Java vendimtare e fushatës, analistët paralajmërojnë: Partitë politike do të mundohen që...

Politika

Java vendimtare e fushatës, analistët paralajmërojnë: Partitë politike do të mundohen që...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 shkurt 2025 Në ora: 08:03
Kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK

Ka mbetur edhe një javë që nga zgjedhjet e reja parlamentare dhe partitë politike tashmë kanë filluar të ashpërsojnë gjuhën e tyre dhe bashkë me të edhe premtimet.

Për gjuhën jo të përshtatshme dhe fushatën që nuk përkon me frymën demokratike, PZAP ka dënuar partitë jo pak herë, ndërsa analistët politikë thonë se në javën vendimtare të zgjedhjeve partitë nuk do të ngurojnë të përdorin gjithë arsenalin për ta bindur qytetarin t’i votojë.

Analisti politik Afrim Kasolli, thotë se partia në pushtet i ka prirë valles sa i përket gjuhës polarizuese dhe ofenduese ndaj rivalëve të saj politikë.

Ndërsa, pas vendimeve të PZAP-së, sipas Kasollit, edhe partitë opozitare i kanë kontribuar atmosferës e gjuhës dehuminizuese.

Kasolli: Këto zgjedhje janë jetike për secilën prej partive politike

“Fillimisht, ekzistonte një percepcioni publik se partia në pushtet ishte duke i prirë valles sa i përket gjuhës polarizuese dhe ofenduese ndaj rivaleve të saj politikë. Madje fakti se ajo deri vonë nuk kishte prezantuar as program qeverisës për mandatin 2025-2029, tërë këtë ngjare e shndërroi në arenë të fyerjeve politike. Etiketimi i partive opozitare më terma insekteve si miza, etj. ishin disa nga rastet më të njohura të kësaj gjuhe dehuminizuese. Mirëpo, më vonë nga vendimet e PZAP-së u kuptua se edhe partitë opozitare i kanë kontribuuar kësaj atmosfere. Kurse sa i përket premtimeve qeverisëse, pushteti tek tash e ofroi një program që shihej qartë se ishte i shkruar shkel e shko, sa për të plotësuar një kriter formal të zgjedhjeve”, shprehet Kasolli.

Ai konsideron se të gjitha subjektet opozitare kanë premtuar investime kapitale dhe rritje të pagave në sektorin publik dhe ekziston konfuzion sesi do t’i realizojnë këto premtime.

Image
Analisti politik Afrim Kasolli

“Ndërkohë të gjitha subjektet opozitare kanë premtuar investime kapitale milardëshe dhe rritje të pagave në sektorin publik. Fillimisht kjo qasje vetëm sa do ta ushtrojë presionin në sektorin privat që edhe është motori i jetës ekonomike në vend. Dhe e dyta po ashtu këtë ngritje ato kanë premtuar se do ta bëjnë duke i uluar edhe taksat, duke krijuar kështu konfuzion se si do të mund t’i realizojnë këto premtime”, thekson analisti.

Gjersa, fushata po hyn në javën e fundit, Kasolli parasheh që partitë të përdorin gjithë arsenalin për ta maksimilizuar forcën e tyre elektoriale.

“Po tashmë kemi hyrë në javën vendimtare të fushatës dhe të gjitha partitë nuk do të ngurojnë të përdorin gjithë arsenalin që e kanë në dispozicion për ta maksimlilizuar forcën e tyre elektorale. Prandaj edhe përkundër këtyre dënimeve të PZAP, gjuha polaziruse edhe këto ditë që kanë mbetur vështirë se do të zbehet, me qëllim të mobilizimit sa më të madh të bazës së tyre elektorale. Këto zgjedhje janë jetike për secilën prej partive politike. Për pushtetin si konfirmim i rrugës së drejtë që ka ndjekur deri më tani, kurse për opozitën se ja arritën ta ndalin të keqen në vend”, përfundon Kasolli.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, të drejtën për të votuar për herë të parë do ta kenë edhe 125 mijë e 852 shtetasë të Kosovës.

Në këtë numër përfshihen edhe të rinjtë që arrijnë moshën 18 vjeçare në ditën e zgjedhjeve. Ky numër i votuesve të rinj, përbën 6% të numrit të përgjithshëm të votuesve, i cili është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.

Këto të dhëna janë bërë të njohura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit, ky numër i votuesve të rinj krahasohet me zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në nivel vendi, ato lokale në vitin 2021.

Qarri: Qytetarët duhet ta mendojnë mirë, para se ta hedhin votën

Ndërsa, edhe analisti Gani Qarri thotë se gjuha po bëhet më e ashpër nga partitë politike.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, partitë po përpiqen ta joshin qytetarin me premtimet përtej standardit dhe mundësive buxhetore të Kosovës.

“Në fushatën e sivjetshme, elektorale e cila tanimë po shkon drejt fundi, sa më shumë që po afrohet data e zgjedhjeve, ajo po bëhet gjithnjë e më e ashpër nga të gjitha partitë pjesëmarrëse, kështu që, gjuha e ashpër dhe shkeljet e ndryshme e kanë detyruar edhe PZAP, të ndërmarr masa ndëshkuese ndaj tyre, masa që kanë ndikuar pozitivisht edhe në respektimin e rregullave zgjedhore. Dhe derisa partia në pushtet, temë kryesore e ka veriun e vendit tonë, partitë opozitare, të cilat kanë dështuar në veri, për mese 13 vite të qëndrimit në pushtet, dhe në prononcimet publike televizive, e krahasonin policinë e Kosovës me atë të Serbisë, tani po na flasin me tone të larta për ekonomin. Tani ato po përpiqen t’i joshin qytetarët me premtimet për rroga, përtej standardit dhe mundësive buxhetore të Kosovës, pensione e subvencione mbi 50 % më të larta, dhe "parajsën" në tokë, pa ua shpjeguar atyre se pse nuk ua krijuan këto kushte dhe jetën përrallore, për mbi 13 vite, sa ishin në qeveri e pushtet”, shprehet Qarri.

Disa parti duket se sërish po përpiqen ta mashtrojnë votuesin me përdorimin e taktikave të vjetra, thotë Qarri, gjersa shton se ata në të kaluarën nuk arritën ta bëjnë.

“Parti të cilat asnjëherë nuk e kanë quar mandatin qeverisës, deri në fund dhe ishin pajtuar me gjendjen kaotike në veri duke bashkëjetuar me sundimin e grupeve kriminale serbe, me të cilat bashkëpunonin ngushtë dhe i favorizonin udhëheqësit e grupeve kriminale serbe duke i vendosur në pozita të larta shtetërore e pritur edhe vet kryekriminelin serb Millan Radojçiq në zyrat e kryeministrisë së Kosovës, siç vepronte dikur z. Ramush Haradinaj. Disa parti duket se sërish po përpiqen t’i mashtrojnë votuesit me përdorimin e taktikave të vjetra, duke mos u treguar atyre se si, do të arrijnë t’i realizojnë premtimet e jashtëzakonshme, për afat kaq të shkurtër kohor, nëse në të kaluarën nuk arritën ta bëjnë atë, as për gati një dekadë e gjysmë, të qëndrimit në pushtet kur çdo gjë ishte në duar të tyre. Madje një pjesë e këtyre njerëzve, nëse hyn në fuqi ligji për konfiskimin e pasurive të grumbulluara kundërligjshëm, mund të vendosen para përgjegjësisë penale, e ndoshta edhe të shkojnë në burg”, pohon analisti.

Në fund, ai kërkon që të mos shpërndajnë vetëm premtime ekonomike, pasi qytetarët nuk mashtrohen kaq lehtë.

“Andaj të gjitha partitë, do të ishte më mirë, të deklarohen edhe për veriun, dhe t`ua sqarojnë qytetarëve të Kosovës, se nëse vijnë në pushtet, a do ta lejojnë rikthimin e bandave kriminale serbe në veri, veçanërisht nëse hyjnë në koalicion me, të ashtuquajturën "listë serbe" dhe a do ti lejojnë përsëri strukturat paralele të Serbisë, bankat, postat, tabelat KM, dhe dinarin serb në Kosovë, ngase “lista serbe” do t`ua vendos, këtë si kusht, atyre partive që do të detyrohen të bëjnë koalicion me te. Duhet cekur se partitë të cilat mund të hyjnë në koalicion me "Listën serbe", do të detyrohen ta largojnë edhe policinë e Kosovës nga veriu, gjë që do t`ua kërkoj vet “lista serbe”, kështu që është koha të flasin dhe jo ti, lënë qytetarët e Kosovës në dilemë, se si do të veprojnë në veri dhe me veriun, nëse ndodhë të vijnë edhe njëherë në pushtet dhe hyjnë në koalicion me “listën serbe”. E jo të shpërndajnë vetëm premtime ekonomike sepse qytetarët e vetëdijesuar të Kosovës, i dinë mundësit reale të vendit të tyre, e nuk do të mashtrohen kaq lehtë vetëm nga fjalët e mira dhe pastaj në gjysmë të mandatit, ta çojnë Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme, pa qenë në gjendje ta qeverisin vendin, për një mandat të plotë. Qytetarët duhet ta mendojnë mirë, para se ta hedhin votën e vet, se si të veprojnë, edhe me ata që janë ngritur kundër ligjit për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, duke keqpërdorur edhe Gjykatën Kushtetuese, ata që duke marrë leje nga strukturat paralele serbe dhe ndërtuar me ligjet e Serbisë, kanë shkatërruar edhe parkun kombëtar "Sharri", aty ku ishte i ndaluar rreptësishtë ndërtimi, të cilët pas kthimit nga Kushtetuesja të Ligjit për Konfiskimin e pasurive të paligjshme, do tu duhet të presin në rresht, për tu përgjigjur para ligjit dhe vuajtjen e dënimit!”, përfundon Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat