Lufta për pushtet/ Si dhe çfarë po tentojnë të bllokojnë partitë opozitare?

Politika

Lufta për pushtet/ Si dhe çfarë po tentojnë të bllokojnë partitë opozitare?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 1 shkurt 2025 Në ora: 12:00
Liderët e partive opozitare

Kanë mbetur pak ditë deri në përfundimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e nëntë shkurtit. 

Gjatë kësaj fushate janë bërë premtime të shumta nga partitë politike në Kosovë. 

Disa prej tyre përmendin çështjet e rëndësishme, ndërsa disa të tjera nuk ‘guxuan’ të flasin. 

Sipas njohësve të çështjeve politike, partitë politike më shumë u fokusuan në çështjet ekonomike se sa në ato tema që janë të rëndësishme për vendin, siç janë veriu i vendit, ligji dhe Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme.

Qarri i ashpër me opozitën

Analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me gazetën 'Bota sot', ka thënë se sa më shumë që po afrohet data e zgjedhjeve, fushata zgjedhore po bëhet gjithnjë e më sfiduese për të gjitha partitë pjesëmarrëse. 

“Në fushatën e sivjetshme, bukur të zhurmshme elektorale e cila tanimë ka hy në gjysmën e dytë të afatit dhe po shkon drejt fundi të saj, sa më shumë që po afrohet data e zgjedhjeve, ajo po bëhet gjithnjë e më sfiduese për të gjitha partitë pjesëmarrëse, veçanërisht për ato parti dhe figura politike, që policinë e Kosovës në prononcimet publike televizive, e krahasonin me atë të Millosheviqit!”, ka thënë ai.

Qarri është shprehur se për Lëvizjen Vetëvendosje tema kryesore është veriu i vendit, por jo edhe për partitë opozitare.

“Derisa partia në pushtet, temë kryesore e ka veriun e vendit tonë, partitë opozitare, që me qëllim, kanë dështuar në veri dhe për mese 13 vite të qëndrimit në pushtet, përveç koalicioneve ndërmjet veti, prioritet kishin edhe përfshirjen e “listës serbe” në koalicion dhe pushtet, duke quar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme pothuajse çdo dy vjet, tani po na flasin me tone të larta dhe plot pompozitet, për ekonomin.

Lëminë interesante, të cilën sërish duket se më shumë e perceptojnë si rimorkio, për të përfituar për vete, se sa për ta përmirësuar jetën e qytetarit dhe ndërtuar Kosovën.

Parti të cilat asnjëherë nuk e kanë quar mandatin qeverisës, deri në fund dhe ishin pajtuar me gjendjen kaotike në veri duke bashkëjetuar aq mirë, me sundimin e grupeve kriminale serbe atje, me të cilat jo vetëm bashkëpunonin ngushtë por edhe i favorizonin udhëheqësit e bandave dhe grupeve kriminale serbe duke i vendosur në pozita të larta shtetërore dhe pritur edhe vet kryekriminelin e kryterroristin serb Millan Radojçiq në zyrat e kryeministrisë së Kosovës”, ka thënë ai. 

Më tej, Qarri ka treguar se pse partitë opozitare kanë vendosur që të flasin për ekonominë. 

Image
Gani Qarri

Prandaj, për ta mjegulluar sa më lezetshëm të kaluarën e vet të dyshimtë, tani kanë përzgjedhur tu flasin, mbështetësve me pompozitet, për ekonominë, pasi që për mese dy dekada pas çlirimit dhe qëndrimit të tyre në pushtet, kanë dështuar ta sanojnë gjendjen në veri.

Kështu që, tani ato po përpiqen ti joshin qytetarët me premtime marramendëse për rroga ideale dhe përtej standardit e mundësive buxhetore të Kosovës, pensione e subvencione mbi 50 % më të larta, dhe "parajsën" në tokë, pa ua shpjeguar atyre se pse nuk ua krijuan këto kushte dhe jetën përrallore, që tani premtojnë, për mbi 13 vite, derisa ishin në qeveri e pushtet.

Parti të cilat përpiqen sërish të mashtrojnë votuesit me përdorimin e taktikave të vjetra, duke shfaqur vetëm njërën anë të medaljes, por pa treguar se si, do të arrijnë ti realizojnë premtimet e tyre të jashtëzakonshme, për afat kaq të shkurtër kohor, nëse në të kaluarën nuk arritën ta bëjnë atë, as për gati një dekadë e gjysmë, edhe pse, çdo gjë ishte në duar të tyre”, ka vlerësuar ai.

Qarri ka pyetur se ku do t’i sigurojnë partitë opozitare shumat marramendëse të parave, nëse vijnë në pushtet. 

“Andaj edhe nëse supozojmë, se këta opozitarë kaq azgan dhe përtej të mundshmes, zemërgjerë në premtime, serish do të vijnë në pushtet, lind pyetja se si do ti sigurojnë, gjithë këto shuma marramendëse të parave, me ekonomi të rrënuar nga vet ata-për toke, duke shitur për skrap, të gjitha fabrikat dhe makineritë prodhuese e hedhur punëtorët në rrugë, anë e mbanë Kosovës dhe grumbulluar për vete gjithë ato pasuri të pajustifikueshme, në një vend kaq të vogël si Kosova.

Parti të cilat janë mësuar ta zhvatin e gërryejnë deri në asht Kosovën, të cilat nëse hyn në fuqi edhe ligji për konfiskimin e pasurive të grumbulluara kundërligjshëm, dhjetëra anëtar të dyshuar të kryesive të partive të inkriminuara, pritet të vendosen para përgjegjësisë penale dhe të shkojnë edhe në burg”, ka pohuar Qarri.

Po ashtu, ai ka parashtruar disa pyetje për opozitën lidhur me problemet në veri të vendit, duke përmendur edhe Listën Serbe.

“Andaj do të ishte mirë, që veçanërisht partitë opozitare, të deklarohen veçmas për veriun, para qytetarëve të Kosovës, se si do të veprojnë ato nëse ndodhë, që rastësisht të vijnë në pushtet, a do ti rikthejnë serish bandat kriminale serbe në veri të Kosovës, pasi që vendosjen e rendit e të ligjit atje, i quanin si veprime të Millosheviqit, parti të cilat janë mësuar të bashkëqeverisin me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë të ashtuquajturën “listë serbe” dhe serish nuk mund të formojnë qeveri, as ta qeverisin vendin, pa futjen në koalicion të “listës serbe”!

Pas formimit të koalicionit me “listën serbe”, a do të lejohen përsëri strukturat paralele të Serbisë, bankat, postat, tabelat KM, e dinari serb, ngase “lista serbe” do t`ua vendos si kusht, partive të inkriminuara opozitare dhe a do ta ndajnë serish pushtetin me kriminelët serb dhe strukturat paralele të Serbisë, e ta ringjallin serish nga e para ekonomin formale duke e rikthyer veriun e Kosovës, në oazë të krimit të organizuar dhe larguar policinë e Kosovës nga veriu, gjë që përveçse do ta kërkoj “lista serbe”, këta do të detyrohen ta largojnë nga veriu, Policinë tonë, sepse edhe vet e krahasonin me policinë pushtuese të Serbisë”, ka pohuar ai. 

Sipas tij, opozita nuk duhet të hesht për veriun, por do të duhej të ishte tema kryesore e fushatës zgjedhore.

“Sepse kjo është tema kryesore, që u intereson më së shumti qytetarëve të Kosovës dhe jo të heshtin për veriun, siç po veprojnë që nga fillimi i fushatës parazgjedhore në Kosovë, duke lënë qytetarët në dilemë, dhe para pikëpyetjes së madhe, se si do të veprojnë partitë opozitare me veriun, nëse ndodhë të vijnë edhe njëherë në pushtet, a do t`ia dorëzojnë Serbisë, apo do ta dëbojnë Policinë e Kosovës dhe vendosin këtë pjesë të pandashme të territorit të Kosovës, nën sundimin e terroristëve të të ashtuquajturës “brigada e veriut” dhe bandave kriminale serbe?!”, ka theksuar ai.

Sa i përket premtimeve ekonomike, Qarri është shprehur se qytetarët e dinë mirë mundësitë reale të vendit.

“Përndryshe sa u takon premtimeve ekonomike, qytetarët e vetëdijesuar të Kosovës, i dinë shumë mirë mundësit reale të vendit të tyre, dhe nuk do të lejojnë më, të mashtrohen nga ata të cilët ëndërrojnë që duke bombarduar opinionin me premtime megalomane, të ngjiten dhe njëherë në pushtet, qoftë edhe për një apo dy vite, siç janë mësuar partitë e inkriminuara, ta çojnë Kosovën nga zgjedhjet në zgjedhje të jashtëzakonshme, në gjysmë të mandatit, pa qenë në gjendje asnjëherë ta qeverisin vendin, për një mandat të plotë.

Parti të cilat, kanë ditur ta zhvatin buxhetin e Kosovës edhe me zgjedhjet e parakohshme, duke e quar vendin, në çdo një vit e gjysmë, apo dy vjet në zgjedhje, ku përveç shumave marramendëse për organizimin e tyre, janë bërë zhvatje edhe në emër të kostos së zgjedhjeve dhe fushatave elektorale, me përqindje të imponuara, kundërligjshëm, nga buxheti, për vete”, ka cilësuar ai.

Tutje, Qarri ka akuzuar partitë opozitare se po luftojnë për bllokimin e Ligjit dhe Byrosë për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme.

“Andaj të njëjtit, sot luftojnë me këmbë e me duar, duke keqpërdorur edhe Gjykatën Kushtetuese, për bllokimin e Ligjit dhe Byrosë, për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, me shpresën se do ta shfrytëzojnë edhe këtë shanse për rikthimin serish në pushtet, që ta zhbëjnë edhe këtë ligj, i cili aktualisht, është kërcënimi më i pështirë për ta dhe i rrezikon më tepër se çdo gjë tjetër, njerëz të ligj, që kanë shkatërruar edhe parkun kombëtar "Sharri" duke marrë leje nga strukturat paralele serbe dhe ndërtuar me ligjet e Serbisë, nga pozitat zyrtare të shtetit të Kosovës, edhe pse me ligjet e Kosovës, aty ishte i ndaluar rreptësishtë ndërtimi.

Njerëz që nuk janë të preferuar për shtet dhe udhëheqje të qeverive, por të dyshuar për krim, e korrupsion dhe grumbullim të pasurive të kundërligjshme, të cilët jo më, me vite si deri më tani, por ndoshta i ndajnë disa javë apo ndonjë muaj, që menjëherë pas kthimit nga Kushtetuesja të Ligjit për Konfiskimin e pasurive të paligjshme, do tu duhet të presin radhën në rresht, për tu përgjigjur para ligjit, vendosjen në bankën e të akuzuarve, marrjen e dënimit të merituar, sipas veprës së kryer penale dhe dërgimin në burgje, për vuajtjen e dënimit!”, ka thënë Qarri.

Premtimet e partive dhe sfidat e zbatimit në Kosovë

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica, ka deklaruar për 'Bota sot' se mesazhi i qytetarëve të Kosovës për partitë politike është i qartë. 

“Qytetari i Kosovës, nëse e shohim nga zgjedhjet e kaluara, që kanë votuar për partitë, të cilat kanë premtuar se do të ketë luftim të korrupsionit, që do të ketë një shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë dhe një zhvillim më të mirë ekonomik. Pra, mesazhi i qytetarëve të Kosovës ndaj partive politike është shumë i qartë. Tani u mbetet partive politike që t’i përmbushin, në radhë të parë, ato që premtojnë, por edhe që premtimet e tyre të jenë realiste.

Besimi i qytetarëve në premtimet që partitë politike i japin gjatë fushatave zgjedhore është shumë i rëndësishëm. Qytetarët do të jenë të mosbesueshëm edhe ndaj premtimeve që do t’u japin këto parti para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt. Ndoshta është koha që partitë e reformuara të kuptojnë se nuk mund të premtojnë vetëm dhe të mos realizojnë ato që kanë thënë. Sidomos është shumë i rëndësishëm aspekti i investimit te të rinjtë”, ka thënë ai.

Hertica ka treguar se ku do të duhet të jetë prioriteti i partive politike.

“Besoj që të gjitha partitë duhet ta kenë prioritet investimin konkret te të rinjtë, sidomos për edukimin joformal. Ne e shohim se të rinjtë tërë kohën janë rrugëve, nganjëherë dhe nuk shohin shpresë. Nëse vetëm i afrohen 50 përqindit, ne jemi shumë të kënaqur, mirëpo kurrë nuk u janë afruar, as në të kaluarën e as tash nuk do t’i afrohen. Kjo është e dhimbshme tash e 25 vjet”, ka thënë ai.

Sipas tij, subjektet politike nuk kanë folur për shëndetësinë, dhe sa i përket çështjeve të sigurisë, ato janë të fokusuar në anëtarësimin në NATO.

 “Nëse e marrim rastin e shëndetësisë, nuk ka subjekt politik që s’ka folur për shëndetësi tash e 25 vjet. Programet e partive politike opozitare, sa i përket çështjes së sigurisë, e kanë fokus anëtarësimin në NATO. LDK-ja këtë proces e sheh si pjesë të politikave të jashtme dhe të integrimit. PDK-ja ka një plan të përcaktuar me vite se si mund të bëhet”, ka vlrësuar ai.

Ai vlerëson se premtimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për anëtarësimin në NATO duhet të jetë më i detajuar .

“Ndërsa AAK-ja, mendoj se ka një premtim që është paksa i vështirë për t’u realizuar. AAK-ja duhet të ketë një politikë ose program pak më të detajuar se si mund të bëhet ai integrim aq i shpejtë. Po ashtu, të gjitha këto parti kanë edhe një pikë, atë të referencës, ku pretendojnë të marrin si shkas situatën atje për t’u integruar Kosova sa më shpejtë në NATO", ka vlerësuar ai.

Më tej, Hertica ka përmendur disa premtime që ka bërë Partia Demokratike e Kosovës.

Image
Ali Hertica

“Partia Demokratike e Kosovës premton 'Për ma mirë' zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e ligjit, dhe rritjen e pagave me 150 përqind, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe shëndetësinë, sikurse edhe fuqizimin e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë ka premtuar se 100 përqind të sigurisë fokusin e kanë në anëtarësimin në NATO, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë dhe arsimin, forcimin e shtetit ligjor dhe të sistemit të gjyqësorit”, është shprehur ai.

Po ashtu, Hertica ka sqaruar se çfarë ka premtuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës premtoi se programi i saj 'Për ndryshim' do të fokusohet në zhvillim ekonomik, energji dhe rritjen e pagave me 150 përqind, si dhe reforma në arsimin dhe shëndetësinë për interesat vitale të qytetarëve, për zhvillim ekonomik, shanse të barabarta dhe drejtësi për të gjithë, arsim dhe shëndetësi cilësore, si dhe kthim të shtetit në rrugën e demokracisë së vërtetë, lirisë dhe përparimit”, ka deklaruar ai.

Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, Hertica ka thënë se tani mbetet të shihet nëse do të mbesin te premtimet e njëjta.

 “Lëvizja Vetëvendosje premtoi 'Cep në cep me 500k' dhe fuqizimin e fyerve dhe sharjeve duke kënduar këngë patriotike, pa pasur deri tani asnjë program konkret për sektorin privat, me paga, rritjen e vendeve të punës, shtet të fortë ligjor, efektivitet të shtuar të sistemit të drejtësisë, arsim dhe shëndetësi, por diçka konkrete, jo. Besoj se do të vazhdohet njësoj vetëm në atë shndërrim të së kaluarës ata kanë shkatërruar, ndërsa këta fare nuk kanë punuar. Tani mbetet të shihet, sepse është gjysma e fushatës, dhe a do të mbesin te premtimet e njëjta. Diçka shtesë që mund të shohim këtë herë ka të bëjë edhe me rikthimin ekonomik”, ka përfunduar Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat