Kemi hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale, pasi kanë mbetur edhe pak ditë deri në datën kur pritet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.
Të gjitha partitë politike janë mobilizuar me aktivitete e tubime të ndryshme, ku përmes paraqitjes së programeve të tyre, synojnë t’i bindin qytetarët për ta marrë besimin e tyre.
Marrë parasysh tubimet, nuk mund të krijohet ide se si mund të jetë renditja e partive politike, derisa ka përshtypje se LVV do jetë partia e parë, por që në përqindje nuk ka një pasqyrë të qartë.
Në çdo palë zgjedhje, si mjaft të përfolura janë edhe bastionet që kanë partitë politike, apo thënë më mirë vendet në të cilat parti të caktuar kanë një votë më masovike se të tjerat.
Mirëpo, duket se ka shembje të shumicës së vendeve të cilat janë cilësuar si bastione të partive përkatëse, pasi duket se ka lëvizje të votës elektorale.
Megjithatë, çfarë roli kanë bastionet politike dhe se si mund të ndikojnë në rezultatin zgjedhore, folën analistët politik.
Hertica: Zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar llogaritjet e partive politike për marrje të lehtë të votova
E në lidhje me këtë për “Bota sot” foli analisti politik, Ali Hertica.
Së pari, ai tha se në të kaluarën fushatat zgjedhore nxorën në pah se zonat e luftës i takojnë PDK, AAK-NISMA, kurse zonat tjera i takojnë LDK-së, LVV.
“Fushatës zgjedhore të partive politike për zgjedhjet të 9 shkurtit po i vjen fundi. Me aktivitetet përmbyllëse të fushatës mbi tridhjetë ditore e kandidatëve për deputet kuvendi të republikës ku me 9 shkurt mbetet qytetarëve të vendosin me votën e tyre. Fushata e zgjedhjeve parlamentare nxorën në pah pasqyrën elektorale të liderëve të partive politike shqiptare nëpër bastionet e tyre, duke shtuar se zonat që kanë qenë të përfshira në luftë u takojnë partive që kanë dalë nga lufta PDK, AAK dhe NISMA. Ndërsa zonat që nuk kanë qenë në luftë i kanë takuar LDK-së, VV dhe asaj për familjen”.
Po ashtu, Hertica tha se shumicën e këtyre bastioneve i ka ‘thyer’ LVV me hyrjen e saj në skenën politike, përveç Dukagjinit dhe Drenicës.
“Nga ajo që subjektet politike dhe po u flasin militantëve të tyre po bëjnë shumë përpjekje të tyre të marrin pjesë të tjera të elektoratit, ku, LDK është me një paraqitje dukshëm më mirë se partitë e tjera pavarësisht në shumë bastione të saj, salla janë të stërmbushura me plotë. Partia që i ka arrit bëjë çarjen e bastioneve është VV-ja. Hyrja e VV-së në skenën politike i ka çartur bastionet politike, si në ato të dala nga krahu i luftës deri tek ato te majta apo të djathta ku depërtoi gjithandej me sukses dhe arriti të bëjë një përçarje drastike në disa qytete ku ishin bastione e subjektet politike por ka edhe bastione që nuk ka arritur të depërtojë në Dukagjin dhe Drenicë sa duhet, por deri diku gjeti përkrahës"
Tutje, ai përmendi tri vende ku PDK, LDK e AAK kanë më shumë votuese, ose si të themi kanë bastionet e tyre.
“Partitë politike kanë angazhuar numër të madh të vëzhgueseve për t’i eliminuar manipulimet me vota nëpër bastionet e tyre. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) bastion të saj e ka pasur rajonin e Drenicës, ku në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur nga mbarimi i luftës e deri më tash ka marrë më shumë vota sesa partitë tjera, të cilat kanë qenë në garë. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) regjionin besnik u mundu ta ruaj bastionin e Llapit, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbështetet fuqishëm nga rajoni i Dukagjinit, ndërsa subjektet tjera politike nuk kanë një qytet apo regjion të caktuar si burim votash”, nënvizoi analisti.
Gjithashtu, Hertica përmendi edhe mundësinë e manipulimit të votave në bastionet e caktuara, por që shpreson se me praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë, do evitohet kjo gjë.
“Në zgjedhjet e mëhershme të mbajtura në Kosovë janë parë manipulime nga më të ndryshmet gjatë procesit zgjedhor sidomos në qytetet bastione të partive politike që u sillnin fitore jashtë pritshmërisë. Rreziku për manipulim me vota është çdoherë evident jo vetëm në bastione, po në përgjithësi në të gjitha vendet ku zhvillohet procesi i votimit. Partitë politike nuk duhet të hyjnë në një proces zgjedhor me idenë për manipulime, por me idenë e ofrimit të një ambienti të mirë politik aty ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe njëkohësisht për të garantuar një proces të mirë zgjedhor dhe pastaj rezultatet janë të pranueshme për të gjithë. Nuk dua të besoj që do të vazhdojë avazi i kamotshëm i shumë proceseve elektorale. Kësaj radhe janë më të pranishëm përfaqësuesit më eminentë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve tjera”.
Ndër të tjera, analisti shtoi se zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar llogaritjet e partive politike për marrje e lehtë të votave.
“Është një garë jashtëzakonisht delikate dhe interesante, do të ketë me siguri pretendime, mirëpo besoj që këtë herë e kanë të qartë se është një monitorim më rigoroz dhe është rritur ndërgjegjja e votuesve, e komisionarëve dhe e vëzhguesve. Por, zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar llogaritjet e partive politike për marrje të lehtë të votova. Dhe kjo vjen në pah posaçërisht në komunën e Ferizajt, Kaçanikut dhe Fushë Kosovës. Kjo puna e bastioneve është bërë mesele. Disa parti kujtojnë se ua ka lënë baba këto fare bastionesh dhe hidhërohen në momentin kur një parti tjetër bëhet e fortë, në të ashtuquajturat bastionet e tyre”, përfundoi Ali Hertica për “Bota sot”.
Mehmeti: Realisht bastione në kuptimin klishe s’ka, por ka disa vende ku partitë marrin më shumë vota
Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti vlerëson se sa bastione në kuptimin e plotë të fjalës, por ka disa vende që parti të caktuara marrin vota më shumë.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se zgjedhjet e 9 shkurtit mund të zhbëjnë emërtimin e bastioneve.
“Realisht bastione në kuptimin klishe s’ka, por ka disa vende ku partitë marrin më shumë vota. Kjo nënkupton që këto zgjedhje edhe më shumë mund ta zhbëjnë emërtimin e bastioneve, pasi rezultati do të jetë surprizë. Por, Kosova duhet të bëjë ligjin për zonat zgjedhore në mënyrë që të jetë vota më ë koncentruar brenda komunës”.
Krahas kësaj, analisti potencoi disa nga vendet ku partitë opozitare kanë numër më të madh të votat, me që rast paralajmëroi se mund të ketë befasi në këto zgjedhje dhe lëvizje të votës elektorale.
“Gjithsesi, ajo për të cilën partitë opozitare frikësohen është mos shkatërrohen elektoralisht bastionet e tyre, siç janë Skenderaj, Malisheva, Gjakova, Deçani, Lipjani e Fushë Kosova, si të vetmet vende ku opozita gjen ngushëllime, ndonëse edhe në zgjedhjet nacionale Gjakova ka votuar për partinë në pushtet. Këto zgjedhjet pritet të sjellin befasi, në disa nga këto komuna ku i përmenda, e ku partia në pushtet do të dal e para”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.