Dialogu dhe zgjedhjet e 9 shkurtit, Zeqiraj përmend dy parti që mund ta ‘zgjidhin’ çështjen e Asociacionit

Politika

Dialogu dhe zgjedhjet e 9 shkurtit, Zeqiraj përmend dy parti që mund ta ‘zgjidhin’ çështjen e Asociacionit

Nga: A.M. Më: 31 janar 2025 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Asociacioni vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutura tash e një kohë.

Megjithatë, në këto fushata elektorale, partitë politike nuk po merren shumë me këtë temë, kjo edhe për shkak që shpesh kjo çështje ka nxitur debate dhe kundërshti të mëdha.

E në lidhje me Asociacionin dhe qasjen që duhet ta ketë qeveria që formohet pas 9 shkurtit, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Si fillim, ai u kthye pas në kohë, kur edhe filloi dialogu mes Kosovës e Serbisë, e me këtë erdhi në ‘tavolinë’ edhe çështja e Asociacionit.

Ai u tregua kritik ndaj politikave të Thaçit e Mustafës për nënshkrimin e marrëveshjes që përmbante këtë çështje.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar një dekadë e gjysmë më parë. Hashim Thaçi dhe shelegia e tij, Edita Tahiri, mashtruan se "po dialogojmë vetëm për çështje teknike", ndërkohë që fshehurazi bënin pazare politike! Brenda këtij dialogu kpnspirativ, ishte edhe Asociacioni, të cilin e nënshkruan tandemi Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, duke ia imponua aprovimin Parlamentit të Kosovës! Këtë gjëmë të madhe, me rrjedhoja fatale për vendin, vazhdon ta vuajë edhe sot Kosova, qytetarët e saj dhe shqiptarët e kudondodhur në botë”.

Po ashtu, Zeqiraj theksoi edhe rrezikun që i kanoset Kosovës, në rast se themelohet Asociacioni i komunave serbe.

Image
Idriz Zeqiraj.

“Rrezikshmërinë e bërjes të Asociacionit nga Kosova, e dëshmon Asociacioni i 14 komunave serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, të imponuar nga BE-ja dhe amerikani Cristopher Hill, në Dejton, i cili, tani thotë: "U pendova pse aprovova krijimin e Asociacionit për serbët në Bosnje!" Dhe, sa vlen ky pendim i Hillit hipokrit, kur të njëjtën gjë e kërkon sot për Kosovën?! Manifestimi me paradën ushtarake, me bujë dhe pompë, i 9 janarit 2025, i organizuar nga presidenti i "Republika Srpska", Millorad Dodik, në "Ditën e Pavarësisë" të kësaj "biçim" Republike dhe thirrja e tij për shkëputje nga Bosnja dhe bashkimi me Serbinë, është një alarm -SOS-, për Kosovën. Argatët e bollshëm të Serbisë në Kosovë, duhet denoncuar dhe demaskuar, deri në ndalim të mediave televizive shqipfolëse serbo-ruse në Kosovë, me disa analistë, përkatësisht, banalistët lehaqenër të përnatshëm dhe përsëritës të çdoditshëm”, nënvizoi ai.

Më tej, publicisti foli mbi ‘bartjen’ e Asociacionit nga njëra qeveri tek tjetra, derisa përmendi edhe anashkalimin që po iu bëhet temës së dialogut në fushatat e tanishme zgjedhore.

“Tradhtia e parë u bë me nënshkrimin e Asociacionit më 2013. Themelimi i tanishëm, do të ishte tradhtia e dytë. Andaj, çështja e Asociacionit vazhdon të bartet ndër vite, nga njëra qeveri tek tjetra. Anashkalimi në fushatë i temës së dialogut, kur brenda tij është edhe Asociacioni, është "shpat i rrëshqitshëm", siç ka thënë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kur tre banditërit: Hashim Thaçi, Edvin Rama, Aleksander Vuçiq, i vunë para hartën e Kosovës, për ndarjen e saj! Krejt njësoj është edhe Asociacioni, si parathënie e krijimit të "Republika Srpska" e dytë në Ballkan. Si duket qytetarët e Kosovës nuk po merakosen për sanksionet e padrejta të vëna Kosovës, as humbja e 293 euro ndihmë nga Evropa, në raport me humbjen e veriut të Kosovës. Qytetarët e Kosovës nuk po i besojnë PAN-it, sepse duke qenë të shantazhuar me dosje krimesh, janë gadi ta përsërisin tradhtinë”, shpjegoi Zeqiraj.

Tutje, ai përgëzoi qasjen e LDK-së për këtë çështje, ku me këtë rast tha se do ishte shumë i fuqishëm një koalicion LDK-LVV, pasi për Asociacionin kanë qasje të njëjtë.

“Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, i gëzoi qytetarët e Kosovës, kur u zotua se nuk do ta pranojë asnjë Draft-Statut për Asociacionin, të propozuar nga palet e tjera, sepse atë do ta bëjë Kosova. Kjo tregon se LDK-ja pajtohet me LVV, lidhur me çështjen e Asociacionit, aq shumë të përfolur. Një koalicion i fuqishëm, në rastin konkret, LVV-LDK, që kanë mendim dhe qasje identike lidhur me Asociacionin, do të ishte përgjigja e duhur për opozitën PAN-iste, e cila duke qenë e shantazhuar, është gadi të bëjë "kompromise të dhimbshme" me Serbinë, siç e përsëriste dendur Hashimi, pasi veç e kishte projektuar dhurimin e veriut Serbisë dhe ishte në pritje të realizimit”.

Kurse, në fund, publicisti kritikoi ashpër Haradinajn dhe qasjen e partisë së tij për Asociacionin.

“Krejt ndryshe mendon i shantazhuari i radhës, Ramush Haradinaj me PAN-istët e tij: "Do t´i kryejmë obligimet që dalin nga dialogu, përfshirë Asociacionin - ta dërgojmë që në javën e parë në Kushtetuese"! Çdo koment është i tepërt. Andaj, shqetësimi i qytetarëve të Kosovës dhe i shqiptarëve të përbotshëm është i bazuar, i ligjshëm. Këtu është edhe sekreti i përkrahjes plebishitare i subjekteve politike, respektivisht, i LDK-së dhe LVV, të cilët, duke qenë të pashantazhuar dhe me integritet të plotë, janë zotuar ta mbrojnë sovranitetin e shtetit të Republikës të Kosovës”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat