Një incident ka ndodhur së fundmi në Skenderaj, ku një posteri të kryeministrit të Kosovës dhe kandidatit për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtit i është vënë flaka.
Sipas zyrtarëve të LVV-së, posteri i Kurtit është djegur me benzinë. Të njëjtit kanë publikuar edhe video ku shihet personi teksa del nga vetura dhe i vë flakën posterit.
Ky akt ka nxitur reagime të shumta.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti Gezim Mekuli ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tij për këtë akt, të cilin e ka quajtur të turpshëm dhe të dhunshëm.
Ai ka theksuar se i njëjti, përçon mesazhe të rrezikshme të urrejtjes dhe kaosit, duke pyetur nëse Serbia apo mafia politike e duan kryeministrin “të kallun”
"Zjarri i urrejtjes me porosi nga Beogradi; kush po e kallë të ardhmen e Kosovës? Kush e do Albinin e kallum? Serbia apo mafia politike? Në Drenicë, në rajonin e historisë dhe sakrificës, ndodhi një akt i shëmtuar, një shpërfaqje e egërsisë primitive, një veprim prej një Serbie të mocme: fotografia e Albin Kurtit, Kryeministrit të pakorruptuar e stoik të Kosovës, simbol i zgjedhjeve dhe demokracisë, u dogj me benzinë, u kall. Të dashur lexues, kjo është një flakë e vogël, por një mesazh i madh; është një thirrje për dhunë, për vrasje, për terror e për kaos. Historia na mëson: ata që dje digjnin fotografi e libra, nesër djigjnin e piqnin njerëz. Nazistët dhe Serbia dogjën fotografitë, flamujt, librat e filozofëve, mendimtarëve, shkencëtarëve, dhe pastaj nisën të djegin vetë njerëzit. Shkrumbuan partitë kundërshtare, kulturat e të tjerëve, pastaj edhe popujt tjerë. Ne e kemi provu në shpirtë, në zemër, po, po, ne shqiptarët e Kosovës...”, u shpreh ai.
Sipas Mekulit, djegia e fotografisë së Kurtit është simbol drejt urrejtjes dhe thirrjes për ta shkatërruar kryeministrin.
“Djegia e fotografisë së Albin Kurtit nuk është sall një akt vandalizmi, është një simbol i një thirrje të errët drejt urrejtjes, thirrjes për me vra e për me shkatërru. Kënd me e vra? Kush është armiku i Kosovës? Serbia, që për dekada e shtypi këtë tokë, apo mafia politike që e plaçkit atë sot? Kush po e mbyt shpresën e qytetarëve sot? Janë ata që luftuan për pushtet dhe tani e mbrojnë atë me frikë, bezin, zjarrë, propagandë, shpifje dhe dhunë? Drenica është zemra e qëndresës shqiptare, por sot ajo po përdoret si një skenë për banditizmin politik. Demokracia nuk mbrohet me zjarr dhe benzinë, as me media të Serbisë e as me mediat e Ramës, por vetëm me votë dhe drejtësi”, ka nënvizuar ai.
Mekuli ka theksuar se zgjedhjet janë mundësia e qytetarëve për të folur, e jo për të djegur Albin Kurtin e askënd tjetër.
“Kosova s’ka nevojë për zjarrvënës, por për ndërtues. S’ka nevojë për kriminelë me maska e pa maska, por për njerëz me vizion. Përndryshe, nëse flaka e urrejtjes mafioze, e ndihmuar nga mediat e Prishtinës, nëse kjo flakë me benzinë vazhdon të ndizet, nesër do të djegë gjithçka, dhe të gjithë", ka përfunduar Mekuli.
Kujtojmë se, lidhur me këtë rast, policia tashmë ka nisur hetimet.
Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj, në koordinim me prokurorin kanë nisur hetimet lidhur me dëmtimin e posterit”, ka thënë Zahiri.