‘Ndryshimi i fundit’ në dialogun Kosovë-Serbi, deputeti i LVV-së shprehet optimist: Kjo është një mundësi për…

Politika

‘Ndryshimi i fundit’ në dialogun Kosovë-Serbi, deputeti i LVV-së shprehet optimist: Kjo është një mundësi për…

Nga: A.M. Më: 30 janar 2025 Në ora: 20:17
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e konfirmuan emrin e politikanit danez, Peter Sorensen, si përfaqësues special i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. 

Sorensen i cili fillon detyrën me 1 shkurt zëvendëson politikanin sllovak, Miroslav Lajçak, i cili shërbeu në këtë post për pesë vjet me radhë.

Përzgjedhjen e politikanit nga Danimarka, Peter Sorensen, e bëri përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

E në lidhje me këtë emërim të Sorensen, ka folur në një prononcim për “Bota sot” deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Ai këtë e sheh si mundësi për baraspeshim të qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Image
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Gjithashtu, potencoi se duhet të merret mësim nga e kaluara dhe qasjet e gabuara që janë bërë ndër vite.

“Kjo është një mundësi për baraspeshimin e qasjes së BE-së karshi palëve në dialog dhe rrjedhimisht hapë mundësitë për përparim në dialog.

Duhet të merren mësime nga qasjet e gabuara dhe të shikohet si mund të ecim tutje, duke respektuar sovranitetin, territorin dhe kushtetueshmërinë në Republikën e Kosovës”, u shpreh Batusha.

Vlen të theksohet se, Peter Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së dhe gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, ai ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë dhe po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të BE-së  në Shkup. Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 dhe ende vazhdon, me synimin për të jetësuar një sërë marrëveshjesh të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat