Nga Lajçaku te Sorensen/ Gjanaj analizon ndryshimet në dialog dhe sfidat për Kosovën

Politika

Nga Lajçaku te Sorensen/ Gjanaj analizon ndryshimet në dialog dhe sfidat për Kosovën

Nga: A.M. Më: 31 janar 2025 Në ora: 23:00
Ramadan Gjanaj

Sot, Miroslav Lajçak zyrtarish e ka dorëzuar detyrën e emisarit të dialogut Kosovë-Serbi te pasardhësi i tij, Peter Sorensen.

Politologu Ramadan Gjanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Sorensen ka potencialin të ketë më shumë ndikim se paraardhësi i tij në zbatimin e marrëveshjeve.

“Ndërrimi i Lajçakut me Peter Sørensen mund të sjellë një dinamikë të re, por suksesi i tij do të varet nga qasja që do të ketë në dialog, si dhe nga mbështetja që do të marrë nga BE-ja, ai dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas. Si diplomat me përvojë të madhe në Ballkan, Sørensen ka potencialin të ketë më shumë ndikim se paraardhësi i tij në zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2023", ka thënë ai.

Po ashtu, Gjanaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka luksin të presë më gjatë për të parë se si do të reagojnë BE-ja dhe SHBA-të në lidhje me dialogun.

"Kosova nuk e ka luksin të presë më gjatë për të parë se si do të reagojnë BE-ja dhe SHBA-të në lidhje me dialogun. Fatkeqësisht, vendi vazhdon të jetë nën një sërë sanksionesh, dhe qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet të dëshmojë, që nga fillimi i mandatit, gatishmërinë dhe vullnetin e qartë për të zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, veçanërisht ato të Brukselit dhe Ohrit", ka deklauar ai.

Sipas tij, çdo administratë amerikane dhe evropiane ka kërkuar nga Kosova krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kosova nuk ka asgjë për të pritur nga Serbia dhe duhet të kryejë obligimet që i ka pranuar dhe firmosur deri në vitin 2023, pavarësisht veprimeve të palës serbe. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se, si në të kaluarën ashtu edhe sot, çdo administratë amerikane dhe evropiane ka kërkuar nga Kosova krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Frika është se vonesa në zbatimin e këtij Asociacioni mund ta gjejë Kosovën të papërgatitur dhe, me shumë gjasa, si BE-ja ashtu edhe SHBA-të do të imponojnë një model të hartuar prej tyre dhe jo prej nesh”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Gjanaj ka shpjeguar nëse do të ndryshojë qasja e Bashkimit Evropian ndaj dialogut.

“Qasja e BE-së ndaj dialogut mund të pësojë disa ndryshime, por thelbi do të mbetet i njëjtë. Siç e përmenda më herët, institucionet evropiane dhe administrata amerikane kanë pasur të njëjtat kërkesa për më shumë se 12 vite. Tani, që jemi në fillim të mandateve të tyre, është e natyrshme që presioni të rritet mbi të dyja palët, veçanërisht mbi Kosovën, pasi 'durimi' i partnerëve tanë ka arritur në kufijtë e tij. As BE-ja dhe as SHBA-të nuk mund të lejojnë destabilizime apo ngjarje të rënda në Ballkan, sidomos si pasojë e pakënaqësive rreth zbatimit të marrëveshjeve”, ka vlerësuar Gjanaj.

Në fund, politologu ka treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova për të përmirësuar imazhin e saj.

“Me Donald Trump-in në krye të SHBA-ve, ka shumë gjasa që presioni mbi palët të rritet edhe më tej, duke qenë se ai nuk njihet për “metoda tradicionale diplomatike”. Nga ky këndvështrim, pritet që edhe BE-ja ta shtojë presionin. Prandaj, është jetike që Kosova t’i paraprijë këtij presioni duke përmirësuar imazhin e saj si një shtet i besueshëm në arenën ndërkombëtare dhe si një faktor paqeje në Ballkan. Kjo mund të arrihet përmes zbatimit të njëanshëm të disa pikave të marrëveshjeve të firmosura dhe të pranuara në të kaluarën. Në këtë mënyrë, BE-ja nuk do të ketë asnjë arsye, të paktën politike, për të rritur presionin mbi Kosovën apo për të vendosur mekanizma më të rreptë për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme”, ka përfunduar Gjanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat