Në Kosovë po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Partitë politike vazhdojnë me premtimet e tyre, të cilat pretendojnë t’i realizojnë gjatë mandatit të ardhshëm.
Profesori Eshref Ymeri, në një prononcim për “Bota Sot”, ka dhënë disa sugjerime për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Guxo, të cilat garojnë së bashku në këto zgjedhje.
Sipas tij, këto dy parti duhet të fokusohen në refuzimin e krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, rritjen e standardit të jetesës, forcimin e sigurisë kombëtare dhe edukimin patriotik të brezave të rinj.
“Mendoj se dy partitë kryesore në pushtet, Vetëvendosja dhe Guxo, si çështje kryesore të programeve të tyre për mandatin e ardhshëm, duhet të kenë arritjen e këtyre objektivave:
1. Hedhja poshtë me një vendim të formës së prerë nga Kuvendi i Dardanisë e kërkesës së Serbisë fashiste për krijimin e BKS (Bashkësisë së Komunave Serbe).
2. Rritja e standardit të jetesës së popullit dardan përmes rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe përcaktimit të një minimumi jetik më të lartë.
3. Forcimi dhe modernizimi i kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Dardanisë përmes pajisjes së tyre me armatim modern.
4. Ngritja e vazhdueshme e vetëdijes kombëtare, duke filluar nga bankat e shkollës fillore deri në auditorët universitarë,” ka deklaruar Ymeri për “Bota Sot”.