Trump dhe Evropa me Groenlandën në "mes"/ Ramabaja tregon se çfarë qëndrimi duhet të mbajnë Kosova e Shqipëria

Politika

Trump dhe Evropa me Groenlandën në "mes"/ Ramabaja tregon se çfarë qëndrimi duhet të mbajnë Kosova e Shqipëria

Nga: N.E Më: 31 janar 2025 Në ora: 10:09
Donald Trump

Donald Trump si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tash e disa ditë ka marrë detyrën e tij zyrtare dhe bashkë me të kanë filluar edhe ndryshime si administrative, ashtu edhe ligjore që lidhen drejtpërdrejt me vendin, por edhe me botën.

Nga Kosova kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me administratën e re.

Menjëherë pas inagurimit, presidentja Vjosa Osmani përmes një letre ka uruar presidentin Donald Trump, derisa theksoi se Kosova qëndron si aleate dhe partnere krenare e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga një vendosmëri e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e paqësore.

“Udhëheqja dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri”, thuhet në letrën e presidentes Osmani, në të cilën nënvizohet se kjo do të kontribuojë edhe për paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian.

Kujtojmë se presidentja Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kohët e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë.

Mandati i parë i Presidentit Trump u karakterizua nga marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e parë të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë në nëntor të vitit të kaluar pas fitores së zotit Trump në zgjedhjet presidenciale se qeveria e tij është e gatshme dhe interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e re të Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet e qeverisë së tij nuk panë ditët më të mira as me administratën e ish Presidentit Joe Biden. Diplomatët amerikanë disa herë kanë tërhequr vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Në anën tjetër, Trump ka bërë që edhe nga BE të “mos jenë të qetë”. Deklarata e tij për blerjen e ishullit të Groenlandës kishte sjellë reagime të shumta.

Të enjten Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa ripohoi “mbështetjen e plotë” të bllokut për Danimarkën në përgjigje të planit të ish-presidentit të SHBA Donald Trump për të blerë Groenlandën.

Në një intervistë, Costa theksoi se integriteti territorial i Danimarkës është një “çështje thelbësore” për BE-në.

“Danimarka është një shtet sovran. Danimarka përcakton interesat e saj dhe Bashkimi Evropian do të mbështesë Danimarkën,” ka thënë Costa.

“Ne nuk duhet të ndalojmë së mbrojturi këto parime kur integriteti territorial i një shteti anëtar të Bashkimit Evropian është në rrezik”, ka thënë ai, duke theksuar se sovraniteti dhe stabiliteti mbeten vlerat thelbësore të BE-së.

Ku duhet të qëndrojë Kosova dhe Shqipëria në mes këtyre mos pajtimeve?

Analisti Sadri Ramabaja thotë se pozicioni më i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën në një përplasje të mundshme transatlantike do të ishte ruajtja e një balancimi të kujdesshëm.

Sipas tij, bashkëpunimi konstruktiv kërkon që Kosova të përcaktojë qart interesant e saj.

“Politologu i njohur amerikan Jackson Janes, një bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall dhe president emeritus i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, D.C. në një intervisët dhënë IPG-së gjermane shprehet se “Trump-i dhe SHBA varen nga Evropa në shumë mënyra. Ndërvarësia e ngushtë ekonomike dhe politike e bën të pamundur shkëputjen e plotë. Evropa luan një rol kyç, për shembull nëpërmjet stabilitetit të saj ekonomik dhe rëndësisë së saj gjeostrategjike.

Pozicioni më i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën në një përplasje të mundshme transatlantike do të ishte ruajtja e një balancimi të kujdesshëm dhe një qasje diplomatike pragmatike. Shqipëria dhe Kosova janë shtete të vogla që mbështeten shumë tek aleancat strategjike për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. NATO dhe BE mbeten shtylla të rëndësishme për të dy vendet.

