime.

Së fundi, u konfirmua se Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Emisari nga Danimarka u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

Sorensen, erdhi në këtë post për ta zëvendësuar Miroslav Lajçakun.

Emisarit sllovak, i skadon mandati më 31 janar.

Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin më 1 shkurt.

Para nisjes së takimit në Bruksel të krye diplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka, po dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

Mirëpo, se çfarë pritet të ndodhë pas konfirmimit të emisarit të ri dhe çka pritet të sjellë ndryshe politikani danez në formatin e dialogut mes dy palëve, folën njohësit e kësaj çështje.

Shabani: Me emërimin e Sorensenit do ketë një nxitje të re për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

Për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Së pari, ai përmendi përvojën e emisarit danez.

“Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen kreu disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ai shërbeu si Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën dhe Shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Ai ishte edhe shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut.

Më parë, Sorensen ka punuar si këshilltar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe ka qenë përfaqësues special i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në Serbi”.

Image
Amir Shabani

Krahas kësaj, Shabani përmendi edhe një marrëveshje që është nënshkruar në kohën e Lajçakut, dhe si e tillë ligjërisht është e detyrueshme.

“Gjatë mandatit gati pesë-vjeçar të Lajçak, të dy palët (Prishtina dhe Beogradi) arritën një Marrëveshje mbi Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila, megjithëse nuk është nënshkruar, konsiderohet ligjërisht e detyrueshme në BE.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjeve të arritura mbetet i kufizuar, prandaj Brukseli ka kritikuar të dyja palët. Nga BE-ja paralajmërojnë se mos përmbushja e detyrimeve mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe Kosovës”, shpjegoi ai.

Në fund, njohësi i marrëdhënieve diplomatike potencoi se: “Me emërimin e Sorensenit kam përshtypjen se do ketë një nxitje të re për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura”.

Zogaj: Danezi Peter Sorensen është njohës i shkëlqyer i realiteteve ballkanike

Kurse, publicisti Skënder Zogaj e vlerëson si lajm pozitiv emërimin e Sorensen.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi edhe punën e paraardhësit të emisarit danez, Miroslav Lajçak.

“Është lajm i mirë që Peter Sorensen ka marrë pëlqimin nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm për vazhdimin e dialogut Kosovë -Serbi dhe tentimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pas largimit të Lajçakut, ndaj të cilit ka pasur vlerësime të ndryshme dhe kontraditore, shumica aspak të sakta! Lajçak ka bërë përpjekje bukur të mëdha dhe dashamirëse për të realizuar qëllimin e dialogut, i cili nuk është varur nga Lajçaku, por nga palët, që e dinë të gjithë se kanë nuk kanë treguar vullnet të denjë por kanë bërë bishtërime të shumta”.

Image
Skënder Zogaj

Po ashtu, Zogaj potencoi se BE ka parasysh zhvillimet negociuese mes dy palëve, ku tha se Kosova kurrë më nuk ka asgjë të përbashkët me Serbinë.

“BE-ja e ka parasysh situatën dhe, e bukura është se nuk po lodhet së përkëdheluri palët biseduese, neglizhenca e të cilave ua kushton vet biseduesve, Kosovës së mbetur në mesudhën e pavarësisë dhe Serbisë që, po sheh ëndrra me syhapur, sepse, Kosova kurrë më nuk ka asgjë të përbashkët me Serbinë”, nënvizoi ai.

Në fund, ai beson se Sorensen është emisar që siguron dialogun dhe ndihmon dy palët, pa mbajtur anë.

“Danezi Peter Sorensen është njohës i shkëlqyer i realiteteve ballkanike, prandaj, duke qenë se karrota që ka përdorë Lajçaku nuk ka dhënë rezultatin e duhur, pres se do ta përdor shkopin dhe të dy palët do të bëhen më të dëgjueshme! Koha po mbaron dhe Kosova duhet ta kuptoj më seriozisht situatën dhe të angazhohet seriozisht për të kry obligimet e veta! Duhet ta kemi të qartë se BE-ja është ndërmjetëse, por vendimet u përkasin palëve dialoguese! Sorensen është emisar që siguron dialogun dhe ndihmon dy palët, pa anime” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat