Lajmi i ngrirjes së fondeve nga SHBA për shumë vende të botës mori vëmendje të madhe edhe në Kosovë. Madje, këtij lajmi iu gëzuan fort edhe kundërshtarët e formimit të Gjykatës Speciale, ata që patën kërkuar edhe “zhbërjen” e saj.
Por, megjithatë, ngrirja e fondeve amerikane nuk pritet ta pengojë punën e Gjykatës Speciale në Hagë në një periudhë afatshkurtër.
Dhomat e Specializuara i kanë thënë televizionit publik se buxhetin e kanë të siguruar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, kontributi i SHBA-së ka të bëjë kryesisht me dërgimin e posteve të disa anëtarëve të stafit.
E gjithë këtë situatë për gazetën “Bota sot” e komentoi profesori i marrëdhënieve ndërombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi.
Ai tha se vendimi i SHBA-së për ngrirjen e fondeve nuk është përfundmitar, ndërsa rikujtoi se asistenca amerikane në këtë gjykatë është e pjesshme.
“Shtëpia e Bardhë ka pezulluar të gjitha fondet amerikane në botë, përveçse ato për ndihmat humanitare dhe për tre-katër shtete. Pezullimi përfshin edhe rajonoin tonë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Ende nuk kam informacion të saktë, nëse këto fonde I ndalohen edhe Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë. Por është shumë e mundshme që kjo gjykatë të mos marrë fonde nga SHBA-të dhe agjencitë e zhvillimit të saj. Por duhet të kemi parasysh: Ky nuk është një vendim përfundimtar. Kemi të bëjmë me pezullim dhe jo me ndalim të fondeve. Janë thjesht tre muaj, kohë në të cilën duket se administrate e re amerikane do ta përdorë për të bërë verifikimet e saj për përdorimin e parave që jepen.
Por duhet ditur se asistenca amerikane në këtë gjykatë është e pjesshme, edhe sikur amerikanët ta ndalojnë financimin e saj. Eshtë Bashkimi Europian ai që financon Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Europa paguan shumicën e financimit të saj. Ndërkohë duhet thënë se janë disa shtete europiane si Suedia dhe Zvicra ato që financojnë së paku në Shqipëri dhe në Kosovë më shumë sesa SHBA-të. Nëse Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nuk do të financohet në mënyrë të përhershme nga SHBA, atëherë këtë përgjegjësi normalisht do ta marrin europianët”, u shpreh profesori.
Bytyçi ka theksuar se Specialja është gjykatë e Kosovës dhe duhet të mbahet nga taksapaguesit e Kosovës.
“Ndoshta ka politikanë në administratën TRUMP, të cilët kanë folur për shkrirjen e Gjykatës Speciale. Ndoshta SHBA-të mund t’i tërheqin prokurorët dhe gjyqtarët na SHBA. Por Gjykata në fjalë nuk është gjykatë ndërkombëtare. Nuk është gjykatë evropiane e as amerikane. Ajo është gjykatë e Kosovës. Logjikisht, kjo gjykatë duhet të mbahet me paratë e taksapaguesve kosovarë. Është vendim kushtetues i parlamentit të Kosovës. Dhe vetëm parlamenti mund ta zhbëjë atë. Nuk ka asnjë instrument tjetër ndërkombëtar që e merr vendimin e mosekzistencës së kësaj gjykate. Nëse nuk financohet në Hagë, atëherë kjo gjykatë mund të vendoset diku tjetër me kosto më të vogël, me vullnetin e parlamentit të Kosovës. Por nuk mund të zhbëhet pa ndryshuar kushtetutën e vendit”, nënvizoi ai.
Një institucion kushtetues, çfarë është tashmë Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, sipas prodesor Bytyçit zhbëhet ose kur e mbaron misionin, ose kur hiqet nga kushtetuta.
“Misioni mbaron vetëm kur të përfundojnë gjyqet së paku për ata që janë paditur si të akuzuar. Ndërsa heqja nga kushtetuta bëhet vetëm me votën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë dhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave. A votojnë serbët deputetë për zhbërjen e saj? Duhet të jesh naiv ta mendosh se po. Atëherë nga Kushtetuta nuk mund të hiqet.
Gjithsesi unë mendoj se kjo gjykatë do të jetojë derisa ta përfundojë misionin e saj. Tashmë proceset gjyqësore kanë mbërrit në kulmin e shqyrtimeve dhe nuk besoj se ato zgjasin më shumë sesa kanë zgjatur deri më sot. Në këto kushte nuk pres që gjykata të pushojë së funksionuari pa i shkuar punëve të saj deri në fund. Evropianët do ta financojnë këtë gjykatë, sepse ndryshe do të ishte një dështim shumë i madh i Europës. Evropianët duan ta bindin gjithashtu veten dhe opinionin publik për bërjen e drejtësisë së kërkuar nga Dick Marty apo të tjerë ish ose real funksionarë të Brukselit, Strasburgut apo kujtdo tjetër”, theksoi ai.
Bytyç u shpreh se edhe vetë Kosova ka nevojë të pastrohet nga akuzat e ngritura.
“Jam i bindur se ajo do të pastrohet. Jam i bindur se ndonjë vrasje e serbëve tek tuk sidomos pas 12 qershorit nuk do të provohet si krim i të akuzuarve, sepse ato pak krime janë bërë nga shqiptarë të tmerruar prej krimeve serbe për shfaqrosjen e shqiptarëve. Në kushtet e depresionit të atyre që janë kthyer në familje dhe aty kanë gjetur varreza të kufomave të djegura, kudo në botë ndodh hakmarrja. Por kjo hakmarrje, që ka ndodhur në raste të izolura, nuk ishte e dirigjuar”, nënvizoi ai.
Të dirigjuara, sipas profesorit ishin vrasjet dhe krimet kundër shqiptarëve. Ai thotë se nëse ndonjë prej atyre që janë në Hagë është përgjegjës, duhet të dënohet. Por kjo nuk e zbeh aspak Luftën Çlirimtare.
“Ato krime u dirigjuan në kushtet kur pjesëtarët e UÇK-së nuk ishin çarmatosur ende, ose kur edhe pas çarmatosjes kishin mbajtur armë të fshehura. Dhe ato nuk u dirigjuan kundër serbëve, por në funksion të pushtetit. Pikërisht këta eliminuan dhe ekzekutuan jo pak kundërshtarë politikë, të cilët i përkisnin Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës. Kush thotë se ato vrasje janë bërë pa llogari, pa skenar, pa organizim dhe vendimmarrje të dikujt, ai gabon rëndë. Vendimmarrësit dhe ekzekutuesit duhet të përgjigjen për krime të tilla. Nëse ndonjë prej atyre që janë në Hagë është përgjegjës, duhet të dënohet. Por kjo nuk e zbeh aspak Luftën Çlirimtare. Nuk e bën UÇK-në fajtore. Kjo do të thotë që Organizata e Veteranëve të qëndrojë neutrale. Nëse kjo organizatë bën presion mbi çdo lloj gjykate, atëherë ajo do ta dëmtojë jo vetëm veten e saj, por edhe Kosovën dhe imazhin e saj. Sepse do të thonë: “E shihni! Këta edhe sot janë të gatshëm të bëjnë krime, jo më atëherë në rrëmujën e luftës”! Mos ia lejoni vetes këtë turp!”, përfundoi ai,