Duhet të theksohet vazhdimisht rëndësia e NATO-s për sigurinë rajonale dhe të mbështetet çdo përpjekje për ruajtjen e unitetit brenda aleancës. Bashkëpunimi konstruktiv kërkon që Kosova të përcaktojnë qartë interesat e saj dhe t'i sjell ato në mënyrë aktive në negociata, para së gjithash në dialogun strategjik me SHBA-të. Bëhet fjalë për gjetjen e bazës së përbashkët dhe propozimin e zgjidhjeve konkrete që janë të dobishme për të dyja palët”, deklaron Ramabaja.

Image
Analisti Sadri Ramabaja

Ai kërkon përgatitje të kujdesshme dhe prioritete të qarta nga Kosova dhe Shqipëria.

“Kosova dhe Shqipëria gjithashtu duhet të formulojnë dhe sinkronizojnë qartë interesat tona kombëtare, që nuk bien ndesh me interesat amerikane për rajonin. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të jemi si partnerë të besueshëm që janë në gjendje të parashtrojnë argumente dhe qëllime të qëndrueshme. Kjo kërkon përgatitje të kujdesshme dhe prioritete të qarta në mënyrë që të jetë në gjendje të veprojë në baza të barabarta me SHBA-në – edhe gjaët administratës së dytë të Trump-it”, shprehet analisti.

Ai madje përmend disa pika kyçe për një pozicionim optimal të cilat përfshijnë “Rreshtimi me Aleancën Perëndimore, përforcimi i marrëdhënieve me SHBA-të, integrimi Evropian si prioritet strategjik, neutralitet aktiv dhe diplomaci e mençur”

“Disa pika kyçe për një pozicion optimal do të përfshinin: Rreshtimi me Aleancën Perëndimore: Shqipëria dhe Kosova janë shtete të vogla që mbështeten shumë tek aleancat strategjike për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. NATO dhe BE mbeten shtylla të rëndësishme për të dy vendet. Duhet të theksohet vazhdimisht rëndësia e NATO-s për sigurinë rajonale dhe të mbështetet çdo përpjekje për ruajtjen e unitetit brenda aleancës.

“Përforcimi i Marrëdhënieve me SHBA-të: SHBA-të kanë qenë një mbështetëse kryesore e Kosovës në procesin e pavarësisë dhe një partner strategjik i Shqipërisë. Shqipëria dhe Kosova si trup i vetëm reprezentativ i Kombit shqiptar duhet të mbajnë marrëdhënie të forta me SHBA-të, duke ruajtur besueshmërinë dhe bashkëpunimin e ngushtë në çështjet ushtarake, politike dhe ekonomike”.

“Integrimi Evropian si Prioritet Strategjik: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe aspiratat e Kosovës për integrim evropian duhet të mbeten prioritet. Bashkëpunimi me BE-në në çështjet e sundimit të ligjit, reformave demokratike dhe zhvillimit ekonomik është jetik.
Në rast të tensioneve midis BE-së dhe SHBA-së, duhet të shmanget marrja e një pozicioni që mund të dëmtojë perspektivat e integrimit”.

“ Promovimi i Stabilitetit Rajonal: Shqipëria dhe Kosova mund të shfrytëzojnë pozicionin e tyre për të vepruar si faktor stabiliteti në Ballkan. Qasja proaktive në dialog dhe bashkëpunim rajonal mund të ndihmojë në rritjen e peshës diplomatike”.

“Neutralitet Aktiv dhe Diplomaci e Mençur: Nëse tensionet përshkallëzohen, mbajtja e një pozicioni neutral por aktiv, që inkurajon dialogun midis BE-së dhe SHBA-së, do të ishte më e mençura. Mund të theksohet rëndësia e unitetit transatlantik për përballimin e sfidave globale, si siguria, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi ekonomik”.

Në fund, ai ka kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të luajnë rolin e partnerëve të besueshëm.

“Në përgjithësi, Shqipëria dhe Kosova duhet të luajnë rolin e partnerëve të besueshëm, duke shmangur polarizimet dhe duke promovuar unitetin brenda aleancës perëndimore”, përfundon Ramabaja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat